1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi për krizën tek prodhuesit e automobilëve

EXH/AV18 Shkurt 2009

Politika mund, ose më mirë duhet t'i shpëtojë vendet e punës, nëse është në gjendje ta bëjë këtë në mënyrë efektive. Por ajo nuk lejohet të ruajë një markë, një koncern si njësi.

https://p.dw.com/p/GwaZ
Opel në krizëFotografi: picture-alliance/ dpa

Shtypi gjerman i kushton sot vëmendje krizës, që ka përfshirë prodhuesit e automobilëve. Shkëpusim nga "Berliner Kurier": "Opel-i në fund, Mercedes-i ka marrë të tatëpjetën. Dhe të gjithë sërish i kthejnë sytë nga shteti. Të shtetëzohet Opel-i! Por a është vërtet shteti në gjendje të shesë makinat më mirë se menaxherët aktualë? Nuk ka shumë gjasa. Nevojitet ndershmëri dhe e ndershme do të ishte të thuhej: në të gjithë botën prodhohen shumë makina dhe me përmasa më të mëdha nga sa nevojitet. Në rastin e Opel-it ndëshkimi i konsumatorit nuk ka filluar me krizën financiare. Le të pyesim seriozisht: a lejohet shteti të mbajë në jetë me para të taksapaguesve firma, të cilat nuk janë në gjendje të shesin produktet e tyre? Në periudhë afatgjatë kjo nuk mund të jetë në asnjë mënyrë politikë sociale. Politikë sociale do të ishte mbështetja e prodhimit të produkteve të reja. Opel-i ndërmarrje e popullit? Jo faleminderit! - shkruan komentatori i "Berliner Kurier".

"Frankfurter Rundschau" komenton: "Politika duhet të bëjë një dallim të hollë mes shpëtimit të një marke, një kompanie, një identiteti dhe shpëtimit të vendeve të punës. Vendet e punës ajo mund, ose më mirë duhet t'i shpëtojë, nëse është në gjendje ta bëjë këtë në mënyrë efektive. Por ajo nuk lejohet të ruajë një markë, një koncern si njësi. Mesazhi i Këshillave të Punonjësve në koncernin Opel është ky: pa kompaninë mëmë General Motors nuk do të kishim probleme, mund të vazhdojmë punën vetë, na nevojitet ndoshta vetëm një ndihmë e vogël financiare nga shteti. Por puna nuk është kaq e thjeshtë. Kriza ka mbërritur plotësisht tek Opel-i megjithë notat shumë të mira në sektorët e kërkimit dhe zhvillimit. Nëse GM do të falimentonte vërtet edhe firmat bija nuk do të mund të mbijetonin vetë, madje as me ndihmën e Federatës dhe landeve. Ka të ngjarë pra, që fabrikat e Opel-it dikur të prodhojnë më pak makina të markës Opel dhe të punojnë më shumë në kërkim për le të themi Hondën. E paimagjinueshme? Ndoshta është për të ardhur keq, por në asnjë mënyrë e paimagjinueshme."