1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së mërkurës

AD27 Dhjetor 2006
https://p.dw.com/p/ArmN


Komentatorët e shtypit gjerman të së mërkurës ndalen ndër të tjera në grindjen për çmimin e gazit midis koncernit gjysmështetëror rus Gazprom dhe Bjellorusisë.

THÜRINGER ALLGEMEINE që botohet në Erfurt konstaton:

"BE ndjek me preokupim gjithnjë e më të madh monopolin e pushtetit në Lindje. Para së gjithash, Gazpromi sillet si në orët e para të lindjes së kapitalizmit. Jo vetëm qeveri pak të preferuara si në Ukrainë ose në Gjeorgji dridhen para gjigantit gjysmështetëror. Edhe despoti deri tani mjaft i preferuar i Putinit, Lukashenko tani duhet të përkulet. Shantazhi artikulohet shumë hapur: ose Bjellorusia pranon ndërhyrjen në gjysmën e aksioneve në tubacionin e saj të furnizimit me naftë dhe gaz, ose që prej 1 janarit, Gazpromi kërkon katërfishin e çmimit të naftës dhe gazit. Për mosmarrëveshjen që pritet, gjiganti rus i gazit po i mbush cisternat e tij në Evropë, për të mos bërë që në perëndim të lind sërish frika si në rastin e Ukrainës se po mbyllen edhe rubinetat e furnizimit të perëndimit."

VOLKSSTIMME që del Magdeburg vëren vazhdimin konsekuent të politikave energjitike nga Gazpromi:

"Bjellorusia konsiderohet kandidati i parë për ribashkimin me Rusinë në një mini-union në hapësirën postsovjetike. Madje edhe për një monedhë të përbashkët është bërë fjalë. Po kaq kollaj punët me sa duket nuk do të ecin. Përtej shprehjeve të mirësjelljes, që presidenti i Rusisë Putin dhe homologu i tij autokrat Lukashenko këmbyen edhe javën e kaluar, përparësi ka demonstrimi i pushtetit rus të lëndëve të para."

E të njëjtit mendim me VOLKSSTIMME është edhe OSTTHÜRINGER ZEITUNG që del në Gera:

"Rusinë e kanë akuzuar herë pas here se me dorën e fortë të furnizimeve me energji ndjek edhe synime politike për të fituar mbështetje në ish-republikat sovjetike. Kjo u pohua në rastin e Ukrainës ashtu edhe në rastin e Gjeorgjisë. Kjo tezë tani po lëkundet. Sepse Bjellorusia e drejtuar me dorë diktatoriale është gjithçka tjetër, por jo properëndimore ose antiruse. Gazpromi dhe Rusia me sa duket janë të interesuar në radhë të parë për interesa të kulluara komerciale. Meqenëse Evropa perëndimore dhe veçanërisht Gjermania furnizohen nga Gazpromi, ne nuk mund të jemi indiferentë për mënyrën si vepron gjiganti energjitik rus me klientët e tij.

MÄRKISCHE ODERZEITUNG që del në Frankfurt an der Oder kujton rëndësinë e mosndërprerjes së furnizimit me gaz për Gjermaninë:

"Për Gjermaninë dhe vende të tjera perëndimore sërish në rend të ditës zhvendoset furnizimi i qendrueshëm me energji elektrike. Le të kujtojmë se dimrin e kaluar furnizimi me gaz tek ne u pakësua, kur u kufizuan furnizimet për Ukrainën. Por meqenëse përmes Bjellorusisë kalojnë tubacione shumë më të rëndësishme furnizimi, loja e pushtetit e Kremlinit për ne këtë herë mund të bëhet më e ndieshme."

Ndërsa gazeta 20 CENT që del në Kotbus dhe Zaarbryken konstaton se Rusia po merr masa që perëndimi të mos kërcënohet nga ndërprerja e furnizimit me gaz:

"Këtej cisternat e gazit po mbushen me gaz të Gazpromit, në mënyrë që edhe në rastin e ndërprerjes së furnizimit përmes Bjellorusisë të mos ndërpritet gazi në Bashkimin Evropian...Bëhet e qartë megjithatë se sa në mënyrë të pamëshirshme zhvillohet lufta për gazin. Po të bëheshin kërkime kaq intensive edhe për alternativa të furnizimit me gaz, naftë dhe qymyr, Gjermania nuk do të ndihmonte për të ushtruar shantazh."

Ja së fundi edhe mendimi i FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND, e cila e hedh vështrimin në aspektin politik të mosmarrëveshjes mes Rusisë dhe Bjellorusisë:

"Ndryshe nga mosmarrëveshja midis Moskës dhe Kievit, e cila u vëzhgua vitin e kaluar në të gjithë Evropën, sot duket se konflikti për gazin i intereson pakkujt: nuk dëgjon komente të shqetësuara politikanësh, nuk dëgjon paralajmërime për t'u ruajtur nga dëshira ruse për ekspansion. Shkaku për heshtjen e madhe është i qartë. Ndryshe nga Ukraina, e cila deri para fundit të vitit drejtohej ende nga revolucioni i portokalltë, Bjellorusia është një diktaturë. Megjithatë, mënyra se si i zbaton Rusia edhe në rastin e Bjellorusisë interesat e saj, nuk mund të tolerohet. Politika alla- Gazprom duhet të shkaktojë gjithmonë rezistencë në perëndim. Përndryshe, historia tjetër për rritjen e çmimit të gazit për një vit mund të luhet në një vend tjetër, këtë herë në një vend anëtar të Bashkimit Evropian."