1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së enjtes: lirimi i pengjeve gjermane në Irak

4 Maj 2006

Vëmendja kryesore e analistëve të shtypit gjerman sot përqëndrohet tek lirimi i pengjeve gjermane në Irak.

https://p.dw.com/p/Arq7
Rene Bräunlich dhe Thomas Nitzschke mbërritën në Berlin
Rene Bräunlich dhe Thomas Nitzschke mbërritën në BerlinFotografi: AP

Kështu lexojmë ndër të tjera në MITTELBAYERISCHE ZEITUNG:

"Makina diplomatike ka funksionuar pa zhurmë, në mënyrë të padukshme, me durim, me eficiencë të lartë. Që nga ministri i jashtëm deri tek bashkëpunëtori më i fundit i shtabit të krizës në Berlin- të gjithë shmangën cdo lloj paqetësie, e cila do t'i kishte vënë pikëpyetje një përfundimi të mirë të cështjes. Frank Valter Steinmeier, bëri të ditur dje se nuk do të shkojë as në Lajpcig, për të marrë pjesë në shërbesën fetare të falenderimit. Politika bëri punën e saj, dhe e bëri mirë, tani ka punë të tjera për të bërë. Sikur të ishte gjithmonë kaq e tërhequr në vete."

Ja edhe HAMBURGER ABENDBLATT:

"Që kur prej rrëmbimeve politike të terroristëve islamikë është shkëputur si të thuash një degë komerciale e industrisë së rrëmbimeve, secilin e kërcënon i njëjti fat, si dy inxhinjerëve të Lajpcigut. Ai që nuk e merr parasysh për këtë rrezik, sepse e tërheqin fitimet e majme në rindërtimin e vendit të shkatërruar, ai vepron në mënyrë të pandërgjegjshme. Ai fut në telashe jo vetëm veten, por gjithë qeverinë gjermane."


SÄCHSISCHE ZEITUNG vëren:

"Zyrtarisht qeveria gjermane nuk do ta pranojë kurrë. Por në thelb nuk mund të ketë asnjë dyshim: për lirimin e dy lajpcigasve të rrëmbyer në Irak me siguri të madhe kanë rrjedhur para. Kjo është punë me zarar, sepse me këtë qeveria gjermane e ka vendosur veten mbi një degë të hollë: çdo kapar i paguar për lirim e mbështet industrinë e pengjeve në Irak dhe u jep zemër rrëmbyesve kriminelë për ta vazhduar zanatin e tyre jo të denjë për njerëzit, madje edhe ta zgjerojnë numrin e atyre që marrin pjesë në këtë zanat."

TAGESSPIEGEL që botohet në Berlin është e mendimit:

"Tani që Rene Brojnlih dhe Tomas Nicke u liruan dhe nuk ke nevojë të druhesh se mos të keqkuptojnë të afërmit e tyre, do të ishte mirë të mendohej, që në të ardhmen të mos paguhen para për lirimin e pengjeve. Ky është një debat delikat. Mendimi se të afërmit e tu bien në duart e rrëmbyesve dhe qeveria mbetet kokëfortë, është mizor. Megjithatë: Gjermania duhet të kalojë në çështjen e terrorizmit të rrëmbimeve në anën e atyre vendeve, të cilat parimisht nuk paguajnë si SHBA kur rrëmbehen qytetarët e tyre. Sinjali do të ishte i qartë: neve nuk mund të na bëni më shantazh. Ne nuk do ta nxisim edhe më tej luftën kundër nesh."

Ndërsa BADISCHES TAGBLATT që botohet në Baden- Baden shkruan:

"Eshtë e padiskutueshme, që në plan afatmesëm në Irak do të nevojiten të huajt për rindërtimin e vendit. Nëse kjo ndihmë do të mungojë, do të forcoheshin ato palë në Irak që duan ta shfrytëzojnë kaosin në Irak për qëllime politike, ideologjike ose edhe kriminele. Por e gjitha nuk ka asnjë kuptim, kur të huaj të mbrojtur keq në Irak merren peng dhe duhet të blihen me vështirësi. Ata nuk janë në gjendje ta ndihmojnë vendin dhe kapari i lirimit përfundon në xhepat e atyre kriminelëve, të cilët nuk kanë asnjë interes për ndërtimin e strukturave të rregullta."

TRIERISCHER VOLKSFREUND është i të njëjtit mendim si BADISCHES TAGBLATT:

"Krejt larg nga realiteti janë kërkesat që dëgjon tani në mënyrë të veçuar, që gjermanët duhet të qendrojnë në të ardhmen larg nga rajone të tilla krize dhe lufte. Një vend si Iraku, që ndodhet ende në rindërtim është i varur nga investimet dhe njohuritë e firmave të huaja. Ajo që duhet të garantojnë këto sipërmarrje megjithatë është mbrojtja e bashkëpunëtorëve të tyre në terren. Kjo duket se nuk është bërë në rastin e dy inxhinjerëve nga Lajpcigu. Çmimin për këtë tani e paguan takspaguesi gjerman."

Dhe së fundi FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG tërheq vëmendjen për vështirësitë e drejtimit në një koalicion të madh qeveritar në Gjermani.

"Kancelarja ka pak mjete presioni në dorë kundër partnerit, sepse ajo do dhe duhet të arrijë synimin e saj të madh: reformën e sistemit shëndetësor. Për këtë ia vlen, sipas mendimit të saj që të mos ia prishë qejfin Partisë Socialdemokrate Gjermane. Pa reformën, ajo nuk mund të dalë një ditë para zgjedhësve si kancelare e suksesshme. Prandaj ajo përqendrohet në vendosjen e menaxhuesve të problemeve të trashëguara në ato fusha ku edhe Partia Socialdemokrate pranon se ka nevojë për përmirësime: në reformën e tregut të punës Harc IV."