1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Karta identiteti me standarde të BE-së

Arben Muka28 Shkurt 2007

Në karten e re të identitetit qytetarët do të lënë dhe gjurmë të katër gishtave të tyre, si një element që e bën atë të sigurtë dhe të mos përdoret dot nga persona të tjerë

https://p.dw.com/p/ArY6
Pasaporta shqiptare
Pasaporta shqiptareFotografi: DW

Çipi i kartës do të ketë të dhënat bazë të mbajtësit, si dhe një numër identifikues i pandryshueshëm deri në vdekje për qytetarin.

Megjithëse nuk ka ende një rezultat përfundimtar për zgjedhjet lokale të 18 shkurtit, partitë politike konkurente dhe vëzhguesit ndërkombëtare janë në një mendjeje se një nga dobësitë e këtij procesi ishte cilësia e listës së votuesve dhe procedura e lëshimit të certifikatave nga zyrat e gjendjes civile. Madje certifikatat u bënë dhe shkak për një krizë të paparë paraelektorale disa javore.

Rreth 7 vjet më parë autoritetet zyrtare tentuan të pajisin qytetarët me të drejtë vote me një kartë të vecantë që quhej karta zgjedhore, një dokument i pazevendësueshem identifikimi. Por procesi u la përgjysem nga mungesa e strategjisë dhe nxitimi.

Për t'i dhënë fund këtij kaosi me dokumentacionin e zyrave të gjëndjes civile, qeveria shqiptare ka nisur procedurat për pajisjen e të gjithë shtetasve me kartën e identitetit, e cila do të jet sipas standarteve të BE-së. Kartat do të vlejnë jo vetëm për proceset e ardhshme zgjedhore, por do të jenë dhe si përmbushje e detyrimeve që ka Shqipëria në lidhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE, për dokumentet personale të shtetasve të saj.

Drejtoria e Pergjithshme e Zyrave të Gjendjes Civile në Tiranë ka prezantuar modelin e kartës së re e cila do te ketë të dhëna biometrike të mbajtësit të saj dhe elementë të lartë sigurie. Ajo do tu shpërndahet qytetarëve mbi 16 vjeç, ndërkohë që për pjesën tjetër me moshë më të vogël do të jepet një certifikatë e posacme kreht e ndryshme nga ato që përdoren aktualisht.

Në kartën e re të identitetit qytetarët do të lënë dhe gjurmë të katër gishtave të tyre, si një element që e bën atë të sigurtë dhe të mos përdoret dot nga persona të tjerë. Cipi i kartës do të ketë të dhënat bazë të mbajtësit, si dhe një numër identifikues i pandryshueshëm deri në vdekje për qytetarin.

Por pajisja e shtetasve me kartë identiteti kërkon dhe një rregjistrim të ri të popullatës dhe mbledhjen e detyrueshme të të dhënave personale nga cdo qytetar shqiptar që jeton brenda dhe jashtë vendit.