1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria ofron zgjidhje për ndarjen e detit Jon me Greqinë

17 Shtator 2020

Si do të vazhdojnë negociatat për detin? Rama: Ndërmjetësim i një pale të tretë ose Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

https://p.dw.com/p/3ie6c
Flash-Galerie Griechenland
Fotografi: picture-alliance / OKAPIA KG, Ge

Kryeministri shqiptar Edi Rama ofroi në Athinë, të mërkurën, (16.09.20) ku mori pjesë në Forumin e revistës "Economist" me temë  “Ballkani, përtej 2020”, dy alternativa për arritjen e një marrëveshjeje Shqipëri-Greqi për ndarjen e hapësirave/zonave detare mes dy vendeve në detin Jon.

“Kur bëhet fjalë për zona detare ta zgjidhim çështjen me të tjerë, nëpërmjet një pale të tretë apo edhe gjykatave ndërkombëtare. Kjo do të jetë një zgjidhje e drejtë dhe objektive. Shpresoj sa më shpejt të arrijmë dakordësi. Jemi në rrugën e duhur,” u shpreh Rama në këtë Forum, të zhvilluar një ditë pas takimit të tij (15.09.20) me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Mitzotakis dëshiron zgjerim

Çështja e ndarjes së hapësirave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë u rikthye si temë qendrore në politikën e Tiranës, pas deklaratës (26.08.2020) së kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, se qeveria e tij “synon të zgjerojë hapësirat e saj detare edhe në detin Jon deri në 12 milje, sipas të gjitha konventave ndërkombëtare” dhe paralajmëroi vizitën së shpejti në Tiranë të Ministrit të Jashtëm, Nikolaus Dendias. 

Deklarata e Mitsotakis u konsiderua nga Rama si një deklaratë ku “Greqia po ushtron të drejtën e saj ”, kurse opozita jashtë parlamentit akuzon kryeministrin Rama se pas deklaratës qëndrojnë bisedime sekrete me Mitsotakis në disfavor të Shqipërisë. 

Me marrëveshje apo me gjyq? 

Rama tha në Athinë se të dyja palët janë në “rrugën e duhur”. Dy alternativat për ta zgjidhur çështjen e ndarjes së hapësirave detare në Detin Jon, që Rama prezantoi në Athinë, lënë të kuptohet, që në dialogun dy palësh parashikohen kundërshti, mosmarrëveshje që mund të rezultojnë në mos-nënshkrim të marrëveshjes. Në një rast të tillë, Rama propozon zgjidhje nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ose nga një pale e tretë ndërmjetësuese.   

Kundërshtitë mes palëve duket se janë shfaqur kur nisën negociatat për një marrëveshje lidhur me ndarjen e hapësirave detare në Detin Jon, në vitin 2018, që u pezulluan në verën e 2019-ës. 

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi, të humbura nga ish-kryeministri Cipras dhe të fituara nga kryeministri aktual Mitsotakis, në korrik 2019, duket se e zhvendosën Marrëveshjen e Detit me Shqipërinë nga prioritetet e Greqisë, në vitin e parë të mandatit qeverisës Mitsotakis. 

Ndryshime në grupin negociator

Ndërkohë në Shqipëri, grupi negociator që zhvilloi bisedime me palën greke për rreth dy vjet, tani nuk funksionon më. “Grupi ynë negociator për çështjen e detit ka nevojë për ndryshime, pasi disa anëtarë të tij janë larguar nga pozicionet që mbulonin kur janë zgjedhur në grupin negociator, ” bëri me dije kohët e fundit  Kryeministri Rama. 

Ndryshimi i përbërjes së grupit negociator, të përbërë nga ekspertë nga institucionet shtetërore përkatëse, ka sjellë mungesë informacioni nga burime zyrtare për çështje të tilla thelbësore si: Çfarë do të negociohet? A do të vijojnë negociatat aty ku mbetën? A do të njihet progresi i arritur apo negociatat do të rifillojnë pa e marrë parasysh atë? 

Në këtë situatë deklarata e kryeministrit Rama, në Athinë, të mërkurën (16.09) hodhi dritë në dy alternativa: ose që palët të bien dakord dhe të firmosin marrëveshjen, ose do të jetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë që do të japë një zgjidhje, për të cilën Rama pret të jetë “e drejtë dhe objektive.”

