1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si mund të bashkohen dy shtete?

Julian Ryall/Amarildo Topi25 Shtator 2014

Berlini dhe Seuli kanë ngritur një panel këshillimi që do të japë përvojën mbi politikën e jashtme, që Gjermania e ka nxjerrë pas ribashkimit. Por ekspertët mendojnë se ribashkimi i Koreve është më i vështirë.

https://p.dw.com/p/1DLAF
Fotografi: Reuters/KCNA

Jo shumë aspekte të bashkimit gjerman kaluan me lehtësi. Mësimet e nxjerra në atë kohë kanë rezonancë edhe sot, prandaj disa politikanë, akademikë dhe burokratë, të cilët dhanë kontributin e tyre në ato kohë të vështira për Gjermaninë po ndajnë eksperiencën e tyre me një vend tjetër që është i ndarë prej dekadash.


Më 18 shtator, Markus Ederer, një sekretar i Ministrisë së Jashtme gjermane dhe Kim Jae-shin, ambasadore e Koresë së Jugut në Gjermani, nënshkruan në Berlin një memorandum për krijimin e një grupi që do të ofrojë këshillim veçanërisht në politikën e jashtme, për të shkuar drejt bashkimit të dy Koreve.


Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, paneli do të përbehet nga 12 deri në 14 ekspertë nga të dyja vendet. Markus Meckel, ministri i parafundit i ish Republikës Demokratike Gjermane, do të jetë në këtë panel, sëbashku me Profesor Michael Staak nga Univeristeti i Ushtrisë në Hamburg, dhe Dr Lee Eun-jeung nga Universiteti i Lirë i Berlinit.


Takim në Seul


Takimi i parë i panelit është planifikuar për t'u zhvilluar në muajin tetor në Seul dhe ekspertët thonë se kanë shumë çështje për të diskutuar.


"Nga ku do fillojnë?" pyet Rah Jong-yil, ish-ambasador i Koresë së Jugut në Londër dhe Tokjo dhe më vonë kreu i shërbimve kombëtare të inteligjencës koreano-jugore. "Ajo që diskutohet është më shumë teorike, sepse ne nuk e dimë se si mund të ndodhë ribashkimi i Jugut me Veriun", thotë ai për DW. "Do të ndodhë në një të ardhme të afërt? Do të vijë si pasojë e kolapsit të Koresë së Veriut? Do të jetë paqësor? Ka shumë pyetje."


Një nga nevojat e para pas bashkimit të Koreve do të jetë asistenca ekonomike për Veriun dhe rindërtimi i infrastrukturës, që nuk ka ndryshuar që prej kohës së pushtimit japonez që përfundoi në vitin 1945, tha Rah. Veriu ka nevojë për reforma agrikulturore, një sistetm bankar tjetër, mënyrë tjetër qeverisjeje, sistem tjetër shëndetësor dhe shumë çështje të tjera.


Asistencë ndërkombëtare


"Ne besojmë se komuniteti ndërkombëtar do të jetë në gjendje të gjenerojë fonde për të gjithë punën që duhet bërë, ashtu si edhe institucione si Banka Aziatike për Zhvillim", tha ish-ambasadori.


Daniel Pinkston, analist korean pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizës në Seoul, thotë për DW se Ministria e Bashkimit të Koresë ka ekzaminuar skenare të mundshme që mund të ndodhin pas ribashkimit.


Pinkston beson se skenari më i mundshëm është ai i një lloj revolucioni në Korenë e Veriut, që do të rrëzojë regjimin, duke nënkuptuar se tranzicioni drejt bashkimt të gadishullit mund të jetë i rrezikshëm.


Shqetësime për sigurinë kombëtare


"Do të ketë shumë çështje që kanë nevojë të diskutohen dhe disa prej tyre në mënyrë urgjente, siç është ajo e sigurisë kombëtare", shtoi ai.
Komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar për sigurinë e njerëzve dhe do të verë nënkontroll armët nukleare të Pjonjangut, thekson Pinkston. Në të njëjtën kohë do të ketë nevojë për ndihmë humanitare për njerëzit, të cilët janë indoktrinuar për të mos u besuar të huajve.


"Pjesa tjetër e botës duhet të sigurojë shëndetin publik, të sigurojë ushqim, energji dhe ngrohje në dimrin e ftohtë korean dhe nëse nuk funksionon që në fillim, atëherë është e lehtë që njerëzit atje të mos na pranojnë", thotë eksperti.


Gjermania 'shembull i mirë'


Ai beson se Gjermania është një shembull i mirë dhe Korea e Jugut është e gatshme të marrë çdo këshillë se cila është mënyra më e mirë për të bashkuar vendin. Gjithësesi Pinkston beson se procesi i bashkimi të dy Koreve do të jetë shumë më i vështirë se sa ribashkimi i Gjermanisë.


Kjo për shkak se Gjermania Lindore kishte një industri disi moderne dhe ishte në dijeni të asaj që ndodhte përtej Murit të Berlinit. Koreano-veriorët nga ana tjetër nuk kanë një industri të zhvilluar dhe janë izoluar nga pjesa tjetër e botës që pas shpërthimit të luftës koreane në vitin 1950.