1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi: Opel - Plani i shpëtimit i qeverisë gjermane dhe pasojat

2 Qershor 2009
https://p.dw.com/p/I1u7
Faqe te para te gazetave kryesore gjermane
Fotografi: picture-alliance/dpa

Qeveria gjermane mbështeti konceptin e sipërmarrjes austriako-kanadeze Magna, e cila së bashku me bankën ruse Sberbank, do të ketë shumicën e aksioneve të Opelit. Pikërisht kjo temë është në qendër të gazetave të sotme gjermane:

Kështu në gazetën Frankfurter Rundschau lexojmë:

"Politika gjermane, ose të themi më mirë politika gjermane që ndodhet në fushatë parazgjedhore, vendosi tashmë t'i shpëtojë të gjithë. Me kënaqësi madje, si në rastin e Opelit, ku kjo ndihmë nuk sjell asnjë rrezik për bankat ruse apo koncernin austriak-kanadez Magna. Këto institucione nuk kanë nevojë të paraqesin asnjë garanci, taksapaguesit gjermanë marrin përsipër përgjegjësinë. Dhe kush guxon të shtrojë pyetje, si për shembull ministri i ekonomisë zu Guttenberg, cilësohet direkt si "punëprishës" si nga Partia Socialdemokrate SPD, ashtu edhe nga Unioni e madje edhe nga vetë kancelarja Merkel. Në fund mbetet një rezultat i pakënaqshëm, i cili u lë shanse investorëve të huaj dhe një rrezik të madh shtetit gjerman. "

Ndërkohë gazeta Heibronner Stimme komenton:

"Qeveria i hyri një valleje të rrezikshme dhe nuk do të ketë alternativa të tjera, përveç se të ofrojë ndihma të mëtejshme financiare. 12.000 firma kanë kërkuar ndërkohë rreth 4.7 milardë euro si ndihmë financiare nga shteti. Dhe kush do të shpëtojë Opel-in, nuk mund të lërë pasdore koncernin tjetër gjerman Arcandor, i cili rrezikohet nga falimentimi. Por se cilat efekte do të ketë kjo politikë financiare e shtetit për të ardhmen, nuk dihet. Vetëm një gjë është e qartë: Faturën do ta paguajnë herët apo vonë të gjithë qytetarët gjermanë."

Autor: dpa/ Sonila Harasani

Redaktoi: Auron Dodi