1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria 2014: Papa, bashkëpunimi, dhuna, bojkoti...

Arben Muka30 Dhjetor 2014

Ndër ngjarjet më të jashtëzakonshme për Shqipërinë në vitin 2014 ishte vizita e Papa Françeskut më 21 shtator. Ai vlerësoi atmosferën e tolerancës dhe harmonisë fetare. Por ka pasur dhe shumë ngjarje të tjera.

https://p.dw.com/p/1ECqz
Shqipëria afrohet me BE
Shqipëria afrohet me BEFotografi: DW/ Cama

Papa nënvizoi se regjimi komunist eksperimentoi mes të tjerave dhe ateizmin, duke prishur e rrënuar objektet e kultit, duke burgosur, internuar dhe ekzekutuar klerikët nga të gjitha besimet. Mesazhi i Papës ishte i qartë, kur ju drejtua dhjetramijë pelegrinëve dhe qytetarëve që e shoqëruan plot vëmendje vizitën e tij në Tiranë: “Erdha për t'iu inkurajuar që të rritet shpresa brenda dhe mes jush. Uroj që shqiponja, që keni në flamurin tuaj, të mbajë gjithmonë shpresën te Zoti që nuk zhgënjen e qëndron pranë në momente të vështira”.

Papa në Shqipëri
Papa në Shqipëri (21 shtator)Fotografi: AFP/Getty Images

Viti nisi me një ogur

2014-a nisi me një ogur të mirë në raportet mes Tiranës dhe Prishtinës, kur dy qeveritë, e Shqipërisë dhe të Kosovës, zhvilluan më 11 janar një mbledhje të përbashkët. Ato bënë disa nisma konkrete, për intesifikimin e marrëdhënieve me projekte të përbashkëta në ekonomi, tregëti, arsim, kulturë dhe fusha të tjera me interes reciprok, një agjendë që do të ndiqet në mënyrë periodike nga trupa ekzekutive e të dy shteteve.

Konferenca në Berlin - Rama, Merkel dhe Barroso
Konferenca në Berlin - Rama, Merkel dhe BarrosoFotografi: AFP/Getty Images

Bashkëpunimi dhe bashkërendimi në nivel rajonal, ka qenë një prej trendeve më të rëndësishme të vitit 2014, kur në fund të gushtit u organizua në Berlin Konferenca për Ballkanin Perëndimor, e cila ishte një konfirmim i qartë i angazhimit të drejtëpërdrejtë të Gjermanisë dhe BE-së në të paktën dy aspekte kryesore: avancimin e kooperimit mes shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe akselerimin e procesit të integrimit të tyre drejt anëtarësimit me të drejta të plota në familjen europiane. Sipas iniciatores së Konferencës, kancelares gjermane Merkel: “Ka shumë gjëra që mund të bëhen bashkërisht. Nevojitet intensifikim i marrëdhënieve mes vendeve tona.” Por nga ana tjetër ajo ishte e drejtëpërdrejtë dhe në nevojën e reformave të besueshme, pasi “qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të mërzitur me korrupsionin dhe nuk duan më gjykatat, që nuk funksionojnë mirë. Keqmenaxhimi, kriminaliteti i organizuar dhe ekonomia informale është në të gjitha vendet një problem i vazhdueshëm, po ashtu edhe niveli i lartë i papunësisë së të rinjve. Prandaj çdo vend duhet të krijojë premisat për pranimin në Bashkimin Evropian në sektorët e sundimit të ligjit dhe punën efikase të administratës”.

Vizita e Ramës në Beograd dhe statusi i kandidates

Drona që shtyu vizitën e Ramës në Beograd
Drona që shtyu vizitën e Ramës në BeogradFotografi: Reuters/Marko Djurica

Marrëdhëniet mes vendeve të rajonit lipset të tejkalojnë dhe hije nga e kaluara. Kjo u tregua dhe ndeshja e 14 tetorit 2014 mes kombëtares së Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, një përballje që u kaplua nga stresi dhe tensioni i përzjerë me nota nacionaliste dhe urrejtjeje frenetike nga turmat e tifozëve në shkallët e stadiumit, që prodhoi më pas një shfaqje të shëmtuar dhe në fushën e blertë, ku lojtarët harruan topin për t'u përfishirë në xheste dhe reagime me nuanca politike. Atmosfera kontraverse e kësaj ndeshjeje futbolli infektoi dhe vizitën e kryeministrit Edi Rama 4 javë më vonë po në Beograd, duke kompleksuar bisedimet dhe deklarimet mes tij dhe homologut serb Aleksandër Vuçiç.

Rama dhe Vuçiç u takuan, por plasi sherri rreth Kosovës
Rama dhe Vuçiç u takuan, por plasi sherri rreth KosovësFotografi: picture-alliance/dpa

2014-a patjetër që do të mbahet mend dhe për realizimin e një objektivi strategjik të Shqipërisë në procesin e integrimit europian: marrjen e statusit të vendit kandidat, një verdikt që u refuzua disa herë më parë nga Brukseli. Ndërmarrja e reformave thelbësore nga qeveria e kryeministrit Rama, klima politike dhe inkursioni i pashembullt policor për t'u ndeshur me grupet kriminale të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike në Lazarat dhe në rajone të tjera të vendit- duken se inkurajuan Komisionin Europian për një “PO” në marrjen e statusit të vendit kandidat.

Vrasja e Santos dhe dhuna në parlament

Por se sa i brishtë është progresi në Shqipëri këtë e tregoi vrasja të nesërmen e këtij vendimi historik e bankierit të njohur Artan Santo, një ekzekutim tipik mafioz, në mes të Tiranës, vetëm pak metra nga zyra e tij, për të cilën ende nuk ka gjurmë të autorëve të dyshuar. Gjithashtu vetëm dy javë më pas, dhuna e ushtruar në ambjentet e parlamentit në Tiranë, ndaj një deputeti të opozitës, solli vendimin ekstrem të PD për të bojkotuar aktivitetin e organit ligjëvënës, duke provokuar dhe debatin mbi çështjen e dekriminalizimit të parlamentit nga anëtarë me të kaluar të dyshimtë dhe të penalizuar nga organet e drejtësisë. Rezistenca e deputetëve të opozitës në kauzën e tyre të bojkotit zgjati deri në limitin e djegies së mandateve, një proces që u shpëtua nga ndërhyrja energjike e grupeve kryesore në Parlamentin Europian, të cilët u investuan përmes dy të dërguarve të tyre si negociatorë në Tiranë, Eduard Kukan nga të djathtët dhe Knut Flenckeinstein nga të majtët. Marrëveshja e 24 dhjetorit mazhorancë – opozitë me “bekimin” e Kukan – Flenckeinstein, që plotësoi vendet e mbetura bosh për 6 muaj në parlament, ishte si një “dhuratë” e krishtlindjeve, e cila mbetet për t'u parë në jetëgjatësinë dhe vërtësinë e saj. Mbetet për të verifikuar gatishmërinë e angazhimit të krahëve të politikës shqiptare në bashkëpunimin për çështje me interes për publikun dhe për vendin. Nëse fryma e padurueshme konfliktuale dhe bojkotuese do të mbeten thjesht në inventar të 2014-s, apo do të fanepsen dhe në 2015-n e më pas.

Parlamenti
ParlamentiFotografi: DW/A. Ruci