1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së hënës për zgjedhjet në SHBA

AUD3 Nëntor 2008
https://p.dw.com/p/FmHK
Fotografi: picture-alliance/dpa

Nga shtypi gjerman i së hënës kemi shkëputur vlerësime për situatën në SHBA para zgjedhjeve presidenciale:

"Gara për Shtëpinë e Bardhë shoqërohet me emocione dhe tensione si kurrë më parë, " konstaton gazeta që botohet në Këln, EXPRESS. "Por kjo tendencë sikur nuk duket deri në fund e besueshme. A do të zgjedhin amerikanët me të vërtetë, për herë të parë në historinë e tyre një zezak si president? Ky duket një hap gjigant për një vend, në të cilin minoritetet i kanë vërtet në letër të njëjtat të drejta, por që në praktikë në shumë drejtime janë të përjashtuara. Eshtë e qartë: bota do ta përshëndeste, sikur amerikanët t'ia jepnin besimin këtij kandidati karizmatik. Obama përfaqëson si askush tjetër shpresën tonë për një të ardhme më të mirë për planetin tonë, me më pak luftë, më shumë drejtësi sociale dhe më shumë angazhim për ambjentin."

Ja edhe mendimi i OSTTHÜRINGER ZEITUNG që botohet në Gera:

" Merita më e madhe e Obamas është që frymëzoi, zgjoi, motivoi dhe bëri për vete miliona vetë. Po të zgjidhet president, atëherë shkaku do të jetë ky: me mesazhin e ndryshimit, pajtimit dhe të fillimit të ri ai takoi nervin e kohës, dhe këtë mesazh ai e ka mbrojtur në njëfarë mënyre besueshëm. Edhe më e rëndësishme: ai u dha njerëzve ndjenjën, se janë vetë pjesë e këtij ndryshimi. Shumë kohë përpara se të mblidhte donacione për fushatën elektorale, Obama pushtoi zemrat."