1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria: krizë dhe ritual protestash antiqeveritare

Arben Muka18 Dhjetor 2015

Analistë të pavaruar në Tiranë për DW mbi impaktin e aksionit politik të Partisë Demokratike, në arritjen e objektivave të saj për krijimin e një qeverie teknike që do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

https://p.dw.com/p/1HPxv
Albanien Tirana Protest vor Parlament
Fotografi: DW/A. Muka

Partia Demokratike ka ndryshuar taktikë. Nga protesta e para 10 ditëve, kur u regjistruan dhe akte dhune e vandalizmi ndaj dissa godinave qeveritare, kjo e kësaj të enjte (17.12) kishte një performancë tejet paqësore. Oratorët në tribunën e improvizuar vetëm disa metra larg hyrjes së parlamentit, ishin me nota më të ulura, ndërkohë që mbështetësit më të përmbajtur duke u mjaftuar vetëm me hedhjen e vezëve, tymuesve dhe ndonjë artikulli ushqimor. Por demokratët dhe partitë e tjera opozitare nuk janë tërhequr nga objektivi për rrëzimin e qeverisë dhe krijimit të një kabineti teknik, në mënyrë që vendi të shkojë në votime të parakohshme.

Për kryetarin e PD-së Lulzim Basha ky është një imperativ kombëtar, siç shpjegon ai pasi gjendja është kritike, ku nga njëra anë ka vuajtje dhe probleme të panumërta për popullatën, që varfërohet përditë dhe nga ana tjetër një vjedhje dhe korrupsion galopant nga ana e qeverisë. Për shefin e opozitës, cikli i protestave do të vijojë pa u ndalur pasi zëmërimi dhe revolta e njerëzve janë në kulm.

Por kryeministri Rama dhe eksponentë kryesorë të mazhorancës së majtë e përshkruajnë aksionin opozitar si një zgjidhje të tyre për të shmangur debatin dhe krizën e brendshme Brenda Partisë Demokratike. Paralelisht me skenarin e protestave të opozitës, Rama vijon takime me qytetarët, siç thotë ai për të shpjeguar dinamikën e reformave të qeverisë dhe impaktin që ato do të kenë në jetesën e qytetarëve.

Aktualisht vendi ka nuancat e një fushate elektorale, ku dy grupimet kryesore po lëvizin ethshëm në zona të ndryshme duke prezantuar alternativat e tyre.

Albanien Tirana Protest vor Parlament
Fotografi: DW/A. Muka

Krizë të madhe ekonomike, morale dhe politike

Për analistin e medias Robert Goro, që jeton në Greqi, në një vend ku gati çdo ditë protestohet, ato janë një mjet demokratik i shprehjes së vullnetit të lirë që ka njeriu për mospajtimin me atë çka ai e quan jo të drejtë. Por çështja është se çfarë efekti kanë këto protesta, çfarë rezultati sjellin, thotë Goro në një bisedë për Deutsche Welle-n. Ai shprehet skeptik dhe mendon se qoftë opozita, qoftë qeveria do të rezultojnë më të fituara e më të mençura pas këtyre manifestimeve.

“As vendi nuk fiton diçka më të mirë, përpos faktit shumë të rendësishëm se njerëzit po tregojnë që po zgjohen e kanë zë. Shumëkush, brenda dhe jashtë vendit, e sheh se Shqipëria po përjeton një krizë të madhe ekonomike, morale dhe politike. Sigurisht, qeveria Rama ka përgjegjësinë më të madhe për këtë, sepse shqiptarët i besuan alternativës së koalicionit të majtë për të sjellë ditë më të mira për qytetarët, kur e votuan në qershor 2013. Alibia se qeveria Rama ndodhet në mesin e mandatit dhe të realizimit të programit të vet, nuk mund të jetë bindëse. Por nga ana tjetër, do të ishte naivitet të besoje se një qeveri do të largohet para përfundimit të mandatit, vetëm e vetëm pse këtë e kërkon opozita. Përvoja e botës së qytetëruar - ku aspirojmë të gjendemi edhe ne një ditë- ka treguar se një qeveri e dorëzon ‘vullnetarisht' mandatin, vetëm kur ka kurajën qytetare që të pranojë dështimin e t'i drejtohet votës së parakohshme të qytetarëve, apo të negociojë krijimin e një qeverie teknike - siç propozon partia Demokratike”.

