Shqipëria merr presidencën e OSBE-së në 2020

Këshilli i Ministrave i OSBE-së ( Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europëv) mori të mërkurën ( 5.12 ) vendimin që Shqipëria të ketë presidencën e kësaj organizate në vitin 2020.

Njoftimin e dha e para Italia, që ka Presidencën e OSBE-së këtë vit. Në një postim në Twitter, të mërkurën (5.12)Presidenca italiane deklaroi, se "përgëzon Shqipërinë për arritjen e këtij objektivi të rëndësishëm".

Edhe Delegacionit i Bashkimit Europian, (BE) në Shqipëri e vlerësoi vendimin e Këshillit të Ministrave të OSBE-së si arritje të Shqipërisë. Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, e cilësoi  kryesimin e OSBE-së në 2020 nga Shqipëria si "një rol të rëndësishëm që ajo merr" dhe premtoi mbështetjen e BE.

Mbështetja e Gjermanisë ndaj kandidaturës së Shqipërisë

Vendimi nuk vjen i papritur. Që Shqipëria ishte një nga kandidaturat e vendeve anëtare  të OSBE-së për ta kryesuar atë në vitin 2020 u bë e njohur nga Kryeministri Edi Rama rreth tre muaj më parë, kur ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, kreu në 19 shtator të këtij viti, një vizitë zyrtare në Tiranë. Në përfundim të takimit  Rama-Mass, kreu i qeverisë së Tiranës, bëri të ditur kandidaturën e Shqipërisë për të marrë Presidencën e OSBE-së në vitin 2020 dhe kërkoi mbështetjen e Gjermanisë që vendimi të ishte në favor të Shqipërisë.

Argumenti që kryemnistri Rama, paraqiti para Ministrit Mass ishte, se Shqipërisë do t'i jepet mundësia "për një kontribut edhe në funksion të dinamikave në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe procesit të integrimit të tij europian, si dhe një nxitje jo vetëm për Shqipërinë por dhe vetë rajonin".

Burime zyrtare pohuan për DW, se krahas një lobimi të fuqishëm nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme me shtetet anëtare të OSBE-së, një rol të konsiderueshëm ka luajtur edhe mbështetja e Gjermanisë ndaj kandidaturës së Shqipërisë. Pas Italisë, në vitin 2019, presidencën e OSBE-së e merr Sllovenia, e ndjekur nga Shqipëria në vitin 2020. Shqipëria u bë anëtare e OSBE në verën e vitit 1991.

OSBE mbetet organizata më e madhe në botë, e orientuar nga siguria. Ajo u krijua në vitin 1975, në kohën e Luftës së Ftohtë, si një forum Lindje-Perëndim, Aktualisht 57 shtetet e saj anëtare shtrihen në Europë, Azi dhe Amerikën Veriore. Mandati i OSBE-së përfshin edhe kontrollin e armëve, promovimin e të drejtave njerëzore, lirinë  e shtypit dhe zgjedhjet e ndershme. OSBE angazhohet gjithashtu në parandalimin e konflikteve, menaxhimin e krizave dhe reabilitimin post-konflikt.