1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Strategjia e emigracionit ka mbetur në letër!

Arben Muka28 Mars 2007

Sipas ekspertëve të Institutit Europian të Tiranës dokumenti i strategjisë nuk është përfshirë as në programet aktuale të qeverisë. Madje janë pyetur disa përfaqësues të institucioneve publike mbi këtë problem dhe ata nuk kishin asnjë dijeni për strategjinë dhe përmbajtjen e saj.

https://p.dw.com/p/ArX8
Rrugës së migracionit
Rrugës së migracionitFotografi: presse

Në muajin maj të vitit 2005 qeveria shqiptare miratoi një plan strategjik për emigracionin, që në thelb shprehte angazhime të autoriteteve për të mbështetur me projekte dhe programe të drejtpërdrejta në favor të integrimit të emigrantëve në vendet pritëse, arsimimit të fëmijëve në gjuhën amtare, kualifikimin, lehtësimin e procedurave konsullore, të bashkimit familjar, lehtësimit nga taksat dhe tatimet nëse një emigrant kthehet në vendlindje për të hapur një biznes etj.

Kanë kaluar 2 vjet dhe në këtë aspekt është bërë shumë pak nga objektivat e artikuluara bukur kanë mbetur vetëm në letër. Konstatimin e bën Instituti Europian i Tiranës, i cili ka investiguar këtë cështje me anë të një studimi të sapombaruar, të mbështetur nga zyra e Fondacionit Soros në Shqipëri.

Për autorët e studimit " nga afër 66 objektiva të kësaj strategjie, 90 përqind e tyre duheshin realizuar brenda vitit 2006. Por një gjë e tillë nuk u arrit". Sipas ekspertëve të Institutit Europian të Tiranës dokumenti i strategjisë nuk është përfshirë as në programet aktuale të qeverisë. Madje janë pyetur disa përfaqësues te institucioneve publike mbi këtë problem dhe ata nuk kishin asnjë dijeni për strategjinë dhe përmbajtjen e saj.

Gjithmonë duke iu referuar studimit "nga 15 institucionet dhe agjensitë qeveritare përgjegjëse në plotësimin strategjisë në 8 prej tyre as që nuk kishin dijeni për një gjë të tillë".

Shqipëria është një nga vendet e rajonit me nivel të lartë emigrimi, ku një në cdo 3 banorë e ka bërë një veprim të tillë, kryesisht për qëllime ekonomike.

Numri më i lartë i emigrantëve është në dy vendet fqinje anëtare të BE-së, Greqi dhe Itali. Por jo pak punojnë dhe jetojnë në Gjermani, Francë Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë etj, madje dhe më larg, në SHBA, Kanada e Australi.