Ky, për Robert Goron, është një skenar absolutisht i pamundur, edhe për shkak se numrat që zotëron maxhoranca aktuale në parlament, i ofrojnë një “komoditet relaksues” Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

“Plus që procesi i zgjedhjes së presidentit do të jetë në të njëjtin vit me ato të përgjithshme. Kështu që, për mendimin tim, pavarësisht se si do të jetë situata në vend, do të vazhdojmë të përcjellim momente që Lulëzim Basha do ta fillojë protestën si kryeministër potencial i Shqipërisë dhe do ta përfundojë protestën sërish si shef i opiozitës shqiptare.”

Qeveria po sillet me arrogancë përballë problemeve të qytetarëve

]Gazetari Fatos Hakorja vëren se vendimi i opozitës për të kërkuar qeveri teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme vjen në një kohë kur ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë ka gjithnjë e më shumë akuza publike të rënda për korrupsion e përfshirje në trafik droge. Sipas tij, bashkë me kritikat se qeveria po sillet me arrogancë përballë problemeve të qytetarëve dhe se reformat e saj janë më shumë aksione represive sesa plane të studiuara për t'u dhënë zgjidhje çështjeve të caktuara, ato e përligjin përshkallëzimin e aksionit opozitar dhe rritjen e presionit ndaj qeverisë. Me kërkesën se “kjo e keqe duhet ndalur me çdo mjet demokratik” opozita po i premton votuesit të saj se do ta detyrojë qeverinë të tërhiqet, thotë Hakorja për Deutsche Welle-n.

“Personalisht besoj se protestat nuk do të mund ta realizojnë objektivin e shpallur prej saj, ashtu sikundër këtë qëllim nuk e arritën as protestat e PS në mandatin e dytë të qeverisë Berisha. Dhe më shumë sesa për të rrëzuar qeverinë, këto protesta po synojnë në njërën anë ta dobësojnë mazhorancën dhe në anën tjetër të mbajnë gjallë elektoratin opozitar, në një kohë kur edhe ndaj vetë së opozitës ka kritika se nuk po gjen aftësinë për të shpalosur një ofertë të besueshme qeverisëse”

Synimi opozitës për të fituar terrenin e humbur politik më 2013 dhe 2015

Protestat e thirrura nga opozita për lektorin e shkencave politike, prof. asoc. dr Afrim Krasniqi, më shumë sesa produkt politik i vetë PD-së është në fakt produkt i nevojës së madhe që kanë një numër gjithnjë e më i madh qytetarësh për të reaguar ndaj mënyrës sesi qeveria sillet, vepron dhe e trajton mandatin politik. Ai shprehet për Deustche Welle-n se me gjithë progresin periferik në disa masa ligjore e administrative në drejtim të kontrollit mbi territorin, rendin dhe procesin legalizues, mazhoranca nuk ka përmbushur shumë prej pritshmërive të vitit 2013. “Ajo ka rritur ndjeshëm irritimin publik sidomos për praktikat korruptive financiare dhe të rekrutimit, për natyrën selektive të vendimmarrjes, si dhe për një sjellje arrogante ndaj kritikave. Nëse krahasojmë retorikën dhe sjelljen politike, mazhoranca po bën të njëjtat gabime si ish-qeveria e djathtë, duke na provuar se sistemi korruptiv dhe klientelist ka mbetur i paprekur pavarësisht rotacionit të emrave dhe flamujve partiakë. Opozita po e shfrytëzon këtë rast dhe kjo është normale. Ajo që nuk përbën normalitet është fakti se protestat opozitare prodhuan më shumë dhunë sesa mesazh qytetar ndryshimi, dhe se synimi i saj përmes radikalizimit është jo për t'i ndihmuar qytetarët të rikthejnë besimin dhe shpresën tek ndryshimi, por për të fituar terrenin e humbur politik më 2013 dhe 2015, për t'i dhënë fund mundësisë për debate të brendshme politike, si edhe për të gjetur alibi në pafuqinë dhe mungesën e vullnetit të saj për reformim programor, politik dhe strukturor. E majta po forcon partinë duke dobësuar shtetin, e djathta po e forcon partinë duke dobësuar shoqërinë”.

Për prof. asoc. dr Afrim Krasniqi në këtë klimë të ngarkuar politike mazhoranca e majtë duhet të tregojë se është e aftë të bëjë reforma me vepra, jo me fjalime, - si dhe duhet të tregojë më shumë modesti e respekt për kritikat publike që i vijnë nga grupe qytetare e burime publike sidomos në aspektin e arrogancës dhe nivelit të lartë të korrupsionit. “Nga ana tjetër, opozita duhet të mos lejojë që axhenda afatshkurtër t'i mohojë vendit nevojën e madhe për një alternativë të re, të besueshme, demokratike e konkurruese”.