1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi i ditës së hënë

5 Shtator 2005

Gazetat gjermane fokusohen tek dueli Shreder- Merkel, katastrofa e shkaktuar nga uragani "Katrina" në Amerikë. Temë tjetër shpenzimet e shëndetësisë në Gjermani

https://p.dw.com/p/Arty

Gazeta zvicerane që botohet në gjermanisht "Neue Cyrher Cajtung" e përshrkuarn debatin ndërmjet dy kandidatëve për kancelarët,

"si përplasje dy tipash politikanësh, më të ndryshëm s'bëhet." Në njërën anë është kandelari i mediave, që e di se si mund ta ndërtojë veten para kamerave, si askush nga paraardhësit. Përballë kryetarja e CDU/së, ndoshta pa kripë, që me vetëdije u shmanget provokimeve të mediave. Të djelën, asnjeri prej kundërshtarëve nuk arriti ta fitonte rezultatin për vete."

Gazeta tjetër gjermanofone që botohet jashtë kufijve "Zalcburger Nahrihten", nga Austria shkruan:

"Për fat të mirë, fushata zgjedhore do të zgjasë edhe vetëm dy javë. Me shumë zorr po zvarritet një konfrontim, të cilit i mungon speci, siç ishte debati televiziv i të djelës ndërmjet kancelarit Gerhard Shrëder dhe kandidates Angela Merkel. Të dyja palët, si qeveria kuq e blertë, ashtu edhe opozita e zezë dhe e verdhë duket sikur janë bërë mat."

"Stuttgarter Nachrichten" shkruan, se fakti që kongresi amerikan synon të mbledhë një komision të posaçëm, tregon se ka nevojë për sqarime. Që tani bëhet fjalë për një dështim të madh. Këto akuza kanë mundësi të kenë një efekt të madh, sepse vitin e ardhshëm zhvillohen zgjedhjet për kongresin në Amerikë. Tani pritet të dihet, se si do mbrohet presidenti Bush nga shigjetat që janë drejtuar kundër tij.


Gazeta gjermane "Handelsblatt" lidhur me katastrofën e uraganit "Katrina" në SHBA vëren:

Shteti dështoi në detyrën etij elementare, në ruajtjen e rregullit publik. Për gati një javë me radhë rajonet e prekura nga katastrofa u fundosën në anarki. Nju Orleans ra në gjendjen e përshkruar nga filozofi anglez se "njeriu për njeriun është ujk". Tani Kongresi amerikan ka kërkuar fillimin e hetimeve. Bëhet fjalë jo vetëm për vonesën e ndihmave humanite dhe për numrin e vogël të gardistëve. Kontrata shoqërore u prish, pasi shteti ju kërkon qytetarëve të tij bindje, por si shpërblim ai ju ofron atyre edhe mbrojtje. Duhet një kohë më e gjatë se sa rindërtimi i qytetit, për të shëruar një plagë të tillë.

Gazeta gjermane "Frankfurter Rundschau" lidhur me aksionin humanitar në Amerikë komenton:

"Ne në Amerikë nuk i lëmë në baltë bashkëqytetarët tanë që ndodhen në nevojë." Xhorxh Bush apelon sërish tek virtytet amerikane të solidaritetit dhe gadishmërisë për të ndihmuar. Virtyte këto, të cilat i shfaqën me shumë vonesë autoritetet e tij, krahasaur me shumë qytetarë amerikanë që ndihmuan refugjatët e ardhur nga Nju Orleans. Në qoftë se fjalët patetike të Bushit i adresohen aftësisë për të vepruar të shtetit, atëherë ato kuptohen më shumë si një tallje për ata që u prekën më shumë nga katastrofa. Në orët e vështira pati shpëtim për ata që kishin një makinë apo që jetuan në pjesët më të mira të qytetit. Ndihma nuk erdhi për ata që preken si zakonisht më shumë: për të varfërit dhe njerëzit me ngjyrë.

Ndërrojmë temë: Gjermania debaton mbi propozimin e anëtarit të Dhomës së mjekëve gjermanë, Hoppe, se kush nuk i bindet mjekut të tij dhe vazhdon një stil jetese jo të shëndetshëm, atëherë ai duhet t'i paguajë vetë shpenzimet e ilaçeve. Gazeta "Märkische Allgemeine" shkruan:

Ideja e shefit të mjekëve, Hoppe në dukje është e drejtë. Por kjo të kujton propozimin e mëparshëm, se kush aksidentohet gjatë ushtrimit të sporteve apo hobeve me rreziqe duhet t'i paguajë vetë shpenzimet dhe jo nga sigurimi shëndetësor. Por ashtu siç nuk mund të kontrollohet se si dhe ku ndodhi rënia, duke lozur me patina apo nga rënia nga shkallët, aq më e pamundur është që mjekët të kontrollojnë ndryshimin e stilit të jetës të pacientëve të tyre. Shpenzimet për kontrollin e pacientëve do të ishin më të mëdha se sa efektet e kursimit. Ky propozim është një manovër për të larguar vëmendjen nga rritja marramendëse e shpenzimeve për medikamente, për të cilën mjekët nuk kanë asnjë përgjije. Dhe për këto harxhime nuk janë fajtorë të sëmurët, që parapëlqejnë të pinë ilaçe, se sa të jetojnë në mënyrë të shëndetshme.


Ndërsa gazeta "Kölner Stadt Anzeiger" komenton:
Sigurisht që dikujt që tregon kujdes për shëndetin e tij, ndoshta i përzihet kur kuota e tij e sigurimit shëndetësor, është bashkëpaguese e trajtimit mjekësor të fqinjit të tij të dhjamosur. Po kjo vlen edhe për duhanpirësit dhe ata që nuk pinë duhan. Por sigurimi shëndetësor në vend bazohet në një teori të thjeshtë: ne jemi të gjithë nga pak mëkatarë. Megjithatë atij që sëmuret i duhet ofruar ndihma solidare. Përfytyroni një shoqëri të tillë, ku vepron një lloj FBI-je e shëndetësisë, e cila përgjon secilin nga ata që shkel rregullat e shëndetit.

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton fushatën zgjedhore në Gjermani:

Askush nuk mund të dalë të thotë, se gjermanët nuk e dinë se kush zgjidhet dhe për çfarë votohet në datën 18 shtator. Nga njëra anë një kancelar, i cili siç u shpreh vetë publikisht, nuk po i bindet më as grupi i përkrahësve të tij. Megjithatë ai akoma është njeriu kryesor i këtij grupi dhe pretendon të qeverisë edhe njëherë. Nga ana tjetër kemi një kandidatë të opozitës, e cila me këmbëngulje dhe vendosmëri ja doli në krye të partisë së saj dhe nga ana tjetër arriti që të krijojë një koalicion parazgjedhor me partnerët e dëshiruar. Zgjedhësit e dinë edhe se për çfarë do të vendoset në 18 shtator.