1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040708 EU Französische Ratspräsidentschaft

Bernd Riegert (DW Brüssel) 7 Korrik 2008

Sot dhe nesër në Kanë të Francës takohen ministrat e brendshëm të BE-së për të zhvilluar konsultime mbi përmirësimin e politikës së përbashkët të azilit dhe imigracionit.

https://p.dw.com/p/EXX3
Gjatë presidencës franceze pritet një linjë relativisht e ashpër kundër refugjatëve ilegalëFotografi: picture-alliance/ dpa

Lufta kundër imigracionit të paligjshëm duhet të forcohet, i ka vënë vetes objektiv presidenca franceze e Këshillit të BE-së. Anëtarët e BE-së duhet të lidhin një pakt për politikën e imigracionit. Në Kanë do të diskutohet mbi një propozim të përbashkët të Francës, Spanjës dhe Gjermanisë. Vendimet do të merren në samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive në tetorin e ardhshëm.

Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët në Gjenevë i ka drejtuar presidencës franceze të BE-së një apel për të mos lënë pas dore mbrojtjen e refugjatëve. UNHCR-ja është e shqetësuar pasi presidenti francez konservator Nikola Sarkozi kërkon të ndjekë një linjë relativisht të ashpër. Në mbrëmjen përpara marrjes së presidencës franceze Nikola Sarkozi në një intervistë në televizion bëri të qarta objektivat e tij:"Ky është një tjetër objektiv i presidencës franceze. Një politikë e përbashkët imigracioni." Mjafton të mbash përpara syve një shifër, tha Sarkozi: "Në Afrikë jetojnë 450 milionë afrikanë në moshë më të re se 17 vjeç. Afrika ndodhet vetëm 13 kilometra larg Europës në ngushticën e Gjibraltarit."

Illegale Einwanderung in Frankreich
Anije me refugjatë kurdë duke mbërritur në Francën jugoreFotografi: AP

Shifrat e imigracionit

Sipas të dhënave të komisionit të BE-së çdo vit 220.000 vetë paraqesin një kërkesë për azil në BE. 1,5 deri 2 milionë vetë imigrojnë në mënyrë të rregullt në BE. Një numër po kaq i madh vlerësohet se qëndron ilegalisht në BE. Presidenti Sarkozi me politikën e tij të imigracionit me sa duket kërkon të fitojë pikë tek zgjedhësit konservatorë në Francë: "Franca apo Europa nuk mund të kurojnë gjithë mjerimin e kësaj bote. Ndryshe shteti ynë social do të shpërthente, ai francez dhe ai europian"-thotë Sarkozi.

Mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE

Franca dhe Spanja pas një polemike të gjatë duket se kanë rënë dakort për një propozim të përbashkët për takimin e ministrave të brendshëm në Kanë. Franca e ka kritikuar gjithnjë Spanjën për legalizimin e rreth 800.000 imigrantëve të paligjshëm që ishin në marrëdhënie pune në Spanjë. M.q.se. në Europë ka liri qarkullimi dhe nuk ka më kontrolle në kufinjtë e brendshëm pas marrëveshjes së Shengenit, duhet të ketë kritere të përbashkëta për imigracionin, kërkon presidenti i Francës Sarkozi. "Pra kjo është bindja ime: nëse kemi liri të pakufizuar lëvizjeje brenda Bashkimit atëherë duhet të ushtrojmë një politikë për të mbrojtur kufinjtë e jashtëm të BE-së."

Illegale Immigranten auf Fuerteventura
Edhe Spanja është e prekur nga fluksi i refufgjatëve afrikanë. Pamje nga kampet në FuerteventuraFotografi: picture-alliance/dpa

Kush e di se do të dëbohet nuk i beson trafikantëve!

Gjatë presidencës së Këshillit të BE-së Franca synon të forcojë agjensinë për mbrojtjen e kufinjve të BE-së, Frontex" dhe të ngrerë patrulla të përbashkëta në Mesdhe dhe përpara brigjeve të Afrikës Perëndimore. Aktivistët për të drejtat e njeriut dhe organizatat e ndihmës për refugjatët e akuzojnë BE-në se kërkon të mbyllet në një fortesë. Presidenti francez Sarkozi mbështet me forcë rregullat e përbashkëta të azilit dhe si rrjedhojë edhe rregullat e përbashkëta për dëbimin e refugjatëve të cilëve u refuzohet azili. Sipas presidentit francez vetëm lufta konseguente kundër imigracionit të paligjshëm do t'i japë fund biznesit të bandave të trafikantëve të qënieve njerëzore. Sipas logjikës së Sarkozisë kush e di se do të dëbohet nga vendi ku imigron ilegalisht nuk do t'u besojë trafikantëve.