1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman rreth diskutimeve për kufijtë Serbi-Kosovë

29 Gusht 2018

Gazetat FAZ dhe NZZ analizojnë diskutimin për ndryshimin e kufijve mes Serbisë e Kosovës. Politikani Karl Bildt paralajmëron për rrezikun e idesë, analisti Andreas Ernst kujton kushte të nevojshme për zbatimin e saj.

https://p.dw.com/p/33yQE
Tageszeitungen Presse Presseschau
Fotografi: picture alliance/dpa/S.Hoppe

Dy gazeta në gjuhën gjermane i kushtojnë sot vëmendje diskutimit për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë: gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung dhe gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung.

Frankurfter Allgemeine Zeitung (FAZ) ka intervistuar një bashkëarkitekt të Marrëveshjes së Daytonit, Karl Bildt, i cili si zëvendëskryetar i ekipit negociator perëndimor, si kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Suedisë dhe si përfaqësues i OKB-së në Bosnjë është njëri nga njohësit më të mirë të Ballkanit. Gazetës FAZ ai i thotë se "po përjetojmë kthimin e idesë se qenka e lehtë dhe madje se mbështet stabilitetin po të krijohen në Ballkan shtetet monoetnike. Por ky është një iluzion, siç ka treguar e kaluara në rajon". Ai e kundërshton qartë ish-diplomatin austriak Wolfgang Petriç, këshilltar sot të një një studioje avokatie vjeneze, me kliente edhe qeverinë serbe, sipas të cilit bëhet fjalë vetëm për "korrigjime kozmetike", që prekin vetëm një numër të vogël fshatrash. "Me aq sa e kam kuptuar unë, bëhet fjalë që të këmbehen rajonet kosovare në veri të lumit Ibër me rajonin e Preshevës dhe të Bujanovcit në Serbinë Jugore. Kjo do të prekte disa dhjetëra mijëra njerëz", e kundërshton Petriçin Bildti.

"Kur Presheva mund të bëhet pjesë e Kosovës - pse jo edhe Tetova në Maqedoni? Kur mund të bëhet Mitrovica pjesë e Serbisë - pse jo edhe Banja Luka në Bosnjë"?

Bildt i përgjigjet më tej pyetjes së Frankurfter Allgemeine Zeitung se pse nuk ndodhi ky efekt domino edhe me pavarësimin e Kosovës më 2008, megjithëse edhe atëherë u bë i njëjti paralajmërim.  Ai thotë se pavarësia e Kosovës në fund të fundit u krye brenda kufijve të hequr ende nën Jugosllavi. "Edhe një entitet gjeografik i quajtur Kosovë ishte i përcaktuar qartë brenda Jugosllavisë". Tezën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që ne nuk duhet të mbetemi pengje të kufijve të hequr nën Jugosllavinë komuniste, Karl Bildt e kundërshton me këto fjalë: "A nuk jemi të gjithë ne në Evropë pengje të kufijve që u përcaktuan nga historia?"

Bildt thotë më tej se dyshon që SHBA janë sot të gatshme që të "mbajnë përgjegjësi për pasojat e politikës së tyre". Dhe vazhdon: "E pyes veten: kur dikush tani krijon fakte, që pranohen nga amerikanët - a do të jenë evropianët të fortë sa duhet për ta penguar këtë?"

Ai thotë se garancitë institucionale të kërkuara nga Komisari i Zgjerimit të BE, Johannes Hahn, për ta përjashtuar një zgjidhje të tillë për konflikte të tjera "nuk mund të pengojnë, që një politikë e tillë të shërbejë si frymëzim në pjesë të tjera të Ballkanit". Dhe në lidhje me një ide të ngjashme të Petriçit, që BE, OKB dhe OSBE ta përjashtojnë një zgjidhje si të Serbisë e të Kosovës për vende të tjera në rajon, Bild thotë se në rajon "luftërat nuk shpërthyen, sepse ka pasur mungesë deklaratash të tilla". 

Bildt sheh më tej pengesë për zbatimin e idesë së shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë edhe fragmentimin e fortë të sistemit politik në Kosovë. Ai e quan "pa gjasa" që heqja dorë nga Veriu i Kosovës "të mundet të miratohet nga Parlamenti i Prishtinës".

Ndërsa analisti Andreas Ernst shkruan në numrin e sotëm të gazetës "Neue Zürcher Zeitung" (NZZ) se aspektet politike dhe territoriale, propozimet për ndryshimin e kufirit, që janë prej korrikut në qendër të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë tërheqin vëmendje e sjellin diku shqetësime. Këto kërkesa, shkruan ai, për të prekurit nuk janë të reja. Ndërsa "...në Perëndim, ndryshimet e kufijve sipas kritereve etnike konsideroheshin si recetë për konflikte të reja - në fund të fundit luftërat jugosllave të shpërbërjes ndoqën këtë logjikë."

Në dallim nga Karl Bildt, që thotë se njohja ndërkombëtare e Kosovës ishte njohje në kufijtë e përcaktuar gjeografikisht për Kosovën në Jugosllavi, Ernst thotë se "e parë saktësisht, pavarësimi i Kosovës ishte gjithashtu një ndryshim kufijsh mbi bazë etnike", por ai u cilësua si zgjidhje "sui generis".

Analisti Ernst thotë se kancelarja Merkel pati thënë se "kufijtë ekzistues në Ballkan janë dhe mbeten "të paprekur". Në një bisedë me telefonike me Trumpin ajo e përforcoi këtë pozicion", shkruan autori në gazetën Neue Zürcher Zeitung.

Ai pranon se edhe me vullnet të mirë nuk është e lehtë të arrihet një marrëveshje. "Një kompromis i mundshëm është këmbimi i territoreve të banuara nga serbët në Veri të Kosovës me komunat në Serbinë Jugore, që banohen në shumicë nga shqiptarët. Por përmes tyre kalon korridori i transportit 10 (Vjenë-Athinë) me rëndësi strategjike për Serbinë. Anasjelltas, në veri të Kosovës ndodhet miniera e Trepçës dhe diga e rëndësishme për furnizimin me ujë, Gazivoda."

Edhe Ernst tërheq vëmendjen për opozitën e fortë që kanë përballë në vendet përkatëse Vuçiçi dhe Thaçi. Në Serbi kjo opozitë drejtohet nga kisha, e cila preferon të presë "kohë më të mira" për ta "rikthyer në shtëpi Kosovën". Me një marrëveshje tani "rajoni i rëndësishëm për kishën i Metohisë do të ndodhej përgjithmonë në botën e jashtme".

Veç ekspertëve që shohin rrezikun e "efektit domino" për rajonin, ka të tjerë që e konsiderojnë si shans që "nuk vendosin diplomatë evropianë, por vetë të prekurit". Por, tërheq vëmendjen autori, "kjo vlen vetëm me dy parakushte: me një heqje absolute dorë nga dhuna dhe detyrimin që çdo zgjidhje të konfirmohet në referendume nga të gjitha komunat e prekura dhe nga të dyja shtetet". 

FAZ/NZZ