1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Libyen Öl

3 Shtator 2011

Në Paris konferenca "Miqtë e Libisë" lejoi zhbllokimin e fondeve të ngrira në llogaritë bankare jashtë shteti. Të gjithë shpresojnë për biznese të mira me udhëheqjen e re të Libisë.

https://p.dw.com/p/12SIL

Gara e kompanive të naftës dhe gazit në Libi ka filluar tashmë. Eni italian, tradicionalisht udhëheqës në biznesin me Libinë, ka nënshkruar tani marrëveshje me këshillin tranzitor. Kontratat e vjetra nga koha e Gadafit sunduesit e rinj duan t'i mbajnë një herë për një herë. Total nga Franca, British Petroleum, Wintershall dhe DEA nga Gjermania, të gjitha janë të përfshira.

Libisë i duhen të ardhurat nga nafta

Dhe kjo është gjë e mirë, sepse Libia pa kompanitë e huaja të naftës nuk është në gjendje të shfrytëzojë burimet e saj. Firmat perëndimore, ekspertët nga Katari dhe nga Kina kanë nxjerrë naftë edhe në kohët e Gaddafit, dhe kështu do të mbetet.

Tensioni për kompanitë do të rritet sidomos, kur këshilli i ri tranzitor pas një periudhe konsolidimi pas disa muajsh do të bëjë rindarjen e tenderave. Fillimisht nuk është menduar për këtë. Së pari duhet arritur kthimi në nivelin e vjetër të nxjerrjës së naftës, sepse udhëheqja e re e Libisë ka nevojë për para për të marrë drejtimin e shtetit. Në fakt ka sugjerime se gjatë dhënies së kontratave duhet të merren parasysh veçanërisht ato vende, që kanë marrë pjesë në operacionin e NATO-s kundër trupave të Gadafit, por në fund, për këtë janë të një mendimi ekspertët, kriteret ekonomike do të rrëzojnë ato politiket. Franca dhe Britania me siguri që do të shpërblehen për veprimet e tyre, por Italia nuk do të qëndrojë mënjanë. Kompanitë gjermane do të bëjnë gjithashtu biznes të mirë, thjesht sepse ata janë të nevojshme për të ndërtuar dhe për të zgjeruar jo vetëm prodhimin e energjisë, por edhe furnizimin me ujë dhe destilimin e ujit të detit. Dhe në qoftë se këshilli tranzitor do të vazhdojë ndërtimin e një centrali bërthamor, do të përfitonin kompanitë franceze dhe gjermane. Torta pas revolucionit në Libi nuk do të rindahet sërish, ajo u shpërnda shpejt me diktatorin, kur ky papritur u bë sërish i pranueshëm në vitin 2005. Kompanitë britanike dhe amerikane kanë qenë pak të tërhequra për shkak të sulmeve terroriste në Pan Am-Jumbo mbi Lokerbie dhe në diskotekën Labelle, për të cilat ishte përgjegjëse Libia. Këto rezerva do të bien tani.

Bernd Riegert
Bernd RiegertFotografi: DW

Biznese të majme me ose pa diktatorin

Këtu nuk është fjala vetëm për biznesin e lëndëve të para. Libia ka nevojë edhe për projekte të infrastrukturës. Firmat e ndërtimit nga Austria, Gjermania dhe Kina me siguri do të hyjnë në lojë. Dhe si qëndron puna në lidhje me armët? Ushtria e re libiane duhet të pajiset, armët e Gadafit dhe aeroportet, që NATO-s iu desh t'i shkatërrojë, duhet të zëvendësohen. Edhe këtu janë në gatishmëri jo vetëm firmat e armëve nga Perëndimi.

Në mënyrë që ky cikël ekonomik të vihet përsëri në lëvizje, ishte e rëndësishme dhe e drejtë që bashkësia ndërkombëtare në samitin e Parisit hoqi sanksionet dhe zhbllokoi xhirollogaritë libiane. Këshilli tranzitor merr miliarda, të cilat Gadafi i kishte parkuar jashtë vendit. Ky gjest përshëndetet nga Presidenti Sarkozy dhe kancelarja Merkel si një gjest fisnik, por është në fakt një gjë e natyrshme. Sepse paraja i përket fundja popullit libian dhe jo shteteve, që e kishin ngrirë atë në bankat e tyre. 50 delegacione kishin ardhur në Paris: pa shih sa miq kanë papritmas revolucionarët fitimtarë, që kanë naftë.

Nicolas Sarkozy, presidentit francez në fushatën parazgjedhore, i pëlqen vetja në rolin e çlirimtarit dhe të strategut ushtarak vizionar. Ai ishte me fat që regjimi i Gadafi ishte relativisht lehtë të rrëzohej. Dhe ai, ndryshe nga kancelarja, ka marrë vendimin e drejtë në për të drejtuar NATO-n në betejën për Libinë. Sarkozi megjithatë nuk e ka bashkuar Evropën, ndryshe nga sa prezantoi para ambasadorëve të tij në Paris në fillim të javës. Evropa ishte ndarë në çështjen e Libisë dhe është ende e ndarë në çështje të tjera të Lindjes së Mesme, shih Palestinën, apo Sirinë.

Sarkozy triumfon mbi Amerikën

Franca i ka dhënë një përkufizim të ri udhëheqjes në NATO. SHBA për shkak të mungesës së parave dhe mosinteresimit politik qëndruan të tërhequra. Shtëpia e Bardhë e quan këtë tani me eufemizëm "udhëheqje nga sfondi". Planin e parë dhe skenën e madhe në Paris e sundoi Sarkozi.

Biznese të mira do të bëjnë fundja shumë në Libi. Vetëm paratë nuk bëjnë shtetin, Libia ka nevojë për ndihmë edhe në ndërtimin e institucioneve funksionuese. Këtë shans duhet ta shfrytëzojë Bashkimi Evropian me të gjithë përvojën e tij për të udhëhequr vendin me kujdes në drejtim të demokracisë, pa imponuar gjë, sepse ashtu si në Irak apo Afganistan, ajo nuk do të funksiononte.

Plotësisht jashtë qëndrojnë Shtetet e Afrikës. Bashkimi Afrikan nuk e njeh këshillin tranzitor. Afrika e Jugut mban anën e Gadafit, me sa duket deri në fundin e hidhur. Afrika, e cila u ushqye nga diktatori Gadafi në vitet e fundit me shumë të para, siç duket nuk e pranon, që koha e të çmendurit të pasur bujar të Tripolit ka marrë fund.

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: Angjelina Verbica