Ndarje e barabartë 

Konventa e të Drejtës së Detit, e miratuar në Montego Bay në vitin 1982, e ratifikuar nga të dyja vendet fqinje, u jep vendeve që e kanë ratifikuar të drejtën të zgjerojnë ujërat e tyre territoriale deri në 12 milje. Por vetëm, nëse këtë e lejojnë rrethanat gjeografike.

“Do të respektojmë konventat ndërkombëtare dhe do të aplikojmë standardin e ndarjes në mënyrë të barabartë të detit, për rastet kur distanca mes dy shteteve është më e ulët se 24 milje”,  ka theksuar kryeministri Mitsotakis në Parlamentin grek.

Në rastin e hapësirave të kufizuara detare mes Shqipërisë dhe Greqisë në Detin e përbashkët Jon, duhet mirëkuptim, dialog, negociata, një marrëveshje të pranuar nga dy palët. Në rast të kundërt zbatim i një vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë. 

Kanali i Korfuzit

Shqipëria dhe Greqia ndajnë në Detin Jon tri hapësira: Det Territorial, Shelf Kontinental dhe Zona Ekonomike Ekskluzive. Këto dy të fundit kanë të bëjnë me shfrytëzimin e hapësirës dhe pasurive nëndetare, si kërkimet për gaz, naftë etj. Për të tria këto hapësira dy vendet fqinje kanë interesa strategjike. 

Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit e thotë qartë në 320 nenet e saj, se secili vend  ushtron “sovranitet të plotë dhe të drejta sovrane në një zonë të përcaktuar qartë, me koordinata detare, të vendosura në një hartë të dakordësuar dhe të shoqëruar me koordinata detare për 3 hapësirat.”
Në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë ka një hapësirë në Detin Jon, ku koordinatat detare në hartë mungojnë. 

Mungon kufiri

Glevin Dervishi, në një intervistë ekskluzive për DW, kur ishte në pozicionin e këshilltarit për rajonin në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe negociatat për Marrëveshjen e Detit nuk ishin ndërprerë, tregoi dy vjet më parë, se cila ishte çështja ku ishin përqendruar negociatat. "Deti Territorial Jon, në kanalin e Korfuzit, nuk ka një kufi të përcaktuar sipas kritereve të Konventës së Kombeve të Bashkuara që të jetë dakordësuar nga palët. Ajo që po bëjmë është negocimi për delimitimin e zonave detare në këtë zonë, sipas kritereve që përcakton Konventa", shpjegoi ai.

Negociata të papërfunduara

Deklarata e Ramës dhe e ish-kryeministrit Tsipras, pas takimit të tyre në Samitin e Londrës, në kuadër të Procesit të Berlinit, në korrikun 2018, se "së shpejti mund të arrihen zgjidhje pozitive për çështjet që tensiononin marrëdhëniet mes dy vendeve fqinjë”, rezulton një deklaratë verbale. 

Zgjidhja nuk është arritur. Marrëveshja mes palëve nuk ekziston. Negociatat priten të rifillojnë me zhvillimet e tre javëve të fundit dhe më shumë informacion shpresohet të sjellë vizita e ministrit të Jashtëm grek, Dendias në Tiranë.

Marrëveshja e vitit 2009

Marrëveshja e Detit, që shpresohet të arrihet, ka një precedent:në vitin 2009 Gjykata Kushtetuese (GJK) hodhi poshtë Marrëveshjen e Detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, të arritur në kohën, kur në pushtet ishte opozita e sotme jashtë parlamentare. Me votë unanime GJK e  konsideroi si marrëveshje "antikushtetuese, të karakterizuar nga moszbatimi i parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve dhe arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm". ( Vendim i i Gjykatës Kushtetuese, Fq. 44). 

Kryeministri Rama hodhi poshtë të mërkurën në Athinë se pas “ rrëzimit të Marrëveshjes së Detit“ të arritur mes dy vendeve në vitin 2009 nga Gjykata Kushtetuese “ qëndronte Turqia: “Kjo është absolutisht e pavërtetë. Asnjëherë, në asnjë takim me Presidentin Erdogan nuk kam dëgjuar prej tij për këtë marrëveshje, apo çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë, apo që ajo  është e ndonjë interesi për Turqinë. Kurrë. Kjo është e vërteta”, tha Rama. Shqipëria nuk ka ende një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Por precedenti i vitit 2009 është një referencë për marrëveshjen që pritet të rinegociohet.


 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana