1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së premtes

10 Gusht 2006
https://p.dw.com/p/AroV

Afërsisht pesë vjet pas atentateve të 11 shtatorit 2001 në SHBA, hetuesit britanikë penguan sipas të dhënave të tyre një sulm të përmasave të mëdha ndaj transportit ajror transatlantik. Disa avionë synoheshin të rrëzoheshin me lëndë të lëngshme shpërthyese rrugës për në SHBA. Për komentatorin e WIESBADENER KURIER është e qartë:

"Edhe nëse ende ekzistojnë hamendje për nxitësit e planeve vdekjeprurëse, si për shembull për El Kaidën, alarmi për rrezik terrorist i Londrës dëshmon aftësinë e rrjeteve islamike për operacione tepër komplekse. Njëkohësisht del në pah edhe aftësia e përmirësuar në mënyrë të dukshme e autoriteteve për të rënë në gjurmë të përgatitjeve të tilla. Sepse atentatet nuk u penguan nga kontrolle të zakonshme ose rutinë, por përmes vëzhgimit afatgjatë sistematik, ndoshta edhe përmes infiltrimit të qarkut të dyshimtë. Punë e mirë e policisë, politikë jo dragoniane, janë përgjigjia që premton më shumë sukses në luftën kundër terroristëve."

OFFENBACH - POST shkruan:

"Përballë skenareve horror, të cilat deri pesë vjet më parë kanë qenë të papërfytyrueshme dhe për të cilat qarqet e sigurisë nuk kanë dëshirë të flasin, bota jonë e lirë, zakonet tona duhet të ndryshojnë edhe në mënyrë drastike. Diskutimi politik për këtë ka shpërthyer hapur që dje, edhe nëse disa në vendin tonë bëjnë sikur Gjermania të mos jetë nën rrezen e goditjes të terrorizmit ndërkombëtar."

Ndërsa në gazetën KÖLNER STADTANZEIGER lexojmë:

"Nëse tani te ne vritet sërish mendja për ligje të reja sigurie dhe masa vëzhgimi, nëse rezidenca qeveritare, aeroporte dhe vende të tjera publike shndërrohen në kështjella, që tani mund të thuash: siguria maksimale nuk mund të ekzistojë, për aq kohë sa fanatikët të ndihen të lumtur, të sakrifikojnë jetën e tyre për të goditur shoqërinë tonë, simbolet e së cilës si konsum ose liri lëvizjeje ata i urrejnë nga thellësia e zemrës."

BERLINER ZEITUNG shtron pyetjen për shkakun dhe pasojën:

"Reagimi nga Uashingtoni ishte i qartë. Planet terroriste janë dëshmia, se "ne jemi një vend që ndodhet në gjendje lufte", deklaroi ministri amerikan i drejtësisë. Presidenti i tij, Xhorxh Bush do të nxjerrë pas kësaj përfundimin se strategjia e tij ushtarake e pesë viteve të fundit ka qenë e drejtë dhe duhet të vazhdojë. Por ky është një përfundim fatal. Sepse, që kur SHBA, pas atentateve të 11 shtatorit 2001 nisën luftën kundër terrorizmit, bota nuk është bërë më e sigurtë, por disa herë më e pasigurtë...Eshtë dëshmi e një dobësie katastrofale analize të kësaj politike amerikane, e cila nuk del fare në luftë kundër konflikteve ideologjike ose politike me islamizmin radikal, por që e zhvillon luftën vetëm në kategori ushtarake dhe të personalizuara."

Ja edhe mendimi i komentatorit të NORDBAYERISCHER KURIER:

"Ndeshemi prapë me surratin e shëmtuar të terrorit, nga e cila nuk shpëton bota e copëzuar ideologjikisht. Ai që kërkon të ndeshet me efekt me këtë sfidë të vazhdueshme, ai duhet të jetë vigjilent. Shërbimi sekret britanik MI5 ishte vigjilent, me punën e tij të heshtur ai pengoi një katastrofë...Rreziku i ri i terrorizmit kërkon kontrolle më të rrepta, të cilat sjellin kufizime të reja të lirive personale. Shoqëritë demokratike ndeshen këtu parimisht me një problem, por ato nuk do të shpëtojnë dot pa e paguar këtë cmim për më shumë siguri."

Gazeta MANNHEIMER MORGEN mbron pikëpamjen:

"Terrori jeton aty pranë. Integrimi i disa llojeve emigrantësh me sa duket ka mbetur një dëshirë naive. Jeton me tjetrin derë më derë dhe je me të më i huaj se kurrë më parë. Ai që ecën me veshë hapur ndër anëtarët e bashkësive myslimane, kthehet me lajme shqetësuese në shtëpi. Ka prej tyre që u shprehin atentatorëve simpati të hapur. Fitorja kundër terrorizmit nuk mund të arrihet me një angazhim policie, por vetëm konkretisht në vend dhe së bashku me të gjitha grupet popullore, beson ministri i brendshëm britanik. Që prej së enjtes, ky synim duket se është zhvendosur sërish edhe pak më larg në të ardhmen."

Së fundi edhe një vështrim tek STUTTGARTER ZEITUNG:

" Ajo që nisi në mënyrë kaq kaotike dhe me panik pas atentateve ndaj World Trade Center, duket se tani funksionon në një mënyrë të baraspeshuar: ligjet e nevojshme dhe reformat mundësojnë suksese në përndjekjen e terroristëve, sistemi i paralajmërimit punon shpesh dhe me efektivitet. Të prekurit, sipërmarrjet dhe udhëtarët reagojnë në shumicën e rasteve me profesionalizëm dhe me mirëkuptim. Ai që të zemëron është ndonjë reagim nga ana e përfaqësuesve të institucioneve publike. Dëgjon të flitet për Luftën e Tretë Botërore, paralajmërime për masakra të përmasave të pallogaritshme dhe kërkesa për ashpërsime të ligjeve. Shpërthimi i panikut con ujë në mullirin e terroristëve."