1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për zgjedhjet në Afganistan

17 Gusht 2009
https://p.dw.com/p/JCcu
Shtypi gjerman analizon situatën në prag të votimit në Afganistan. Ne foto: faqe te para te gazetave gjermane
Shtypi gjerman analizon situatën në prag të votimit në AfganistanFotografi: picture-alliance/dpa

Gjendja në Afganistan në prag të zgjedhjeve komentohet në shtypin gjerman të së hënës.

"Esslinger Zeitung":

"Zhytur thellë në një shoqëri të korruptuar, e cila vazhdon të karakterizohet prej kultivimit të drogës, rryshfetit dhe pushtetit të një sërë shefave të milicëve, luftëtarët në emër të Allahut gjejnë mbështetje në popull. Kjo mbështetje nuk do të ketë të bëjë me demokracinë, me sistemet perëndimore të së drejtës dhe as me një qeveri të Hamid Karsait të drejtuar nga SHBA-ja, që në sytë e popullit është qeveri kukull."

"General-Anzeiger":

"Në hirin e farsës së zgjedhjeve ndodhet shansi i vetëm i Afganistanit. Ndër gjithë këto karaktere me shumë fytyra, që popullojnë aktualisht skenën politike të Afganistanit, vetëm manipuluesi i zgjedhjeve Karsai është i aftë që në vitet e ardhshme të negociojë paqëtimin e pashmangshëm me pjesën më të rëndësishme të milicëve talibanë."

"Trierischer Volksfreund":

"Edhe sa do të vazhdojë Bundesveri (ushtria gjermane) ta bëjë veten qesharak në Hindukus, duke u hequr sikur në radhë të parë misioni i tij është civil? Në aspektin ushtarak, ushtarët gjermanë asnjëherë nuk kanë qenë kaq të pasuksseshëm. Ata sulmojnë terroristët dhe këta të fundit tërhiqen me zell për t'u rikthyer sapo largohet Bundesveri. Jashtë kryeqytetit Kabul qeveria qendrore vazhdon të jetë e pafuqishme, në ato provinca të veçanta, ku qeverisin lordët e luftës nuk kujdeset askush për drejtësi dhe ligj. Madje është në rritje numri i provincave, në të cilat talibanët pak a shumë të patrazuar mund të përhapin frikë dhe tmerr. E madje edhe në kryeqytet as që mund të bëhet fjalë për siguri, siç e tregoi edhe sulmi më i fundit."

Autor: dpa/ Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi