1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtutgart, you did it!

22 Janar 2017

Për ta dashur tjetrin duhet ta njohësh, e për ta njohur duhet bashkëpunim - panairi i Shtutgartit ofron mjaft mundësi për këtë.

https://p.dw.com/p/2WDKH
Deutschland Stuttgart - Urlaubsmesse
Fotografi: DW/P. Pani

Sa kilometra do të udhëtonit për të për të parë copëza kulture nga e gjithë bota? Për fatin tonë Boni është veçse 400 km larg, ndaj mëngjesi na gjen në tren drejt Shtutgartit.

Borë, flamuj që valëviten, vizitorë që hyjnë e dalin, makina të vëna radhë në parkim, është vetëm pak nga panorama e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit. Sfidë më vete është të lëvizësh brenda godinës së stërmadhe të panairit, ndaj pikave të informimit mund t'u drejtohesh shpesh. 

Deutschland CMT Messe in Stuttgart
Fotografi: DW/P. Pani

Enisi, me të cilin kemi ardhur bashkë për të vizituar panairin, nxiton në katin e parë ku qëndrojnë  të ekpozuara makinat më të njohura të botës. "Do shkoj të shoh Teslan", më thotë buzagaz, sa shpesh mund  të ndodhë të prekësh nga afër një makinë të tillë?"

Takim me Shqipërinë

"Go your own way" është slogani i parë në hapësirën e turizmit kulturor. Nëse mendon se mund të shkosh nga të duash, duhet të ndalosh edhe njëherë për të kuptuar se tashmë gjendesh në stendën shqiptare. E vendosur në hyrje, e madhe, me flamurin shqiptar në qendër dhe ekranet e mëdha që shfaqin pamje të pikave turistike, Shqipëria është vendi partner i këtij panairi.

Mirjana, vajza nga Puka, të jep buzëqeshjen e parë. "Jemi në hyrje se na ka hije mikpritja", më thotë duke qeshur. Mirjana shfaq hapur habinë dhe gëzimin për interesin e treguar nga vizitorët "ndjehem aq mirë kur ju bashkohen valleve tona popullore apo pyesin për produktet shqiptare. Ka plot vizitorë qe rikthehen sërish për të marë broshura të tjera".  E rrotull nuk është e vështirë të dëshmosh që është përplot me vizitorë.

Rreth panairit plot surpriza

I largohem stendës shqiptare për të parë se çfarë ofrojnë vendet e tjera. Teksa lëviz nëpër korridoret e formuara mes stendave, dëgjoj turli  gjuhësh që bëhen njësh në përshendetjen "Hallo". Pas buzëqeshjes mikpritëse dhe gatishmërisë për të të informuar në detaj, sillet në ajër konkurenca e heshtur për vëmendje.

Në stenden e Irlandës është improvizuar një Irish Pub me muzikë live, që ka mbledhur rreth e qark dashamirës të birrës. Aty takoj Ekianin nga Gjermania, teksa ndan një gotë me miqtë.  Pasi merr vesh që vij nga Shqipëria thotë që e njeh përmes miqve si vendi i maleve të larta dhe çmimeve të ulta. "Unë jam koleksionist monedhash dhe leku shqiptar më duket shumë interesant, i kam në koleksion të gjitha."

Shtutgart, you did it!

Pak më tutje stenda indiane gjallon nga ritmi i muzikës dhe lëvizjet e valltarëve profesionistë. Ndërsa stenda e Katalunjës apo e Rumanisë kanë zgjedhur lorjat me dhurata për të ndjellë pranë tyre sa më shumë vizitorë. "Është emocion kur pyesin dhe duan ta njohin vendin tënd", më thotë Eva nga Bullgaria. "Kjo është një nga eksperiencat më të bukura ku shkëmbimi i vlerave turistike dhe kulturore mes vendeve të nxit dëshirën ta njohësh e ta duash tjetrin."

Deutschland CMT Messe in Stuttgart
Fotografi: DW/P. Pani
Deutschland CMT Messe in Stuttgart
Fotografi: DW/P. Pani
Deutschland CMT Messe in Stuttgart
Fotografi: DW/P. Pani

Eva ka të drejtë.  Për ta dashur tjetrin duhet ta njohësh, e për ta njohur duhet bashkëpunim.  Ndaj, Shtutgart, you did it!

Rashela Shehu korrespondente nga Tirana