1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për ndalimin e rënies koniukturore në Gjermani

14 Gusht 2009
https://p.dw.com/p/J9Uo
Shtypi gjerman komenton ndalimin e rënies koniukturore në Gjermani. Ne foto: faqe te para te disa gazetave gjermane
Shtypi gjerman komenton ndalimin e rënies koniukturore në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa

Një nga temat që zë vend të gjerë në shtypin e sotëm gjerman është raporti i Zyrës Federale të Statistikave. Ekonomia gjermane në tremujorin e dytë është rritur përsëri me 0,3%, në krahasim me një tremujor më parë dhe në këtë mënyrë është ndërprerë thuajse krejtësisht rënia koniunkturore. Konsumi i qëndrueshëm privat dhe investimet në ndërtim i kanë dhënë impulse ekonomisë. Duke shfaqur gëzimin për këto lajme gazetat gjermane shprehen me nota të kujdesshme:

Gazeta "Pforzheimer Zeitung" shkruan:

"Më në fund lajme të mira. Ekonomia gjermane duket se e kapërcyer recesionin më të rëndë në historinë e saj të pasluftës. Recesioni duket se është ndalur. Por kujdes, shifrat e paraqitura nuk janë shkak për të brohoritur. Duhet të presim se sa shpejt do të ndikojë gjendja ekonomike e përmirësuar në tregun e punës. Numri i të papunëve vazhdon të jetë relativisht i vogël, për shkak të ndihmave financiare për punë me orar të reduktuar. Por në fund të vitit këto ndihma financiare nga shteti përfundojnë. Dhe gjendja e porosive do të vendosë nëse sipërmarrrjet do të jenë në gjendje të vazhdojnë të punësojnë personelin që kanë, apo u duhet të pushojnë njerëz nga puna. Në rast se do të ndodhë kjo e fundit, shteti dhe shoqëria do të viheshin përballë porblemesh të reja."

Gazeta "Westdeutsche Zeitung" (Düseldorf) nuk është shumë optimiste:

"Pasojat e katastrofës do të na shoqërojnë edhe për shumë kohë. Gjatë vjeshtës ka mundësi që ata që punojnë tani me orar të reduktuar të humbasin vendet e punës. Në këtë mënyrë do të shtohet numri i të papunëve dhe do të bierë edhe fuqia blerëse e privatëve, e cila deri tani ishte e qëndrueshme. Kësaj i shtohet regjimi jashtëzakonisht restriktiv i dhënies së kredive prej bankave, e cila ua ngushton shumë firmave rrezen e veprimit për të financuar investimet e domosdoshme. Por sfidat më të madha presin politikën. Aq e rëndësishme sa ishte që krizës t'i kundërviheshe me masa të bazuara në marrjen e kredive, aq e detyrueshme bëhet tani pagimi i borxheve. Premtimet se në një periudhë afatmesme mund të ketë lehtësime fiskale nuk kanë kuptim. Edhe më e pakuptueshme është, që bota e financave vazhdon deri sot të veprojë në një mënyrë të tillë, sikur nuk ka ndodhur gjë. Prej deklaratave të bëra me plot gojë për një rregullim mbarëbotëror të financave as që mund të bëhet fjalë. Në vend të kësaj, institutet financiare fitojnë në rolin e ndërmjetësuesit aq mirë, sa shteteve u duhet të marrin borxh në tregun e kapitalit gjithnjë e më tepër miliarda të reja. Shkaktarët e krizës, kthehen kështu në përfitues të saj."

Autor: Pandeli Pani/DPA /BDT

Redaktoi: Auron Dodi