1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i të shtunës, 22.07.06

21 Korrik 2006

Presidenti i Iranit Ahmadinexhad në një letër drejtuar kancelares Angela Merkel nuk e ka përmendur programin atomar të Izraelit, por ka ripërsëritur qendrimin e tij antisemit. Artikujt kryesorë të shtypit të së shtunës komentojnë edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

https://p.dw.com/p/Arop

Lidhur me letrën e presidentit iranian drejtuar kancelares gjermane, gazeta "Stuttgarter Zeitung" vëren:

"Presidentit iranian Ahmadinexhad me sa duket kanë filluar t'i pëlqejnë letrat. Ato janë të gjata, shpjegojnë fenë islame, citojnë kuranin dhe pasqyrojnë fjalimet e presidentit. Sa për fraza që nxisin urrejtjen kundër Izraelit, Ahmadinexhadi nuk le askënd që t'ia kalojë. Ai e mohon publikisht Holokaustin dhe të drejtën e Izraelit për ekzistencë. Politika gjermane nuk duhet të irritohet nga këto fraza kaotike. Prandaj edhe Angela Merkel ka të drejtë që nuk do t'i kthejë përgjigje letrës."

Gazeta nga Mainci "ALLGEMEINE ZEITUNG" analizon:

"Letra nga Teherani është vetëm një përpjekje për të hyrë përsëri në bisedë. Nuk mund të pritej asgjë tjetër, sepse Republika Islamike e Iranit bën një politikë të ngjashme me atë komunikste të Koresë së Veriut: Në fillim kërcënon, pastaj pret reagimet, më vonë ofron negociata me zvarritje, si përfundim kërcënon dhe përzgjat. Duket hapur që presidenti iranian beson, se me aksione të tilla mund të përhapë më mirë idetë e tij absurde dhe se madje mund të fitojë edhe konfirmim për to. Të gjithë politikanët bëjnë mirë që nuk reagojnë ndaj këtyre provokimeve, por formulojnë qartë kërkesat e tyre për shembull ndaj programit atomar."

Në gazetën nga Frankfurt mbi Oder MÄRKISCHE ODERZEITUNG shkruhet:

"Kush ka shpresuar se presidenti i Iranit Ahmadinexhad më në fund do të thoshte diçka për propozimet e bëra nga pesë antarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermanisë lidhur me çështjen nukleare, duhet të jetë jashtëzakonisht i çuditur. Ai që e mohon Holokaustin dhe hedh poshtë të drejtën e ekzistencës së Izraelit nuk e ka përmendur as edhe me një fjalë të vetme çështjen atomare, por do që ta përfshijë edhe Gjermaninë në politikën e tij ndaj Lindjes së Mesme. Kjo mund të hiqej nga lista si një akt i paskrupull, në qoftë se mbas saj nuk do të fshihej kalkulimi."

Komenti i gazetës nga Hajdelbergu RHEIN-NECKAR-ZEITUNG është si më poshtë:

"Vullneti i Zotit do të triumfojë mbi gjithçka, me këto fjalë përfundonte letra e parë e presidentit të Iranit, Ahmadinexhadit, drejtaur Xhorxh Bushit në muajin maj. Luftëtari i Zotit në Teheran me retorikën luftarake të një Jozef Gëbelsi ndërkohë është karikuar dhe llafallogjinë e propoagandës së tij fanatike për një antisemitizëm primitiv po e derdh tani edhe mbi Zyrën Kancelare në Berlin. E çfarë ka këtu për t'u përgjigjur? Kancelarja Merkel po bën shumë mirë, që po rrëzon poshtë këtë produkt të helmuar, që po na fton ne, pikërisht ne, të mohojmë Holokaustin. E megjithatë ai nuk duhet hequr nga mendja. Sepse idhtari e mendon, atë që thotë. Vizioni i politikës së tij është asgjësimi i Izraelit nga harta e Lindjes së Mesme."

Ndërrojmë temë. Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme gazeta KÖLNER STADT-ANZEIGER shkruan:

"Paralajmërimi i ministrit të jashtëm, Frank Valter Shtajnmajer, se në ditët e ardhshme do të bëjë një vizitë në Egjipt, Izrael dhe zonat palestineze, ngjall shpresa: Rruga për heshtjen e armëve mund të sheshohej. Kjo ka të bëjë me faktin që Gjermania ka kontakte të mira dhe gëzon besim si në botën arabe ashtu edhe në Izrael. Por nuk duhet të gënjehemi: Me kutinë e veglave nga Gjermania nuk mund të lëvizet shumë në Lindjen e Mesme."

E përditshmja nga Mynihu SÜDDEUTSCHE ZEITUNG vëren:

"Izraeli ka patur shpesh konflikte me të drejtën ndërkombëtare. Vendi i vogël e ka justifikuar këtë vazhdimisht me rrethanat e veçanta në Lindjen e Mesme: Në mes të armiqve të paskrupullt që vazhdimisht tentojnë të asgjësojnë Izraelin, ndaj sulmeve armiqësore i është dashur të mbrohej në mënyrë parandaluese ose të përgjigjet me hakmarrje të fortë. Në Liban ushtria izraelite qendron përballë sfidave të njohura për një luftë asimetrike: Ushtria kundër milicisë. Vetëmbrojtja sigurisht që përfshin edhe të drejtën për "të asgjësuar një tumor të rrezikshëm", siç e quan Izraeli. Por kur gjatë këtij operacioni hiqen më shumë qelizat e mira se ato të sëmura, atëherë kemi të bëjmë me "përdorim të tepruar të dhunës," siç thotë dhe sekretari i OKB-së, Kofi Anan.

Në MANNHEIMER MORGEN mund të lexojmë:

"Spiralja e dhunës në Lindjen e Mesme do të vazhdojë të rrotullohet. Qindra mijëra shiitë në Liban kanë marrë arratinë, nuk kanë asnjë mbrojtje nga sulmet. Urrejtja ndaj Israelit do të ngulitet thellë, edhe tek ata, që deri tani nuk kanë qenë idhtarë të milicisë terroriste. Hisbollahut mund t'i priten kokat, por ashtu si në rastin e kuçedrës, do të dalin të tjera. Se si do të përfundojë ofensiva izraelite, nuk dihet. E sigurtë është që edhe mbasi të ketë ardhur paqja, në Libanin e Jugut nuk do të ketë qetësi të përhershme. Në Lindjen e Mesme nuk mund të ketë fitimtarë."

Dhe së fundi dhe një vështrim në gazetën berlineze DER TAGESSPIEGEL:

"Evropianë, dhe sidomos gjermanët, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të përpiqen të ndërmjetësojnë. Tani. Është e domosdoshme. Të flasin me të gjithë, t'i zbusin, t'i joshin me ndihma. Sepse të gjitha gjërat janë të lidhura me njëra tjetrën: trazirat në Irak dhe Palestinë e Liban, shiitët në të gjitha vendet, por edhe ata në Iran, i cili qendron pas Hisbollahut. Bomba sa andej këndej i hapin rrugën kaosit. Ndoshta bien të tërë dakord të paktën për një gjë: Paqja është e drejtë e popujve."