1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si t'i jepet fund luftës? Grupi i kontaktit në Doha nuk do ndarjen e Libisë, por largimin e Gaddafit

14 Prill 2011

Si duhet të veprojë më tej koalicioni ndërkombëtar që bombardon me mandat të OKB-së në Libi, si mund të pengohet një luftë afatgjatë me më shumë viktima? Këto çështje trajtoi grupi i kontaktit në Doha.

https://p.dw.com/p/10t6z
Grupi i kontaktit në Doha. ministri i Jashtëm i Katarit, al Thani, Ban Ki Moon dhe ministri i Jashtëm gjerman, WesterwelleFotografi: picture alliance / dpa

Në grupin e kontaktit bëjnë pjesë krahas shteteve të tjera e Kombeve të Bashkuara, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. Në takimin në Doha të mërkurën (14.04) ishin ftuar edhe përfaqësues të qeverisë së përkohshme të opozitës në Bengasi.

Që në fillim të konferencës së Grupit të Kontaktit për Libinë në Doha, princi i kurorës në Katar, Sheiku Tamim bin-Hamad al Thani përdori tone të qarta: "Ka ardhur koha që populli libian të vetëmbrohet. "Me këtë nënkuptohet armatimi i rebelëve në luftën kundër Gaddafit. Kjo çështje përbën konfliktin kryesor brenda koalicionit ndërkombëtar me mandat të Kombeve të Bashkuara.

Ban: Bashkësia ndërkombëtare të flasë me një gjuhë të përbashkët

Kërkesën për gjetjen e një pozicioni të përbashkët për konfliktin e Libisë e formuloi qartë në Doha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. "Është e një rëndësi kardinale që bashkësia ndërkombëtare të flasë me një zë dhe ne ta vështrojmë si një çështje të përbashkët misionin për popullin libian."

Apeli i Banit megjithatë nuk mund t'i mbulojë të çarat që kanë dalë në dukje brenda koalicionit. Së bashku me Francën, Britania e Madhe bënë sërish thirrje për më shumë angazhim - që do të thotë përdorimin më të madh të forcës ushtarake kundër Gaddafit.

Libyen Kontaktgruppe Katar Ban Ki-Moon Hague
Ministri i Jashtëm anglez, William HagueFotografi: AP

Ministri i Jashtëm britanik William Hague: "Nëse Gaddafi nuk ndalohet kjo është një shpallje faji për bashkësinë ndërkombëtare, pasi ajo do të dështonte në mbrojtjen e jetëve të pafajshme. Popujt tanë do të pyesnin, pse qeveritë tona nuk bëjnë asgjë për një shtet të dështuar në kufijtë e Evropës. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që veprimet tona janë të nevojshme, legale dhe të duhurat."

Si të ndihmohen libianët? Me armatimin e rebelëve apo me sulme nga ajri?

Që libianët duhet të ndihmohen kundër Gaddafit - kjo nuk është kontestuar, çështja që sjell ndarje është se si. Përfaqësuesit e kryengritësve që kishin udhëtuar në Katar kërkuan më shumë sulme ajrore. Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle kërkoi më shumë angazhim politik. "Gjermania do të mbështesë procesin politik. Ne duam t'i ndihmojmë njerëzit, t'i mbrojmë ata, edhe refugjatët. Por në fund duhet të jetë e qartë: "Ne duam një zgjidhje politike dhe jo ushtarake."

Pamje nga punimet e konferencës
Fotografi: picture alliance / dpa

Ministri i Jashtëm gjerman rakordon në këtë pikë me udhëheqjen e NATO-s. Anders Fogh Rasmussen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s doli kundër kërkesës së Francës dhe Britanisë së Madhe për më shumë bombardime. Me më shumë se 900 sulme ajrore, është shkatërruar vetëm një e treta e aparatit ushtarak të Gaddafit, tha ai. "Ne bëjmë ç'është e mundur të mos kemi viktima në civilë. Ne jemi për mbrojtjen e popullatës aty. Duhet të ruajmë balancën. Nga njëra anë të elimonojmë objektiva ushtarake që kërcënojnë jetë njerëzore, nga ana tjetër të mënjanojmë viktimat në civilë."

Grupi i kontaktit nuk do ndarjen e Libisë

Grupi i kontaktit e bëri të qartë se nuk është për një Libi të ndarë dhe ai do ta pengojë atë. Por ai kërkoi largimin nga pushteti të të pushtetmbajtësit Muammar al Gaddafi. Gaddafi ka humbur çdo legjitimitet, u tha në Doha.

Ministri i Jashtëm gjerman Westwerwelle e përforcoi këtë qëndrim : "Ne nuk duam të nje Libi të ndarë. Ne duam fundin e menjëhershëm të luftës. Dhe kjo bëhet vetëm po qe se Gaddafi largohet nga pushteti, ky është mesazhi i qartë i kësaj konference."

Autor: Ulrich Leidholdt/Lindita Arapi

Redaktoi: Bahri Cani