1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Vit i ri shkollor me sfidat e pandemisë COVID

14 Shtator 2020

Viti i ri shkollor në Shqipëri nisi në kushtet e kufizimeve prej pandemisë - me maska, matje temperature, dezifektim duarsh dhe mjedisesh, distancim fizik dhe një protokoll të rreptë mbrojtës.

https://p.dw.com/p/3iS8a
Albanien Tirana Coronavirus | Erster Schultag
Fotografi: DW/A. Ruci

Me virusin corona ende në qarkullim, për nxënësit, mësuesit dhe prindërit nisi të hënën (14.09) përballja me një realitet të pazakontë. Këtë herë fëmjët e vegjël, që nisën klasën e parë, nuk u shoqëruan nga prindërit e tyre, në këtë ditë kaq të të veçantë të jetës së tyre. Prindërit qëndruan jashtë dyerve të oborreve të shkollave duke ndjekur me sy kur u masnin temperaturën fëmijëve dhe dizifektonin duart. 

Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, 480 mijë nxënës në ciklin 9-të vjeꞔar dhe atij të mesëm kanë nisur mësimin pas një ndërprerjeje të gjatë për shkak të pandemisë COVID-19. Shkollat u mbyllën në mars të këtij viti kur Shqipëria u prek nga kjo pandemi për të parandaluar përhapjen e infektimit . Viti shkollor përfundoi pas mbylljes tre mujore, mësimit dhe provimeve online.

Sfida dhe skenarë në kohë pandemie

Për autoritetet e arsimit balanca ka anuar më shumë nga hapja sesa nga vazhdimi i mbylljes së  shkollave. Prioritet duket se ka fituar zhvillimi i aspekteve sociale dhe emocionale të nxënësve që i mundëson mësimi në klasë. Mbyllja e shkollave në mars të këtij viti nuk pengoi vetëm zhvillimin normal të mësimit por edhe mirëqënien e tye psiko-emocionale. Gjithsesi, sigurimi i shëndetit, mosprekja nga virusi është sfida kryesore për t'u përballuar me vendimin e hapjes së shkollave.

Autoritetet e arsimit kanë parashikuar tre skenarë potencialë për ta fituar këtë sfidë: mësim në shkollë; mësim i kombinuar, në shkollë dhe online;  mësim vetëm online.

Burime zyrtare thanë për DW, se zbatimi i tre skenarëve do të bëhet në varësi të përhapjes së virusit dhe infrastrukturës që ofrojnë shkollat në nivel kombëtar. Në shkollat që nuk kanë infrastrukturë për të siguruar distancimin fizik të nxënësve mësimi do të kryhet me turne, pasi në bankë lejohet të qëndrojë vetëm një nxënës.

Një formular, i hartuar nga Autoritetet e Arsimit Parauniversitar është i detyrueshëm për prindërit që duhet ta plotësonë ꞔdo ditë për gjendjen shëndetësore të fëmijës së tyre.

Për zbatimin e masave të sigurisë është angazhuar edhe Policia e Shtetit, cila ka kopetencat të  vlerësojë dhe monitorojë masat e sigurisë mbrojtëse anti COVID-19 në shkollat e vendit.

Opozita: Qeveria masa gjysmake

Opozita jashtë parlamentit, e kryesuar nga Partia Demokratike , (PD)  i cilëson "gjysmake” masat e sigurisë për mosprekjen e nxënësve dhe mësuesve nga virusi corona.

Kryetari i saj Lulzim Basha, në një postim në median sociale kritikon qëverinë, për atë që ai e quan "refuzim për të testuar gjithë mësuesit në nisjen e vitit të ri shkollor. Askush nuk e di se sa prej stafit pedagogjik mund të jenë prekur nga virusi, sa mund ta kenë kaluar në kushte asimptomatike ose me simptoma të lehta por që nuk kanë pasur mundësi të kryejnë testin.”

PD kërkon testimin e mësuesve për të parandaluar përhapjen e virusit COVID -19 nga mësuesit tek nxënësit dhe nga nxënësit tek prindërit dhe gjyshërit e tyre.

Albanien Tirana Coronavirus | Erster Schultag
Fotografi: DW/A. Ruci

Rënie e numrit të nxënësve

Viti shkollor nis jo vetëm me sfidat e pandemisë COVID dhe me pasigurinë e ecurisë së saj në muajt e vjeshtës dhe dimrit. Por edhe me një numër tër reduktuar dukshëm të nxënësve

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, ( INSTAT), të publikuara këto ditë,  numri i nxënësve në arsimin e ciklit 9-të vjeçar ka rënë në 10 vitet e fundit me 30 përqind, kurse në raport me vitin 1991, me 45 përqind.

"Nxënësit e regjistruar në arsimin 9 të-vjeçar në vitin 2019 ishin rreth 295 mijë, nga 421 mijë në vitin në 2010 dhe mbi 540 mijë në vitin 1991” konstaton në raportin e tij INSTAT.

Sipas INSTAT ulja e numrit të nxënësve është rezultat i emigrimit dhe i rënies së numrit të lindjeve në Shqipëri.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana