1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi ndërkombëtar i javës

Reinhard Kleber18 Qershor 2006

Në qendër të shtypit ndërkombëtar të javës që lamë pas janë takimi i nivelit të lartë të BE-së në Bruksel si dhe debatet pas rasteve të fundit të vetëvrasjeve në kampin e Guantanamos.

https://p.dw.com/p/ArpN
Fotografi në grup me damë
Fotografi në grup me damëFotografi: AP

Takimi dyditor në Bruksel nuk solli ndonjë marrëveshje në lidhje me ngrindjet për kushtetutën e përbashkët, por vetëm përcaktoi një plan kohor. Gjermania, u vendos në takim, duhet të ndërmarrë në fillim të vitit 2007 një përpjekje të re në këtë drejtim.

Gazeta londineze "Times" shprehej në fillim të takimit me fjalë tepër të qarta:

"Pjesëmarrësit e takimit të nivelit të lartë të BE-së në Bruksel ndiqen prej kufomës së kushtetutës evropiane, e cila vazhdon të nderohet prej federalistëve të ethshëm, përfytyrimet e të cilëve përplasen me realitetin. Më mirë do të ishte që kjo kushtetutë të harrohej fare. Kjo jo vetëm për faktin se dokumenti prej 65.000 fjalësh është një rast për analizat e profesorëve të deshifrimeve në universitet obskurantiste belge. Nuk ka kuptim që 25 vendet anëtare të ngatërrohen në gjetjen e një emëruesi të përbashkët për një version të ri."

Edhe "Neue Zürcher Zeitung" është skeptike:

"Një vit pas jo-së së francezëve dhe të holandezëve për kushtetutën evropiane kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së vazhdojnë të mos kenë ndonjë koncept a zgjidhje. Faza njëvjeçare e reflektimit që ata e vendosën vetë nuk ka asjellë asgjë për fatin e këtij projekti. Në këtë aspekt një ndryshim i vogël i marrëveshjes i bazuar në aspektet institucionale do të ishte një hap i parë konstruktiv. Ai nuk do ta përjashtonte një hap të dytë, realizimin e ambicies për kushtetutën. Por maksimalistët nuk duan ta therrorizojnë projektin e tyre në altarin e procedurave pragmatike."

Gazeta franceze "Nice-Matin" shprehet me nota edhe më skeptike. Kjo gazetë nuk sheh më ndonjë shanc për kushtetutën evropiane:

"Marrëveshja kushtetuese, e cila do t'i ofronte BE-së një të ardhme të shkëlqyeshme është kthyer në kryqin e saj. Dy shtetet që e kanë hedhur poshtë ratifikimin e saj e quajnë përmbajtjen e saj të tejkaluar. Britania e Madhe nuk mendon asnjë sekondë të vetme që të organizojë një referendum për kushtetutën, i cili do të përfundonte sigurisht me "jo". Londra është tepër e gëzuar që mund t'ia kursejë vetes një hap të tillë. Britania e Madhe nuk mban asnjë lloj qëndrimi, Franca dhe Holanda nuk e duan kushtetutën, dhe askush nuk mund të parashikojë se do të mbijetojë ajo kundrejt refuzimeve të tilla."

Gazeta ruse Kommersant, që botohet në Moskë, tërheq vëmendjen për një problem elementar të BE-së sipas këndvështrimit rus:

"Problemet për zgjidhjen e krizës kushtetuese evropiane janë vazhdimi i pyetjes së përjetshme, kush ishte e para veza apo pula? Normalisht një popull themelon një shtet dhe pastaj shpall një kushtetutë. Në rastin e kushtetutës evropiane kjo është krijuar e para dhe tani i takon asaj detyra që të krijojë një bashkësi historike, popullin evropian, sepse popujt e BE-së sapo kanë filluar të ngjizen me njëri-tjetrin."

Kalojmë në temën tjetër. Pas lajmeve që tre të burgosur në kampin amerikan të Guantanamos kishin vrarë veten, janë shtuar zërat që kërkojnë mbylljen e tij. Gazeta franceze "Le Monde" trajton pasojat e kësaj ngjarjeje për marrëdhëniet evropiano-amerikane:

"Guantanamo duhet mbyllur, por në këtë pikë SHBA megjithë argumentat e bëjnë veshin të shurdhër. Minimumi që mund të bëjnë tani politikanët evropianë është që të mos shkojnë më në asnjë takim të nivelit të lartë pa kërkuar mbylljen e kampit të Guantanamos. Kancelarja gjermane Angela Merkel dha së fundi një shembull të mirë në këtë drejtim. Francezët duhet të ndjekin shembullin e saj."

Edhe gazeta holandeze "De Volkskrant" kërkon mbylljen e këtij kampi:

"Në vitin 2006 nuk mund të justifikohet gjendja e jashtëzakonshme që ekziston për 460 të burgosurit në Guantanamo. Në rast se vërtet kemi të bëjmë me terroristë të rrezikshëm që do t'u shkaktonin SHBA-ve dhe botës dëme të mëdha përse nuk i akuzojnë. Mungesa për një kohë të gjatë e ligjeve në këtë kamp është një njollë e madhe në jelekun e SHBA-ve, të cilët e konsiderojnë veten mbrojtës të ligjit dhe të demokracisë në luftë kundër terrorizmit."