1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për gjendjen në Sri Lanka

18 Maj 2009
https://p.dw.com/p/HsVD
Faqe te para te disa gazetave kryesore gjermane
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pas një ofensive gati pesë mujore të trupave qeveritare në verilindje të Sri Lankës, ushtria mori gjatë fundjavës edhe segmentin e fundit bregdetar, që ndodhej ende nën kontrollin e kryengritësve tamilë. "Tigrat Çlirimtarë të Tamil Elamit" kanë mbi 25 vjet që luftojnë për një shtet të pakicës tamile në Sri Lankë, dhe gjatë këtij konflikti janë vrarë mbi 75.000 vetë, shumë syresh nga radhët e popullsisë civile. Kjo është edhe një nga temat e shtypit të sotëm gjerman:

Frankfurter Allgemeine Zeitung mendon:

Për kryengritësit, organizata ushtarake e të cilëve po i afrohet rreth 30 vjet pas themelimit fundit, nuk ka pse të derdhësh lot. Për çështjen e tyre ata i përdorën të gjitha mjetet që nga rekrutimi i të miturve si ushtarë e deri tek atentatorët vetëvrasës. Gjatë javëve të kaluara ata mbanin peng popullin e tyre. Kjo tregon gjithashtu se kjo organizatë konsiderohej me të drejtë në shumë shtete si organizatë terroriste. Po a e justifikojnë të gjitha këto ofensivën ushtarake të qeverisë, e cila në lidhje me pasojat e saj ndaj popullsisë civile mund të konsiderohet vetëm si barbare? Presidenti Raxhapakse, i cili për kohën pas luftës premtoi një zgjidhje politike për problemet e popullit tamil, ka marrë në këtë mënyrë një hipotekë të rëndë.

Münchener Merkur shkruan:

Presidenti i Sri Lankës Raxhapakse flet për fillimin e një ere të re. Kjo është e mundur, por deri tani nuk ka ndonjë shenjë koncepti, se si do të përfshihej në të pakica tamile e shtypur dhe e lënë pas dore. Në rast se Kolomboja do të vazhdojë me kursin e vet të ashpër kundër tamilëve, revolta e ardhshme nuk duhet të jetë larg. Armët që aktualisht po heshin janë gati dhe tamilët nuk kanë shumë ç'të humbasin.

Autor: dpa/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi