1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shumica e bjellorusëve pro ndryshimeve

Irina Makoveckaja23 Shtator 2005

Shoqëria civile në Bjellorusi e ka jetën të vështirë. Ministria e drejtësisë i kërkon OJQ-ve të marrin leje të reja nga shteti.

https://p.dw.com/p/ArDH
Të rinj bjellorusë në protestë
Të rinj bjellorusë në protestëFotografi: AP

Organizatat e shoqërisë civile si dhe mediet e pavarura kanë kohë që e kanë të vështirë në Bjellorusi. Presidenti autoritar, Aleksandër Lukashenko nuk lë mjet pa përdorur për ta dobësuar pozicionin e tyre. Ministria e Drejtësisë e këtij vendi, mori së fundi një vendim, sipas së cilit lëvizjeve qytetare, partive, iniciativave qytetare apo lidhjeve sindikaliste ekzistuese do u duhet të marrin leje të re nga shteti.

Vendimi i nënshkruar prej Ministrit bjellorus të Drejtësisë, Viktor Golovanov, ka të bëjë jo vetëm me partitë, por edhe me lëvizjet dhe nismat e qytetarëve, OJQ-të apo sindikatat. Sipas këtij dokumenti, të gjitha këto bashkime ndjekin qëllime politike. Kështu, sipas kësaj ministrie, për këtë cilësim mjafton fakti që gjatë një aktiviteti të preken temat politike. Po ashtu, të tilla organizata konsiderohen si bashkime politike, në rast se ndonjë prej anëtarëve të tyre është politikan apo pasues i ndonjë partie politike. Nisur prej shkaqeve të tilla, Ministria e Drejtësisë kërkon, që të tilla organizata të vazhdojnë aktivitetin vetëm pasi të jenë regjistruar edhe një herë, me rrugë zyrtare.

Nuk është hera e parë që autoritetet bjelloruse mundohen t'u krijojnë pengesa OJQ-ve apo partive. Kryetari i Partisë të bashkuar qytetare të Bjellorusisë, Anatolij Lebedko sqaron: "Në Bjellorusi askush nuk çuditet më që shteti me forcën e tij ua vështirëson veprimtarinë subjekteve të jetës politike. Shteti ka frikë prej konsolidimit të kundërshtarëve të regjimit në prag të fushatës së ardhshme elektorale."

Vitin e ardhshëm, në Bjellorusi do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Gjithmonë sa herë që është fjala për ngjarje të rëndësishme politike, si për shembull zgjedhjet apo referendumet OJQ-të bjelloruse gjenden përpara vështirësive. Kështu për shembull, në vitin 2001 kur u zhvilluan zgjedhjet e fundit presidenciale, një numër i madh OJQ u shpërndanë ose u ndaluan. Viktimat kryesore u shënuan në rradhët e atyre OJQ-ve, të cilat po merreshin me organizimin e vëzhgimit të zgjedhjeve. Njëkohësisht u ndalua edhe themelimi i OJQ-ve të reja. Megjithëse ligji për OJQ-të parashikon një afat prej një muaji, për verifikimin e kërkesave të themelimit të një OJQ-je, shqyrtimi i këtyre kërkesave vonohet pothuajse një vit. Përgjigja e autoriteteve në përgjithësi ka qenë refuzuese. Përpjekjet për t`ju kundërvënë vendimeve të autoriteteve përmes rrugëve ligjore në përgjithësi, nuk kanë pasur sukses.

Juri Çausov, jurist pranë Bashkimit të OJQ-ve thekson, se aktualisht Bjellorusia, është i vetmi vend i Europës, i cili ka numrin me të vogël të OJQ aktive në krahasim me numrin e popullsisë. "Çdo vit numri i OJQ-ve bie me rreth 100. Nuk mund të thuhet se është ndaluar krijimi i OJQ-ve, por Ministria e Drejtësisë miraton vetëm 6 për qind të kërkesave."

Në këtë gjendje qytetarët mundoheshin, që duke përdorur emrin inisiativë qytetare ose lëvizje shoqërore, t'i shpëtonin procedurave të Ministrisë së Drejtësisë. Për këtë, vendimi më i fundit i Ministrisë së Drejtësisë duket se do ta paralizojë tani krejtësisht jetën shoqërore në Bjellorusi.

Anatoli Lebetko, megjithatë është optimist dhe thotë: "Duhet bërë e qartë se shumica e njerëzve janë sot pro ndryshimeve dhe se nuk duan të votojnë për Lukashenkon. Kjo është më e rëndësishmja."