1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për vendimin e Iranit që të mos negociojë me Rusinë

ADD14 Shkurt 2006

Tema mbizotëruese e shtypit të sotëm gjerman është vendimi i Iranit për të mos biseduar, siç pritej me Rusinë, për konfliktin ndërkombëtar për programin atomik iranian.

https://p.dw.com/p/ArrO
Pajisje atomike iraniane në Isfahan
Pajisje atomike iraniane në IsfahanFotografi: AP

Fillimisht "FRANKFURTER RUNDSCHAU":

"Irani ka nisur sërish të pasurojë uran, duke e shkelur kështu vijën e kuqe. Kështu e shohin këtë punë të paktën SHBA dhe shumica e qeverive evropiane. Rrugën e negociatave për në Moskë në të ardhmen e afërt nuk do ta marrë asnjë politikan i Teheranit, kurse takimi i planifikuar për të enjten, është shtyrë për një kohë të pacaktuar. Ky është gjithashtu një hap përtej vijës së kuqe. Hapin tjetër presidenti Ahmadinexhad e ka para syve: daljen nga marrëveshja për ndalimin e armëve bërthamore."

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG shtron pyetjen:

"Kush përcakton në Iran se si do të ecë më tej puna me programin bërthamor iranian dhe negociatat ndërkombëtare? A ka një luftë "vijash" me presidentin Ahmadinexhad dhe mbështetësit e tij radikalë në një anë, në të paepurën, dhe me ish-presidentin Rafsanxhani si luftëtar të gatshëm për kompromisin e një zgjidhjeje diplomatike nga ana tjetër? Apo luhet këtu vetëm një lojë me role të ndara, për t'i mbajtur të angazhuar me kërcënime dhe oferta për bisedime partnerët e bisedimeve të Iranit, njëherë treshen e BE dhe njëherë Rusinë dhe Kinën? Për këto çështje mund të diskutohet gjatë; ndërkohë ato krijojnë në Iran fakte."

Ja edhe mendimi i komentatorit të gazetës HANDELSBLATT, e cila botohet në Dyseldorf:

"Bashkimi Evropian, SHBA dhe Rusia tani paraqiten me qëndrime mjaft të njësuara. Megjithatë është e paqartë se cilat sanksione do të ishin të gatshëm ata të ndërmarrin. Kjo mund të pohohet edhe më tepër për Kinën. As qeveria gjermane nuk e ka të qartë deri në fund, nëse opsionet ushtarake, si sjellje ultimative kërcënuese ndodhen mbi, pranë, apo nën tryezë. E vërteta e hidhur është se si në rastin e despotit të Serbisë Milosheviç dhe të diktatorit irakian Sadam nuk do të jetë e lehtë të zbatohet me detyrim respektimi i rregullave ndërkombëtare. Kjo aq më tepër, pasi Teherani nuk shkel në mënyrë formale të drejtën ndërkombëtare. Por ai që kërkon t'i ndalojë mullatë të ndërtojnë armë bërthamore për të kërcënuar me to edhe Izraelin, duhet të jetë i gatshëm për hapa politikë, ekonomikë dhe më në fund ushtarakë."

Gazeta e Berlinit, BERLINER MORGENPOST vëren:

"Mund të çuditesh se me çfarë sigurie në qëllimin e tij, presidenti i Iranit, Ahmadinexhad bën të gjitha përpjekjet për të plagosur edhe personin më të fundit me tendencë për kompromis. Deri sot, Rusia përpiqet ta nxisë Iranin që të ecë drejt një kompromisi të pranueshëm. Por udhëheqja iraniane nuk duket se ka dëshirë për kompromise të tilla. Me sa duket, presidenti Ahmadinexhad nuk e quan të nevojshme as të negociojë me Moskën për këtë. Nëse ai do t'i përmbahet kësaj kokëfortësie, presidentit Putin do t'i mbetej hatri. Ahamadinexhadi do ta shtynte atë pa nevojë në kampin e mbështetësve të sanksioneve. Me sa duket, presidenti i Iranit është fuqimisht i vendosur që ta izolojë plotësisht vendin e tij. Ai e detyron bashkësinë e shteteve që ta mbulojë me sanksione Iranin."

KÖLNER STADTANZEIGER që del në Këln, shqyrton strategjitë e veprimit me Iranin:

"Perëndimi mund ta pengojë një luftë në mënyrë paradoksale edhe duke mos e përjashtuar atë. Ai që kërkon të demonstrojë forcë, ai duhet të shqyrtojë mundësinë e veprave. Por ai që sjell në bisedë i nxituar temën e luftës, e vë veten para detyrimit për të vepruar, i jep zjarr makinës propagandistike të Teheranit dhe e çimenton lidhjen e pushtetmbajtësit iranian me popullin. Perëndimi nuk duhet të luajë me revolver në dorë. Por ai nuk duhet të lërë as përshtypjen, sikur nuk ka revolver."

Dhe së fundi, FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND, me nota më optimiste:

"Strategjia e ndjekur e fjalëve të qarta dhe e veprimit konsekuent mund të rezultojë me sukses, sepse shkakton një debat në Teheran dhe i vendos ithtarët e vijës së fortë në Teheran para detyrimit për të justifikuar veprimet e tyre. Tonet agresive të Ahmadinexhadit janë përkujdesur që bota më në fund të shfaqet e bashkuar. Që kursi i tij brutal do të hasë në rezistencë edhe në kampin e vet, kjo është një nga të paktat shpresa në këtë konflikt. Prandaj janë parakusht fjalët e qarta të perëndimit."