1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtajnmajer premton në Kairo se Gjermania do të ndihmoj Egjiptin në sigurimin e kufirit

Esther Saoub / bc / era11 Janar 2009

Ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier) i ka premtuar Egjiptit ndihmë për kontrollimin e kufirit me Rripin e Gazës. Ditët e ardhshme në Egjipt do të shkojnë ekspertët e parë gjermanë

https://p.dw.com/p/GVyW
Në foto: Shtajnmajer dhe Mubarak
Në foto: Shtajnmajer dhe MubarakFotografi: AP

Bisedimet e ministrit të jashtëm gjerman me presidentin e Egjiptit, zgjatën gati dyfish më shumë se sa që ishte planifikuar. Kjo për faktin se Frank-Valter Shtajnmajer ka prekur një temë shumë delikate: Kontrabandën me armë prej Egjiptit në Rripin e Gazës. Në këtë zonë kufitare, ekzistojnë me qindra tunele nëpër të cilat kontrabandohen ushqime dhe karburante, por edhe armë. Shkatërrimi i këtyre kanaleve është një prej qëllimeve të ofensivës izraelite. Qysh prej vitesh, Izraeli kërkon prej Egjiptit që t'i mbyllë ato. Por mbyllja e tuneleve nuk është aq e lehtë, e panon edhe ministri i jashtëm gjerman.

Shtajnmajer në Kairo
Shtajnmajer në KairoFotografi: AP

„E di sa e rëndë është kjo detyrë, që të parandalohet në tërësi kontrabanda me armë. Prandaj kemi shprehur gatishmëri që të ndihmojmë qeverinë egjiptiane. Kemi rënë dakord që ditët e ardhshme këtu të vie një grup ekspertësh nga Gjermania dhe së bashku me ekspertët egjiptianë, të bisedojnë se në ç'masë mund të ndihmojë armatimi i policisë kufitare egjiptiane, stërvitja dhe përpunimi i një strategjie të re, për mbrojtjen e kufirit.“

Hamasi është i gatshëm për pjesëmarrje në negociatat e propozuara nga Egjipti

Shtajnmajer e lavdëroi shumë propozimin egjiptian për vendosjen e armëpushimit dhe përpjekjet e presidentit Mubarak, për ndërmjetësim mes Izraelit dhe palestinezëve. Njëkohsisht me ministrin e jashtëm gjerman, në Egjipt mbërriti pas një kohe të gjatë edhe një delegacion i Hamasit. Shtatë politikanët nga Rripi i Gazës dhe Damasku duan të bisedojnë për mundësië që ofron propozimi egjiptian. Kjo dëshmon se Hamasi është i gatshëm për pjesëmarrje në negociatat e propozuara nga Egjipti. Negociatat përputhen me përfytyrimet e presidentit palestinez Abaz (Abbas), i cili në Kairo u takua edhe me ministrin Shtajnmajer. Para gazetarëve ai në veçanti theksoi domosdoshmërinë e unitetit palestinez:

Presidenti i palestinezëve, Mahmud Abaz
Presidenti i palestinezëve, Mahmud AbazFotografi: AP

“Kemi filluar një dialog kombëtar, me qëllim që partitë e ndryshme të kthehen në udhëheqësinë palestineze. Hamasi është pjesë e udhëheqësisë, pjesë e popullit palestinez. Këtë nuk mund ta mohojë askush. Mirëpo Hamasi nuk është ndonjë fuqi e pavarur."

Shtajnmajer: Lufta duhet të përfundoj sa më parë

Plani paqësor egjiptian parashikon vendosjen e armëpushimit, zhbllokimin e Rripit të Gazës dhe hapjen e kufijëve, sepse pikërisht bllokimi i kufijëve, ka shkaktuar sulmet me raketa të brigadave islamike dhe shkallëzimin e luftës. Lufta duhet të përfundojë sa më parë që është e mundur, thotë Frank -Valter Shtajnmajer:

Pamje nga Gaza (10.01.2009)
Pamje nga Gaza (10.01.2009)Fotografi: AP

„Natyrisht që në negociata ishim të një mendimi se gjendja humanitare në Rripin e Gazës është shkak për brengosjet më të thella. Të gjitha palët duhet të sigurojnë furnizimin e popullatës civile me ndihmat e domosdoshme.“


Për t'u njoftuar me gjendjen, ministri i ashtëm ka vizituar qytetitn Rafah, në zonën kufitare me Rripin e Gazës. Për ditë të tëra atje parakalojnë automjete të shumta me të plagosur, që transportohen në spitalet e Egjiptit. Pikërisht në momentin e vizitës, në anën tjetër të kufirit goditi një raketë. Qëllimi i sulmeve është shkatërrimi i tuneleve, por ditët e fundit janë qëlluar me dhjetëra shtëpi. Popullata civile palestineze ka ikur në brendësi të Gazës, por as atje nuk është shumë më e sigurt.