1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si të zgjidhet kriza energjetike në EJL?

Mirjana Dikic4 Prill 2009

Grindja për gazin mes Rusisë dhe Ukrainës ka prekur edhe vendet e Evropës Juglindore. Ka pasur raste kur njerëzit nuk kanë pasur ngrohje në banesa, por është frenuar apo ndërprerë edhe prodhimi në fabrika.

https://p.dw.com/p/HQ4A
Putini dhe shefi i Gazpromit Miller, aktualisht gazi rrjedh, por...Fotografi: AP

Grindja për gazin midis Rusisë dhe Ukrainës ka prekur edhe vendet e Evropës Juglindore. Ka pasur raste kur njerëzit nuk kanë pasur mundësi të ngrohin banesat e tyre, por edhe prodhimi në fabrika është dashur ose të frenohej ose të ndërpritej fare.

Në një konferencë të organizuar nga Shoqata e Evropës Juglindore dhe nga Akademia Evangjelike "Tutzing", ekspertë të politikës dhe ekonomisë paraqitën premisa për zgjidhje afatgjata, për të shmangur në të ardhmen vështirësitë në furnizimin me energji.

Çfarë mund të bëhet për të pakësuar varësinë nga gazi rus, por edhe nga lëndë të tjera djegëse fosile? Për këtë problem janë ndërgjegjësuar tani si në shtetet e Evropës Juglindore, ashtu edhe në BE. Në fund të fundit, ka pasur shpesh vështirësi furnizimi, sepse Kievi dhe Moska nuk qenë në gjendje të binin dakord për çmimet e gazit. Me synimin që furnizimi me energji dhe gaz të garantohet, BE kujdeset tani edhe për vendet jo anëtare të BE-së. Tubacione të reja të furnizimit me gaz do ta furnizojnë rajonin dhe vendet e BE-së me gaz nga vendet e Azisë Qendrore. Por kjo është thjesht një masë, sepse edhe rezervat e gazit do të mbarojnë në një kohë të parashikueshme. Prandaj, kërkohet shumëllojshmëri dhe planifikim afatgjatë në furnizimin me energji, veçanërisht shfrytëzimi i energjive të ripërtëritshme. Në Serbi, për shembull, mund të shfrytëzohen shumë forma të energjisë, thotë zëvendësministri serb i energjisë, Dejan Stojadinoviq.

"E rëndësishme është fuqia e ujit, sepse e pashfrytëzuar është fuqia ujore e lumit kufitar me Republikën Srpska, Drina. Ne punojmë së bashku për shfrytëzim. Veç kësaj, potenciale të rëndësishme janë në energjinë gjeotermale, në energjinë e erës dhe të diellit, duke pasur parasysh faktin që rrezatimi diellor është rreth 40% më i lartë nga mesatarja evropiane", pohon ai.

BE-ja dhe Evropa Juglindore po çojnë përpara përdorimin efikas të energjisë. Përmes teknologjive të posaçme, si llampat që kursejnë energji. Kursime të mëdha janë të mundura përsa i përket energjisë që shfrytëzojnë godinat. Sipas ekspertit austriak të energjisë, Gerhard Bayer, shpenzimet në këto drejtime mund të reduktohen në një të dhjetën e konsumit aktual.

"Koncepti më i pjekur për një godinë efikase është shtëpia pasive. Kjo është shuma e të gjitha masave, të cilat unë mund t'i shfrytëzoj në godinë, për të arritur me sa më pak energji një komfort sa më të lartë. Kjo bazohet nga njëra anë në një izolim të mirë. Në një arkitekturë inteligjente. Kjo do të thotë, që që në planifikimin e shtëpisë duhet t'i kushtohet kujdes pikëpamjes së orientimit të godinës, dimensioneve të saj. Pastaj t'i kushtohet rëndësi një teknike inteligjente, moderne të shtëpisë, si dhe dritareve të mira. Edhe një pajisje për rifitimin e energjisë nga ajri që del dhe shfrytëzimi i energjisë së tokës - në Evropën Qendrore, edhe në dimër kemi në tokë në mënyrë konstante rreth 9 gradë - shfrytëzimi i kësaj ngrohtësie për parangrohjen e ajrit është me vend. Po të marrësh këto masa, atëherë konsumi i energjisë do të jetë vetëm një fraksion i atij që është në shtëpitë ekzistuese", pohon Stojadinoviq.

Përsa i përket financimit, Bayer-i propozon që shpenzimet për energjinë të ngrihen në mënyrë që tregu të reagojë vetë. Në këtë mënyrë do të krijohen vetvetiu projekte për energjinë e ripërtëritshme, sepse në plan afatmesëm ato rezultojnë me leverdi edhe për ndërtuesit.

Autor: Mirjana Dikic

Redaktoi:; Bahri Cani