1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shteti social në Gjermani

Marsel Fyrstenau4 Gusht 2005

Me 18 shtator në Gjermani ndoshta do të zgjidhet një parlament i ri. Të gjitha partitë thonë se një prej çështjeve më të rëndësishme, është zvoglimi i numrit të madh të të papunëve dhe reforma e shtetit social. Unionistët në opozitë thonë se duhet punuar edhe më fuqishëm në vendosjen e sigurisë sociale, të filluar nga koalicioni kuq e gjelbër, ndërsa partia e re majtiste shkon edhe më larg. Në debate janë futur edhe përfaqësuesit e shkencës.

https://p.dw.com/p/Ar38
Fotografi: DW-TV

Momenti është ideal. Vetëm pak javë para zgjedhjeve të mundëshme parlamentare, botuesi nga qyteti Visbaden, ka nxjerrë një libër të ri, për shkencat sociale, të studjuesit nga Këlni, Kristof Butervege me titull: "Kriza dhe ardhmëria e shtetit social". Autori thotë se në këtë libër ka punuar plot katër vjet me radhë. Ndërkohë që kohët e fundit ësht angazhuar natë dhe ditë, që librin ta përfundojë para zgjedhjeve. Kjo për faktin se në shtator do të vendoset se në cilin drejtim do të shkojë shoqëria jonë.
Butervege kundërshton pohimet se shteti i tanishëm social, nuk mund të financohet. Për qëllime sociale, aktualisht ndahet një e treta e të ardhurave, që do të thotë se jemi në nivelin e vitit 1975. Butervege thotë se shteti social është një pjesë produktive e pasurisë së përgjithëshme shoqërore.

"Pa siguri sociale, nuk mund të ketë as paqë shoqërore, sepse do të rriteshin kriminaliteti, përdorimi i drogës dhe dukuritë negative, të cilat i njohim prej disa vendeve të tjera. Prandaj është shumë me rëndësi që të mos amerikanizohet sistemi dhe shteti ynë social. Kjo do të thoshte edhe rrezik për paraqitjen e getove dhe të gjitha dukurive tjera, që bartë mungesa e një shteti social".

Qëndrimet e tija i mbështetë edhe Otmar Shrainer, ish - sekretar i përgjithëshëm i socialdemokratëve, SPD, dhe një prej kritikëve të denjë të politikës së tanishme sociale dhe ekonomike të qeverisë në pushtet. Ai thotë se të dhënat për një shtet social kurrsesi nuk mund të quhen të larta dhe shpjegon: "Në pjesën lindore të Gjermanisë kemi një kuotë të të dhënave sociale prej 50 përqind, që në masë të madhe ka të bëjë me një kuotë të lartë të papunësisë në këtë pjesë të vendit. Natyrisht që ky 50 përqindësh rritë edhe kuotën e përgjithëshme në mbarë vendin. Kjo do të thotë se sikur Gjermani lindore të kishte kushte pak më të mira, përqindja do të ishte shumë më e ultë se një e treta, që do të ishte shumë më pak se mesatarja evropiane".

Shrainer dhe Butervege pohojnë se politika e tanishme sociale e Qeverisë është e gabuar. Në veçanti programi "Hartz IV", që ndërlidhë papunësinë me ndihmat sociale dhe parashikon masat e të ashtuquajturës punë për një euro. Ata thonë se kjo do të thotë kthim në politikën e viteve 20-ta, të shekullit të kaluar, kur megjithë masat e ngjashme, problemi me papunësinë nuk ishte zgjidhur.

"Në atë kohë flitej për përkujdesin ndaj fuqisë puntore. Por situata ishte e ngashme: njerëzit pastronin parqe për një rrogë jashtëzakonisht të vogël. Edhe atëherë thuhej se e gjitha kjo do të kushtojë më lirë. Ndërkohë që me programin "Hartz IV" të gjitha janë shtrenjëtuar."

Studjuesi i varfërisë në Gjermani, Butervege pohon se për zgjidhjen e problemeve, sistemi social duhet të financohet prej të gjitha llojeve të të ardhurave. Për tejkalimin e situatës së tanishme i domosdoshëm është edhe dialogu në shoqëri. Për dallim prej shumë politikanëve të tjerë, ish - sekretari i përgjithëshëm i socialdemokratëve është i mendimit se koalicioni i kësaj partie me majtistët e Gregor Gizit dhe Oskar Lafontenit, është i mundur.

"Në parim, partitë demokratike duhet të jenë të afta për negociata. Mirëpo kur flasim për zgjedhjet e 18 shtatorit, faktet thonë se do të jetë shumë vështirë. Prandaj në këtë moment nuk ia vlenë të mendohet tepër", thotë ai. Kjo edhe për faktin se në këtë moment, një koalicion i tillë do të refuzohej ndoshta edhe prej vetë partisë së re majtiste.