1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman

Bahri Cani15 Prill 2004
https://p.dw.com/p/As14


Mediat gjermane edhe sot vëmendje i kushtojnë cështjes së Kosovës dhe zhvillimeve atje, pas valës më të re të dhunës. E përditshmja "Frankfurter Allgemeine Zeitung", shkruan:

"Ngjarjet e fundit trishtuese e kanë bërë të qartë se Status quo-ja e tanishme po shkon tepër gjatë. Pa një perpsektivë të qartë, strategjia "Standardet para statusit" do të mbetet vetëm një formulë e zbraztë. Tri opcionet e deritanishme: ribashkimi me Serbinë, pavarësia e menjëherëshme ose ndarja e Kosovës, nuk premtojnë ndonjë sukses. Evropa duhet të jetë perspektiva e gjithë rajonit. Në rastin e Kosovës, Evropa mund të dëshmojë se e ka kuptuar seriozisht përgjegjësinë e saj. Prandaj duhet përfunduar me administratën e OKB në Kosovë dhe atë duhet shndërruar në një zonë mirëbesimi dhe administrimi ekonomik evropian. Kjo nënkupton që Këshilli i Sigurimit i OKB të hartojë një rezolutë të re me të cilën Kosova të futej nën sovranitetin e BE. BE do të kishte kompetenca mbi politikën e jashtme dhe të sigurisë, ndërsa kosovarët hap pas hapi dhe nën mbikcyrjen e evropianëve do të merrnin përsipër zhvillimin ekonomik dhe të gjitha cështjet tjera të brendëshme. Kalimi sukcesiv i kompetencave duhet të përcillet me zbatimin e standardeve të Unmikut, ndërsa prezenca ushtarake e Kforit do të mbetej e paprekur", konkludon kjo gazetë.

Megjithatë tema qendrore e komenteve të gazetave të sotme gjermane është fjalimi i djeshëm i presidentit amerikan Xhorxh Bush kushtuar gjendjes në Irak.

Lidhur me qëndrimet e presidentit Bush, gazeta "Handelsblatt" e Dyseldorfit shkruan:

"Qeveria amerikane ka nënvlerësuar rreziqet në Irak. Këtë e ka kuptuar tashti edhe presidenti amerikan Xhorxh Bush. Dhe për këtë dëshmon, pa asnjë mëdyshje, fjalimi konfuz i presidentit para gazetarëve në Uashington. Në një fjalim të parapërgatitur, presidenti Bush pohonte se ende është i vendosur për të luftuar deri në fund kryengritjen e shiitëve dhe rrëmbimet e njerëzve të pafajëshëm, në qoftë se është e nevojshme edhe me grumbullimin e trupave ushtarake. Mirëpo më vonë gazetarët ishin ata të cilët e bënë shumë të qartë se presidenti Bush nuk ka asnjë koncept për Irakun. Nëse Uashingtoni megjithatë i mbetet besnik premtimeve për kalimin e pushtetit në duart e irakianëve me 30 qershor, kërcënon kjo të shndërrohet në një transferim formal të pushtetit. Kjo nuk do të rezultonte me ndonjë legjitimitet, por me forcimin e një status quo-je labile. Një dalje nga situata e tanishme ofron vetëm internacionalizimi i konfliktit".

Gazeta tjetër "Frankfurter Rundschau" është e mendimit se:

"Ajo që presidenti i mahnitur Bush lavdëron si një qëndrim të prerë amerikan të shprehur me numra të jashtëzakonshëm, tashti shndërrohet në një injorancë totale tashti mund të shpjegohet vetëm me një fanatizëm fetar. Presidenti Xhorxh Bush është futur në një përfytyrim të botës ku ekzistojnë vetëm ketëgoritë e keqja dhe e mira. Me fanatizmin e një misionari, komandanti i fuqisë më të madhe botërore në rruzullin toksor injoron dyshimet mbi këtë dihotomi."

Kështu pohon "Frankfurter Rundschau", ndërsa gazeta tjetër "Mannheimer Morgen" fjalimin e presidentit Bush e sheh si një:

"...dokument impresionues të një politikani pa koncept. Të mbahet kursi i deritanishëm, të vazhdohet edhe më tej, të mos dobësohemi - këto janë parullat me të cilat presidenti Xhorxh Bush po përpiqet të amortizojë frikën gjithnjë e më të madhe të qytetarëve të tij prej mundësisë së një dështimi të ngjashëm sikur në luftën e Vietnamit. Se në c'masë lufta e Irakut do të dëmtojë imazhin e tij të brendëshëm politik, është kontestuese. Por është e vërtetë që si pasojë e mungesës së sukseseve në Irak, fushata parazgjedhore presidenciale do të jetë shumë më e vështirë."

Ndërsa gazeta "Berliner Zeitung" shkruan:

"Afganistani, Iraku, lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, puna e shërbimeve sekrete? Njeriu më i fuqishëm në botë thotë se të gjitha këto janë bërë si duhet. Eshtë ky një fakt që të frikëson. Me këto qëndrime presidenti amerikan nuk ka bërë asnjë shok në botë, ndërkohë që po përcanë edhe popullin e tij. Njohësit e rrethanave në SHBA thonë se amerikanët kurrë më parë nuk ishin kaq të politizuar, të ideologjizuar dhe të përcarë".