1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtajnmajer: Po përpiqemi për një Kosovë shumëetnike

A. Shuka22 Prill 2008

Pas një takimi me homolgun e tij nga Bosnja Ministri gjerman i Punëve të Jashtme e ka përjashtuar çdo opcion tjetër për Kosovën.

https://p.dw.com/p/DmDJ
Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Valter ShtajnmajerFotografi: AP

"Përpjekjet tona të përbashkëta nuk do të synojnë vetëm të sigurojnë paqen dhe të shmangin dhunën, por ne do të përpiqemi që Kosova të zhvillohet në një zonë demokratike dhe shumëentike. Kjo përjashton opsione të tjera, për të cilat të tjerët diskutojën në publik, por jo me mbështetjen time", tha shefi i diplomacisë gjermane mbas takimit me ministrin e jashtëm të Bosnjës, Sven Alkalaj, të martën (22.04.) në Berlin.

Në këtë vizitë të parë të tij zyrtare në Gjermani, Alkalaj thekoi dëshirën dhe vullnetin e vendit të tij për integrim në Evropë ndërsa ministri gjerman e përgëzoi për reformën policore në Bosnjë-Hercegovinë.

Java ballkanike në Berlin

Këtë javë në Gjermani ndodhen paralelisht me njëri-tjetrin edhe një delegacion nga Serbia, ministri i jashtëm Vuk Jeremiç pritet të vijë të enjten, si edhe një delegacion nga Kosova. Në këtë të fundit marrin pjesë katër ministra të qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të opozitës. Të hënën ata kanë zhvilluar bisedime nëpër ministri të ndryshme ndërsa sot janë në takim me komisionin e jashtëm të parlamentit gjerman. Këtë javë ky komision do të merret pikërisht me marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Ballkanin dhe Turqinë. Seanca përkatëse për këtë çështje do të mbahet ditën e enjte. Në të do të marrë pjesë edhe komisioneri për zgjerimin Olli Rehn.

Ballkani Perëndimor do të jetë në axhendën e Luksemburgut

Shtajnmajer e la të hapur mundësinë ofrimit të një lëshimi të ri për Serbinë, në mënyrë që para zgjedhjeve të 11 majit të forcohet edhe një herë kampi pro evropian. Mbas takimit me Alkalajn ai tha: "Për këtë do të flasim edhe një herë më 29 prill, në takimin e ministrave të jashtëm (në Luksmburg). Por mendoj se gatishmëria e vendeve evropiane do të varet nga përshtypjet që ka mbledhur (kryeprokurori) Bramac gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd. Deri atëherë ai do të na ketë informuar për gatishmërinë e Serbisë për të bashkëpunuar me Gjykatën Ndërkombëtare të Ish-Jugosllavisë."

Në fillim të vitit Bashkimi Evropian i pat ofruar Serbisë një marrëveshje të ndërmjetme, që përfshinte disa lehtësime në marrëdhëniet Serbi-BE, por kjo ende nuk është nënshkruar nga Beogradi. Holanda dhe Belgjika ngulin këmbë që Serbisë të mos i ofrohet marrëveshja e stabilizim asociimit për sa kohë që nuk janë dorëzuar të kërkuarit për krime lufte.