1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së premtes: vrasjet në emër të nderit tek myslimanët në Gjermani

Auron Dodi14 Prill 2006

Vrasja nga i vëllai e një vajze myslimane në Gjermani, për të venë nderin në vend , ngjarje për të cilën dje në Berlin u shqiptua dënimi, ka tërhequr vëmendjen e komentatorëve të disa gazetave gjermane të së premtes.

https://p.dw.com/p/ArqR
Myslimanë në Berlin duke u lutur në Merkez Camii
Myslimanë në Berlin duke u lutur në Merkez CamiiFotografi: AP

Në gazetën HESSISCHE ALLGEMEINE që botohet në Kassel ndër të tjera lexojmë:

"Këshilli Qëndror i myslimanëve gjermanë tërheq vëmendjen se të ashtuquajturat vdekje për të vënë nderin në vend nuk kanë të bëjnë fare me fenë islame. Por, e vërtetë është edhe se në fenë islame kanë rëndësi bashkësia e besimit, klani, familja dhe të gjitha, por pak rëndësi ka individi - para së gjithash kur ai është grua. Vëllai i Hatunit e pa veten si ruajtës të vlerave morale, të ngurosura thellë në modelet e roleve patriarkale, dhe hapi zjarr me armë. Këtu duhet të fillojë puna jonë: me më shumë arsim në shkolla; me një kulturë që i bën temë këto gjëra, në vend që ta kthejë kokën mënjanë; në rast nevoje me dënime të ashpra. Hartun Sürücit iu desh të vdiste, sepse shoqëria e ka kthyer kokën mënjanë nga droja e konflikteve mes kulturave..."

Gazeta NÜRNBERGER NACHRICHTEN ndër të tjera shkruan:

"Në debatin e integrimit të këtyre ditëve bën pjesë edhe fakti i hidhur, se projekte që mund të nisen pa vështirësi, nisen me dekada me vonesë. Projekte si mësimi islamik-gjerman në Erlangen nuk duhet të mbeten për një kohë të gjatë vetëm model, në mënyrë që feja islame të mbërrijë në perëndim dhe të distancohet nga të gjitha fundamentalizmat, që e kthejnë në perversion besimin. Liria, të drejtat e njeriut, individualiteti dhe toleranca (jo indiferentizmi) janë vlera qendrore, të cilat përmes krishtërimit, vetëm pas përpjekjeve prej shumë shekujsh dhe pjesërisht me presion shtetëror u arritën në kuadër të iluminizmit. Perëndimi nuk mundet dhe nuk lejohet të mbetet pas këtyre vlerave. Ai duhet t'i mbrojë ato, në mënyrë që krime si vrasja në emër të nderit të shihet nga të gjithë ata që jetojnë në Gjermani si ajo që është me të vërtetë: si ekses barbar i një bote arkaike të vlerave false."

Ja edhe mendimi i WESTFÄLISCHE NACHRICHTEN që del në Mynster:

"Një rast i veçuar? Për ta bërë të qartë: vrasjet në emër të nderit nuk kanë të bëjnë thuajse fare me përditshmërinë e shumicës dërrmuese të emigrantëve. Ato janë një fenomen anësor. Por e vërtetë është edhe që për një kohë të gjatë martesat e detyruara dhe vrasjet në emër të nderit janë shpallur tema tabu. Kjo në një kohë kur është e njohur që qindra gra kanë përfunduar në shtëpitë e grave si viktima të familjeve, të cilave i mbyllen botës moderne dhe që duan të bëjë të triumfojë një botë patriariarkale, në të cilën gratë nuk luajnë asnjë rol. Ai që do të jetojë në Gjermani duhet të njohë dhe të pranojë ligjet dhe vlerat tona. Prandaj është e drejtë që kërkohet përmirësimi i ligjit të emigracionit. Për këtë nuk mjafton kërkesa për një moshë më të lartë kur lejohet afrimi i bashkëshortëve. Martesat e detyruara nuk duhet të konsiderohen si punë private."

Ndërsa NÜRNBERGER ZEITUNG përqëndrohet në procesin gjyqësor:

"Prokuroria nuk arriti të konfirmojë bashkëfajësinë e vëllezërve. Të vetëshpallurit ruajtës të zakoneve pa ndjenjë faji dalin të palagur nga kjo histori- çfarë sinjali ndaj të gjithë atyre që e mbështesin aktin e tyre. Edhe më e rëndësishme është që gjithnjë e më tepër të bëhet e qartë se shteti nuk e duron këtë mënyrë arkaike të të menduarit në kuadër të fisit së bashku me kodin e tij vrastar të nderit. Këtu nuk bëhet fjalë për dallime të parëndësishme kulturore. Bëhet fjalë për atë që konsiderohet e vetëkuptueshme në një shoqëri,së cilës i duhet të mbrojë vlerat dhe rregullat e saj. Bëhet fjalë edhe për të mbrojtur njerëz nga familjet e tyre."

Dhe së fundi NORDBAYERISCHER KURIER, e cila trajton temën e programit atomik iranian, pas deklaratës së presidentit Ahmadinexhad se vendi i tij ka arritur të pasurojë uraniumin:

"Shkollën e lartë të diplomacisë Mahmut Ahmadinexhadi e ka parë vetëm nga jashtë. Me provokime të pandërprera presidenti iranian acaron pjesën tjetër të botës. Por bota do t'ia vërë Iranit kufirin tek thana. Një goditje ushtarake e Amerikës nuk përjashtohet në asnjë mënyrë. Ahmadinexhadi duhet t'u paraqesë mbikqyrësve ndërkombëtarë të atomit argumente të forta. Përndryshe loja e tij me zjarrin do të kthehet në zjarr të përmasave të mëdha."