1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman

23 Prill 2004
https://p.dw.com/p/As0q

Një ndër temat kryesore të shtypit të sotëm gjerman është paralajmërimi për mbajtjen edhe në Gjermani të referendumit për kushtetutën evropiane. Në Britani të Madhe, kryeministri Toni Bler e ka lidhur në një farë mënyrë fatin e vet me rezultatin e këtij referendumi, ndërkohë që në Berlin kancelari Gerhard Shrëder është i mendimit se një referendum i këtillë nuk është i nevojshëm. Duke komentuar këto pohimet të kancelarit, gazeta Manheimer Morgen me tone kritike vëren:

"A do të thotë kjo se deklarimi i popullit gjerman për kushtetutën evropiane nuk ka asnjë shans për faktin se mund të zgjohen dëshirat për të bërë edhe më shumë? Duket se tashti po krijohet një koalicion i gjërë mes socialdemokratëve, ekologjistëve dhe kristiandemokratëve të cilët po bllokojnë nxjerrjen e ligjeve të domosdoshme për reformat e paralajmëruara. Sa më mirë njerëzit do të ndjenin veten në shtëpinë evropiane, sikur të mos trajtoheshin vetëm si qiraxhinjë por si arkitektë të vërtetë të saj. Në vend që popullit ti lejohet kjo mundësi, politikanët përpiqen që të luajnë me letra të sigurta dhe të vazhdojnë me politikën e vjetër".

Temë tjetër e trajtuar në gazetat e sotme është edhe raporti mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë, në vecanti nga këndëvështrimi i zgjërimit të këtij organizmi në lindje, i cili pritet përfudnimisht të zyrtarizohet me 1 maj të këtij viti. Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan:

"Në Evropën lindore Bashkimi Evropian edhe ashtu është në konkurrencë me Rusinë sa i përket raporteve me shtetet e atjeshme. Prandaj Moska synon një raport edhe më të ngushtë. Rusia do të bëjë përpjekjet që përmes shteteve të Baltikut, respektivisht përmes minoritetit rus në Letoni, të fitojë më shumë ndikim në Bashkimin Evropian. Presidenti Vlladimir Putin me siguri që do të bëjë përpjekje që përmes Kaukazit dhe Evropës lindore, BE të mos influencojë politikën e tij autoritare të brendëshme dhe ekonomike. Atij i mjafton që në botën perëndimore Rusia të paraqitet si një vend me qëllime të mira, por kjo është një tregti e gabuar, mendon komentatori i gazetës "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Cështja e të huajve dhe statusit të tyre në Gjermani trajtohet sot me prioritet në gazetën "Die Tageszeitung". Në tekstin e botuar në faqen e parë me titull: "I huaji mbetet i huaj", kjo gazetë shkruan:

"Ligji i koalicionit qeveritar kuq e gjelbër për të huajt po demontohet edhe më tej: Grupi punues i pozitës dhe opozitës tashti do që të ardhurve të ri në Gjermani t'u pamundësojë edhe të drejtën e kërkesës për integrim. Kjo nënkupton edhe heqjen e obligimit të shtetit për sigurimin e kursit të gjuhë. Grupi punues synon edhe sanksione më të rrepta për të huajt të cilët nuk i ndjekin si duhet ose i ndjekin pak kurset e gjuhës. E ngarkuara për të huajt në Qeverinë gjermane Mariluise Beck është e mendimit se me këto shkurtime ligjit i amputohen disa pjesë shumë të rëndësishme. Ajo pohon se duhet siguruar të paktën një lloj balanci në kërkesat për mësimin e gjuhës dhe duhet kundërshtuar parlajmërimet për sanksione. Kërkesa të ngjashme për të drejtën e kursit të gjuhës kanë paraqitur edhe politikanë të tjerë të ngarkuar me cështjet e integrimit të të huajve, por sipas të gjitha gjasave kjo nuk do të mbetet. Sa i përket të huajve që nuk kanë të rregulluar lejen e qëndrimit në Gjermani, është e mundur që të mos jepet lejet për vazhdimin e qëndrimit. Që prej sulmeve terroriste në Madrid, në opinion është hapur debati: si të bëhen ndryshime për një sigurim më të mirë nga terrorizmi. Ndërkohë që të preokupuar me këtë kërkesë për siguri, kohën e fundit nuk është foluar pothuajse aspak për mundësitë më të mira të integrimit të të huajve", shkruan ndër të tjerash gazeta "Die Tageszeitung".