1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi ndërkombëtar i javës

Gerhard M. Friese27 Gusht 2006

Marrëveshja e vendeve anëtare të Bashkimit Europian mbi kontributin e tyre në trupën paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban dhe përgjigja e Iranit ndaj ofertës së fuqive me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë, në konfliktin për programin e tij bërthamor, kanë qenë këtë javë temat kryesore të komenteve në faqet e shtypit të huaj.

https://p.dw.com/p/AroG
Fotografi: AP Graphics

Mbi marrëveshjen e Bashkimit Europian në gazetën Neue Zürcher Zeitung nga Zvicra lexojmë:
"Problemi kryesor i vendeve anëtare të Bashkimit Europian mbetet të tregojnë nëse krahas manaxhimit të krizave janë vërtet të aftë edhe për një mision të rrezikshëm për vendosjen e paqes. Kjo nga njëra anë do të thotë përdorim i dhunës ushtarake, humbje të pashmangshme, marrje pozicioni, presion për bashkëpunim ndaj palëve të tjera dhe presion politik në frontin e brendshëm. Nga ana tjetër në rast suksesi ky është një shans për ta çuar bashkimin europian realisht përpara në një fushë të rëndësishme dhe për të forcuar më tej ndarjen e punës që po përvijëzohet në marrëdhëniet transatlantike. Por shenjat për këtë nuk duken shumë të mira."

Edhe gazeta tjetër nga Zyrihu, Tages-Anzeiger, në lidhje me proçesin e rënies dakort në BE mendon:
"Kujt nuk i janë marrë ende mendtë nga këto ecejake mund të konstatojë me kthjelltësi se BE ka humbur një shans të madh për të dhënë në këtë rajon një kontribut të madh për paqen. Kjo është e rëndësishme pasi Europa është bashkëpërgjegjëse për problemet në Lindjen e Afërme të cilat janë edhe pasoja të kolonializmit dhe antisemitizmit europian."

Gazeta italiane La Stampa është e një tjetër mendimi:
"Përballë faktit që "zemra" e trupës ndërkombëtare do të jetë europiane, për Europën bëhet fjalë për një rilindje në të cilën nuk shpresonte askush. Ndoshta ndodhemi në fillim të një multinacionalizmi të vërtetë pas kaq shumë vitesh hegjemonie amerikane."

Gazeta bullgare Sega i vlerëson të pakta shanset për sukses të trupës së Kombeve të Bashkuara:
"Asnjë politikan nuk do të guxonte të parashikonte një paqe të shpejtë në Lindjen e Afërme. Atje lufta e vazhdueshme është gjendje normale prej mëse 60 vjetësh. Pas mendimeve të fisme për t'i dhënë paqes një shans me angazhimin ndërkombëtar, fshihet një llogari që nuk del."

Në konfliktin rreth programit të tij bërthamor Irani ka dhënë një përgjigje të qartë ndaj paketës së ofertave nga pesë fuqitë me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit dhe Gjermanisë. Qeveria në Teheran manovron dhe kërkon të fitojë kohë mendojnë pjesa më e madhe e gazetave ndërkombëtare.

Gazeta italiane Corriere della Sera vë re se:
"... pyetjes më të rëndësishme që interesonte të gjithë nuk i është dhënë asnjë përgjigje. Por si për kompensim, dokumenti me të cilin Irani me mjeshtëri i shmanget kërkesës së Këshillit të Sigurimit për ndërprerje të programit të tij bërthamor, është tejet i gjatë, i rafinuar dhe i zbukuruar me detaje... . Megjithatë duket se as vetë amerikanët nuk kanë nxitim të zgjidhin këtë çështje. As ambasadori amerikan pranë OKB-së dhe as presidenti Bush nuk duan që kriza të duket si një çështje private mes SHBA dhe shtetit të cilësuar 'kopuk'."

Gazeta austriake Salzburger Nachrichten e sheh Iranin në një pozicion force:
"Shumë pak i shtyn iranianët tani që të lëshojnë pe dhe të pranojnë ofertën e hartuar në kompromis mes amerikanëve dhe europianëve. Ndryshimi i pushtetit në Irak e ka anuar balancën rajonale në favor të pushtetit të shiitëve. Kështu iranianët mund të përfitojnë nga fakti që SHBA i kanë vazhdimisht duart e zëna me fiaskon në Irak. Dobësia e lojtarëve të tjerë në skenën ndërkombëtare e fton madje Iranin të debutojë me mburrje."

Gazeta ruse Kommersant mbi të njëjtën temë shkruan:
"Pyetja nëse vlerat e bashkësisë ndërkombëtare lejojnë një zgjerim të klubit të fuqive bërthamore me Iranin nuk është më interesante. Në mënyrë të pashmangshme pjesa më e madhe e vendeve të cilat industrialisht janë ende në vitet '70 do të sigurojnë teknikën për prodhimin e lëndëve djegëse nukleare dhe armëve bërthamore. Mjeti i vetëm për të penguar deri në vitin 2025 Iranin të sigurojë teknikën bërthmore është likudimi i sistemit politik të tij ose i të gjithë vendit."