1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së hënës me gjendjen në Pakistan

AUD21 Shtator 2008
https://p.dw.com/p/FMPq
Fotografi: picture-alliance/dpa

Atentati i rëndë në Pakistan, që shkaktoi dyzina të vrarësh dhe mbi 260 të plagosur komentohet nga gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG:

"Meqenëse hoteli Marriot (ndaj të cilit u krye atentati) ndodhet në lagjen qeveritare të kryeqytetit të Pakistanit, të siguruar në mënyrë të veçantë, ky atentat i dërgon edhe qeverisë mesazhin se atentatorët mund të kishin goditur thuajse çdo objekt tjetër...Presidenti i ri i Pakistanit, Asif Ali Zardari u betua në një fjalim që mbajti natën se do ta asgjësojë "plagën kanceroze" të terrorizmit. Por vetëm fjalët e forta nuk bëjnë punë. Qeveria pakistaneze dhe ushtria duhet të veprojnë më në fund me vendosmëri kundër islamistëve radikalë, të cilët janë ushqyer për një kohë të gjatë për shkak të llogarive të gabuara strategjike dhe kujdesit të tepruar, në gjirin e shërbimit të fshehtë ISI. Për këtë nevojitet durim dhe shumë mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare."

Ja edhe mendimi i komentatorit të ABENDZEITUNG që del në Mynih:

"Bombat vrasin pa parë se kë, thuhet shpesh pas atentateve. Por atentati i Islamabadit ishte një çpim me objekt të përcaktuar, një sulm në luftën kundër terrorizmit. Atentatori arriti të bëjë plu e hi një vend, në të cilin ndiheshin të sigurtë këshilltarë ushtarakë dhe tregtarë armësh, gazetarë dhe diplomatë. Që kjo qetësi është e gënjeshtërt, dhe që ky vend i mbështetur nga Perëndimi mund të bjerë shpejt me arsenalin e tij atomik në duar të islamistëve radikalë, ky është mesazhi mizor i vrasësve të Islamabadit."