1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si do të sillen Partitë serbe të Kosovës në rast se shpallet pavarësia?

Bekim Shehu / Prishtinë23 Janar 2008

Përfaqësuesit e partive politike serbe që marrin pjesë në institucionet e Kosovës, thonë se për ta më e rëndësishme është përmirësimi i jetës së serbëve në Kosovë.

https://p.dw.com/p/Cwdq
Zonja Tanaskovic, banon në Bogosevac
Zonja Tanaskovic, banon në BogosevacFotografi: Refki Alija

Dy partitë politike serbe të përfshira në institucionet e Kosovës, akoma nuk e dinë me saktësi se si do të veprojnë në rast së kuvendi i Kosovës shpall pavarësinë. Do të mbesin pjesë e kuvedit apo do ta bojkotojnë atë. Dy subjektet politike serbe, Partia e Pavarur Liberale dhe Partia Demokratike Serbe, kanë 10 vende në Kuvendin e Kosovës, megjithëse në zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit të shkuar kanë marrë përqindje shumë të vogël të votave.

Lista Serbe për Kosovën

, e udhëhequr nga Oliver Ivanoviq, parti që përfaqëson shumicën e serbëve të Kosovës, nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, sepse nuk dëshiron që të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës, të cilat kanë si qëllim kryesor shpalljen e pavarësisë.

Mirëpo, Partia e Pavarur Liberale serbe, merr pjesë në punimet e kuvendit dhe ka dy ministra në qeverinë e Kosovës. Kryetari i saj, Sllobodan Petroviq, thotë se në rast se kuvendi i Kosovës shpall pavarësinë atëherë ai do të veprojë konform kohës dhe interesave të serbëve të Kosovës. "Nga përbërja e shkuar e Kuvendit, në rendin e ditës ishte propozimi i Ahtisaarit, i cili është pas nesh. Tash ajo që përmendet dhe që është e ditur dhe me siguri do të vijë është shpallja e pavarësisë, mirëpo për këtë ende askush nuk mund ta dijë se kur do të ndodhë," thotë Sllobodan Petroviq. Ai thotë se liberalët serbë do të ndërmarrin veprimin e duhur në përputhje me interesat e komunitetit serb.

Partia tjetër politike serbe, Partia Demokratike, ka vendet e saj në parlament, megjithatë nuk do të marrë pjesë në punimet e kuvendit, derisa të ketë një vendim për statusin. Këto dy parti politike dhe udhëheqësit e tyre, kanë marrë pjesë edhe në zgjedhjet presidenciale serbe që u zhvilluan me 20 janar. Kjo sipas kornizës kushtetuese bie ndesh me ligjin, mirëpo gjithmonë duke u thirrur në emër të përfaqësimit të serbëve në institucionet kosovare, administrata ndërkombëtare e ka lejuar këtë lëshim ligjor. Sidoqoftë, përfaqësuesit e partive politike serbe që marrin pjesë në institucionet kosovare, vazhdojnë të besojnë se thirrja e Beogradit drejtuar serbëve për bojkot ka qenë e gabuar. Ata thotë se serbët e Kosovës nuk kanë ndikim në zgjidhjen e statusit final, dhe se interes i tyre është vetëm përmirësimi i jetës së serbëve në Kosovë.