1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Restrospektivë e vitit 2005

Arben Muka31 Dhjetor 2005

Pas 8 vitesh në opozicion, koalicioni i djathtë i drejtuar nga shefi i opozitës, Sali Berisha siguron një mandat të ri qeverisjeje. Edi Rama zgjidhet kryetar i partisë socialiste

https://p.dw.com/p/AqrY
Sali Berisha
Sali BerishaFotografi: dpa

Përmbledhje e ngjarjeve kryesore të vitit 2005

Muaji i parë i vitit 2005 shënoi kurorëzimin në parlament të kodit të ri elektoral, një marrëveshje kompromisi mes dy partive të mëdha PS dhe PD, por që u kundërshtua ashpër nga partite më të vogla. Përfaqësia e OSBE-së në Tiranë e përshëndeti ligjin, duke shpresuar, se do të ndikonte drejpërdrejt në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme pas afer 6 muajsh.

Në muajin shkurt vlen të përmendet organizimi në Shqipëri për herë të parë i Forumit të biznesit shqiptaro - serb. Ndryshimi i politikave mes Tiranes dhe Beogradit në vitet e fundit jep ndikime pozitive dhe në afrimin mes komuniteteve të sipërmarrësve nga dy vendet në kërkim të rrugëve të reja të bashkëpunimit. Gjatë këtij muaji shënohet dhe nje protestë krejt e veçantë në Shqipëri: Akademikët dhe drejtuesit e institucioneve kërkimore e shkencore protestojnë për rritje të pagave, duke u vetquajtur si një kategori e diskriminuar dhe harruar nga qeveria.

Në mars, Avokati i Popullit Ermir Dobjani, jep alarmin për fatin e afer 8 mijë fëmijëve shqiptarë të trafikuar dhe të pashoqëruar nga prindërit, veçanërisht në dy vendet fqinje Greqi dhe Itali. Ndërkohë që parlamenti në Tiranë mban një seancë të jashtëzakonshme për dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në muajin prill ministrat e jashtëm të vendeve të rajonit zhvillojnë një takim informal në Durrës, në shoqërinë dhe të shefit të diplomacisë gjermane, Joshka Fisher. "Vetëm bashkëpunimi rajonal ndihmon vendet ballkanike të plotësojnë aspiratën për integrimin euroatlantik", ishte një ndër mesazhet kryesore të Samitit. Ndërkohë presidenti, Alfred Moisiu së bashku me 15 partitë kryesore nënshkruajnë atë që konsiderohet si Kodi i Sjelljes në fushatën elektorale.

Maji shënoi fillimin e një prej investimeve më serioze në Shqipëri në 15 vitet e fundit: rikonstruktimin e aeroportit ndrkombëtar "Nënë Tereza" nga konsorciumi "Airport Partners", ku paketën kontrolluese e ka kompania e famshme gjermane "Hochtief". Një investim afër 80 milion dollarë që do t'a shndërrojë portën kryesore ajrore të Shqiperise në standartet e vendeve të tjera europiane.

Qershori përveç nxehtësisë stinore pati dhe nxehtësinë politike në garën elektorale, ku më shume se 50 parti politike dhe afër 2800 kandidatë konkuruan për 140 vendet e parlamentit të ri. Futja e disa kompanive të huaja profesioniste si suport për mënyren e zhvillimit të fushates elektorale nga partitë kryesore shfaqi një imazh të jashtëzakonshëm në performancen elektorale, me fatura maramendëse parash, pavarësisht se bëheshin në vendin më të varfër të Europës.

Në 3 korrik afër 2 milion qytetarë nga i gjithë vendi u thirrën për të votuar. Koalicioni i djathtë i drejtuar nga shefi i opozitës, Sali Berisha arriti të merrte 78 vende në parlament duke siguruar një mandat qeverisjeje, pas 8 vitesh në opozicion. Krahu i majtë me kaotik dhe më i përçarë se kurrë i drejtuar nga kryeministri, Fatos Nano, shpresoi deri në minutën e fundit për një barazim 70 me 70 ne ndarjen e vendeve në parlament, por kjo duket se ishte vetëm një ëndërr për vetngushëllimin e humbjes.

Gushti ishte një muaj "standby" për politiken shqiptare, ku si pasojë e strukturës së komplikuar legjislative nuk mund të shpallej një rezultat përfundimtar i zgjedhjeve, e për pasojë të mos kishte ndërtim të institucioneve të reja paszgjedhore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vetëm në fillim të shtatorit dha verdiktin perfundimtar, ndërkohë që qeveria e kryeministrit të ri, Sali Berisha betohet në datën 11, dhe po pasditen e asaj të diele shtatori mblidhet për herë të parë kabineti i ri me 14 ministra. "Lufta kundër korrupsionit, rivendosja e shtetit ligjor, lehtësimi i taksave për bizneset, përshpejtimi i hapave për procesin e asocim stabilizimin me BE", janë mes objektivave kryesore të qeverisjes së djathtë.

Për partinë më të madhe të opozitës, Partinë Socialiste, humbja në zgjedhje shoqërohet me një kongres të jashtëzakonshëm në tetor, ku Fatos Nano kryetari 15 vjeçar i socialisteve, tashmë i dorëhequr zëvendësohet nga Edi Rama, kryetari i bashkisë së Tiranës. Po gjatë këtij muaji një raport i "Transparency International" e rendit Shqipërinë në rradhën e vendeve më të korruptuara të kontinentit.

Muaji nëntor ka qenë nje sprovë e jashtëzakonshme për qeverinë e kryeministrit Sali Berisha pasi vendi kaloi një krizë të paparë energjitike e ku në qytete kufizimet e furnizimit me rrymë shkonin deri në 14 orë, ndërkohë që në zonat rurale deri në 20 ore në ditë. Rreshjet e dendura të shirave që mbushën bazenet e Hidrocentraleve, si dhe sigurimi i një sasie emergjente tëenergjise nga vendet fqinje e normalizuan situatën, por ndërkohë "bamiresia natyrore" e shirave u kthye në një tragjedi të vërtetë humbjesh materiale dhe financiare për mijëra familje në të gjithë Shqipërinë, nga pasojat e përmbytjeve të mëdha.

Dhjetori si muaji i fundit të vitit, ishte në të njëjtën kohë dhe periudha e bilancit të 100 ditëve të para të qeverisë së djathtë. Për kryeministrin, Sali Berisha 100 ditët ishin "një start i jashtëzakonshëm, shenja konkrete të shpresës dhe mbajtjes së premtimeve para qytetarëve", ndërkohë që për shefin e opozitës, Edi Rama ato ishin "100 netë të papërgjeshmërisë, të paaftësisë dhe të rikthimit tek kriza e vitit 1997".