1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria përballë perspektivave të reja në tregun evropian të energjisë

11 Qershor 2009

Kristian Kern (Christian Kern) përfaqësues i kompanisë austriake Verbund, që po ndërton një hidrocentral të ri mbi lumin Drin, të parin me teknologji që mbrojnë mjedisin, thotë se ky treg do të krijohet pas 5- 6 vitesh.

https://p.dw.com/p/I7Qk
Ndriçimi i rrugëve në Tiranë
Ndriçimi i rrugëve në TiranëFotografi: Aida Cama

Me një investim prej 160 milion eurosh, Kompania austriake Verbund ngjall shpresa të mëdha të hapë një fazë të re në prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri dhe mbylljen e periudhave të krizave kronike të dekadës së kaluar.

Hidrocentrali i Ashtës, mbi lumin Drin, e para vepër e re pas 30 vitesh dhe pas tre hidrocentraleve ekzistuese mbi këtë lum, do të prodhojë 48 MG energji elektrike, sasi kjo që do të kënaqë kërkesat në rritje të biznesit dhe popullatës për energji. Ekspertë ndërkombëtarë arsyetojnë që pas rritjes në vitin 2009 të Prodhimit të Brendshëm Bruto, GDP me 1 përqind kërkesa për energji do të rritet në masën 1,2- 1,3 përqind.

Hidrocentrali në fjalë nuk ofron vetëm të kontribojë në plotësimin e kërkesës në rritje për energji elektrike në Shqipëri. Verbund ofron mbrojtjen e mjedisit apo atë që njihet si "qëndrim miqësor ndaj mjedisit." Kompania austriake do të aplikojë teknologjinë më të avancuar të kohës, tani për tani, teknologji që përdoret për herë të parë jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropë. Në vend të turbinave të njohura si konvencionale, me të cilat funksionojnë të gjitha hidrocentralet e ngritura në Shqipëri, do të vendosen turbina MATRIX. Këto turbina pritet të ulin koston e ndërimit, dhe me siguri të mbrojnë mjedisin nga shkatërrimi dhe ndotja. Kjo sjell avantazhe të tjera: rritja e prodhimit vendas të energjisë elektrike, përdorimi i teknologjisë së re MATRIX do ta vërë Shqipërinë në një pozicion të favorshëm në tregun e pritshëm, të integruar europian të energjisë.

Christian Kern (Kristian Kern) anëtar i Bordit Ekzekutiv të kompanise Austriake Verbund dhe përfaqeues i saj në zyrat e kësaj kompanie në Tiranë, thotë se integrimi i tregjeve nacionale të energjisë, në ato rajonale, dhe që këtej në tregun e madh europian është një perspektivë jo e largët. "Ajo që presim është integrimi i gjithë rajonit për të lidhur vendet e Europës Perëndimore me ato të Europës Jug- Lindore. Sot vëmë re, që nëse çmimet në tregjet gjermane apo austriake të energjisë luhaten, kjo si në nje reaksion zinxhir kalon, me pak vonesë edhe në tregjet e Europës Jug-Lindore. Kjo na bën të mendojmë se e shumta aty nga viti 2015 apo 2020 do të ketë një treg të integruar energjie mes Evropës Perëndimore dhe asaj Jug Lindore," thotë Christian Kern.

Pasuria e madhe e Shqipërisë me burime hidrike, politika largpamëse koncesionare e qeverisë së Tiranës, pritet ta çojë Shqipërinë në tregun e integruar evropian si një aksionere të rëndësishme, që ka sasi të konsiderueshme kilovatësh energjie elektrike për të ofruar. "Nëse e krahasojmë situatën e dhënies me koncesion të Shqipërisë me vende të tjera në rajon, Shqipëria është vërtet më përpara.në krahasim me Serbinë, Kroacinë madje edhe me Sloveninë apo Bosnjë- Hercegovinë. Ka shumë zhurmë, oferta, tendera por asgjë nuk është kryer. Prandaj në fushën e prodhimit të energjisë elektrike, Shqipëri është në mënyrë absolute para vendeve të tjera të rajonit," thotë Christian Kern. Eksperti austriak u sugjeron politikabërësve të Tiranës: "Mos ngurroni të jepni koncesione të tjera"

Marrëveshja koncesionare mes qeverisë së Tiranës dhe kompanisë austriake Verbund, parashikon që energjia e prodhuar nga hidrocentrali i Ashtës, mbi lumin Drin, t´i shitet për 15 vjet vetëm KESH-it dhe pas kësaj periudhe kohore, kompania austriake është e lirë ta shesë atë në tregje të tjera. Christian Kern, parashikon se në vitin 2011 hidrocentrali i Ashtës do të fillojë të prodhojë energji.

Autor : Ani Ruci

Redaktoi : Aida Cama