1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtyhen diskutimet për ligjin e ri për emigrimin në Gjermani

Bernd Gresler12 Shkurt 2004
https://p.dw.com/p/Ar7g

Bisedimet e planifikuara për këtë fundjavë në lidhje me ligjin aq të diskutuar për emigrimin në Gjermani u shtynë për dy javë. Qeveria dhe opozita ranë dakord që t'i shtyjnë bisedimet, ndërkohë që organizata joqeveritare "Pro Azilit" i dorëzoi një peticion të nënshkruar prej 40.000 vetësh, që kërkojnë që ata që jetojnë prej një kohë të gjatë në Gjermani, të kenë edhe të drejtë të qëndrojnë dhe të jetojnë këtu. Kjo fushatë përkrahet edhe nga disa politikanë të njohur si ish-ministrat e dikurshëm nga radhët e partisë demokristiane Norbert Blym dhe Hainer Graisler, nga artistë dhe shkrimtarë e regjisorë si Gynter Grass, Wim Wenders, grupi Die toten Hosen etj.

Pra edhe gjatë muajit shkurt nuk do të arrihet në ndonjë përfundim në lidhje me ligjin për emigrimin në Gjermani. Nisur prej zgjedhjeve që do të zhvillohen më 29 shkurt në Hamburg, partitë e pozitës dhe të opozitës ranë dakord t'i shtyjnë bisedimet për këtë çështje në muajin mars. Eksperti i partisë social-demokrate për politikën e brëndshme Dieter Wifelsputc tha, se në mars bisedimet mund të jenë më të qeta. Nga ana tjetër ai e hodhi poshtë si të pamoralshme ofertën e bërë nga partia kristiandemokrate, që ligji për emigracionin të diskutohet vetëm mes këtyre dy partive, duke lënë jashtë loje partinë ekologjike, partnere koalicioni e socialdemokratëve.

Rregullat që kërkon partia ekologjike për emigrimin apo për refugjatët janë shumë më bujare nga ato që mendojnë partia social-demokrate, apo demokristiane. Ekologjistët mendojnë se në rast të kundërt një ligj i tillë nuk do të kishte kuptim. Shoqata "Pro Azilit" e mbështet idenë e ekologjistëve. Kjo shoqatë i dorëzoi parlamentit një peticion, ku kërkon sanksionimin me ligj të së drejtës së qëndrimit në Gjermani për të huajt që kanë kohë që jetojnë këtu me leje të përkohshme qëndrimi "Duldung". Në Gjermani ka rreth 150 mijë të huaj që kanë që prej 5 vjetësh leje të tilla qëndrimi, gjë që do të thotë se ata mund të dëbohen nga Gjermania në çdo çast. Një ndër nismëtarët e këtij peticioni është ish-ministri Kristian Shvarc-Shilling. Ai thotë: "Ç'kuptim ka debati për integrimin më të mirë të të huajve, kur ata që janë tërësisht të integruar dhe shkojnë nëpër shkolla bashkë me shokët e tyre, papritur marrin prej policisë urdhërin për t'u larguar nga Gjermania. Ky është një debëm i dytë që u bëhet atyre. Ku mund të gjejmë të huaj që të integrohen më mirë, se sa refugjatët nga Ballkani p.sh. që u bënë kaq vjet që jetojnë në Gjermani dhe kanë edhe vende pune." Sipas mendimit të Shvarc-Shiling ideja se papunësia në Gjermani do të shtohet më tej me ardhjen e të huajve nuk qëndron, sepse shkaqet e papunësisë qëndrojnë diku tjetër.