1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për fatin e koncernit automobilistik Opel

5 Nëntor 2009
https://p.dw.com/p/KOuM
Shtypi gjerman për Opelin
Shtypi gjerman për OpelinFotografi: picture-alliance/dpa

Koncerni amerikan i automjeteve, General Motors ka vendosur që megjithatë të mos e shesë sipërmarrjen e tij Opel në Gjermani. Kjo është sot temë qendrore në gazetat gjermane.

Fillimisht në 'Frankfurter Allgemiene Zeitung' lidhur me këtë lexojmë:

"Reagimi i hidhur i kancelares gjermane Angela Merkel ndaj lajmit të dhënë në Detroid se General Motors nuk do t'ia shesww Opelin sipërmarrjes austriako-kanadeze Magna dhe bankës ruse Sberbank është i kuptueshëm. Ende pa u larguar nga Uashingtoni, ku u fol aq shumë për marrëdhëniet gjermano-amerikane, ajo dëgjon lajmin që e ktheu sërish në realitet... Pavarësisht se si do të vazhdojë historia e Opel-it, aktualisht mund të konstatohet se federata dhe qeveritë e landeve kanë dështuar me aksionin për shpëtimin e Opel-it, po edhe për shkak se procedurat nuk ishin vetëm në duart e tyre. Për më tepër: ata janë bërë me turp", shkruan 'Frankfurter Allgemeine Zeitung'.

Ndërkaq nga 'Süddeutsche Zeitung', e cila botohet në Mynih po për këtë temë shkëpusim:

"Kancelarja Merkel ka thënë një fjali shumë të qëlluar para disa javësh: Asnjë bankë e botës nuk duhet të jetë aq e fuqishme sa t'i bëjë presion një qeverie. Kjo fjali mund të përdoret edhe për industrinë e automjeteve: asnjë prodhues i automjeteve nuk duhet të jetë aq i madh sa t'i bëjë presion një qeverie. Në të vërtetë General Motors-i dhe po ashtu Opel-i janë mjaft të fuqishëm sa të fitojnë me mund çdo ndihmë të përfytyrueshme të federatës dhe landeve gjermane. Kjo për faktin se tek Opel-i bëhet fjalë për 25 000 vende pune dhe supozohet edhe një herë kaq shumë vende të punës tek furnizuesit", thekson në numrin e saj të sotëm 'Süddeutsche Zeitung'.

Dhe së fundi në 'Leipziger Volkszeitung' lexojmë:

"Nga këndvështrimi gjerman vetëm mund të tundësh kokën me mosbesim. Gati mbi gjysëm viti krerët e qeverisë dhe opozitës negociuan për paketën shpëtimtare për Opel-in, ranë dakord pothaujse njëzëri për një kredi kalimtare, dhanë garancitë e nevojshme bankare dhe ndërmjetësuan në kërkimin e investuesve të mundshëm. Dhe tani kur kontrata me Magnën austriako-kanadeze dhe bankën ruse Sberbank ndodhet e gatshme për nënshkrim në Detroid, Këshilli Administrativ i koncernit del me pretekste bajate. Për politikën gjermane dhe para së gjithash për koalicionin e madh kjo është një dackë e rëndë, pa përmendur këtu punëtorët dhe tregtarët, të cilët për shpëtimin e vendeve të tyre të punës u desh të sakrifikojnë shumë", nënvizon 'Leipziger Volkszeitung'.

Autor: dpa/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi