1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sigmar Gabriel: Opozita në Shqipëri ta lërë bojkotin

17 Prill 2017

Gjermania të japë më shumë mbështetje financiare për projektet rajonale të Procesit të Berlinit. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë kërkon qendrim konstruktiv nga politika në Tiranë.

https://p.dw.com/p/2bM5I
Sigmar Gabriel  in Tirana
Fotografi: DW/A.Ruci

Zëvendëskancelari dhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel paraqiti sot (17.04. 2017) në Tiranë qëndrimin e Gjermanisë ndaj krizës politike në Shqipëri.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Ditmir Bushati, Gabriel deklaroi se Gjermania nuk e mbështet bojkotin e Parlamentit nga opozita dhe as kërkesën e saj për qeveri teknike.   

"Bojkoti i Parlamentit është absurd.  Deputetët duhet  të bëjnë punën e tyre në Parlament dhe jo të protestojnë në ҫadër. Ky është një qëndrim që Gjermania nuk e pranon dhe do të bëjë gjithçka që opozita të shkojë në Parlament dhe të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Që opozita të mos e dojë qeverine është normale, por rruga është e papranueshme,” theksoi ai.

Apel për zbatimin e ligjeve dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Zëvendëskancelari dhe Ministri i Jashtëm gjerman Gabriel iu drejtua parimeve dhe ligjeve të funksionimit të demokracisë, kur ftoi opozitën të pranojë maxhorancën.

"Pas pak javësh në Shqipëeri do të zhvillohen zgjedhjet. Kancelarja Merkel është kundër bojkotit të opozitës. Nëse deputetët opozitarë janë të pakënaqur nga qeverisja, le ta shprehin këtë në fushatën e tyre elektorale. Në bazë të ligjeve të demokracisë pakica duhet të pranojë shumicën, pasi përsëri ligji i demokracisë e bën pakicën shumicë me rotacionin politik të pushtetit. Këshilla jonë për opozitën dhe qeverinë është zbatimi i Kushtetutës dhe i ligjit, zhvillimi i zgjedhjeve në bazë të tyre.  Këtë mbështet Gjermania në vendet që duan t'i bashkohen BE", theksoi Gabriel.

Gjermania e shqetësuar që reforma në drejtësi po pengohet

Gabrieli e cilësoi bojkotin e Parlamentit nga opozita pengesë për zbatimin e reformës në drejtësi.

"Me shqetësim të madh konstatojmë që reforma në drejtësi në Shqipëri po pengohet nga bojkoti i Parlamentit nga ana e opozitës.  Gjermania ka mbështetur financiarisht dhe me ekspertizë procesin e reformës në drejtësi, me paratë e taksapaguesve gjermanë. Ata që e pengojnë zbatimn e saj kanë frikë nga vetting-u, kanë frikë se nuk do të mund të ndjekin interesat e tyre sikundër kanë bërë deri më tani”, tha ai në Tiranë.

Reforma në drejtësi është e bllokuar, pasi ligji i jep opozitës 50% të anëtarëve të institucioneve të vettingut. Mospjesëmarrja e saj në Parlament për miratimin  e përfaqësuesve të saj në komisione e bën të pamundur konstituimin e tyre. Duke u ndalur në  mënyrë të veçantë në rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, Sigmar Gabriel theksoi:

"Ajo që e dallon BE është respektimi në mënyrë rigoroze i Kushtetutës dhe i ligjeve. Qytetarët që jetojnë në vendet e BE duhet të jenë të sigurtë që nuk janë subjekt i lojërave politike  dhe i interesave të grupeve të ndryshme. Zbatimi i Kushtetutës dhe shteti ligjor garantojnë që në qendër të jenë interesat e qytetarëve dhe jo të grupeve të ndryshme, përballë të mirave që ofron një vend. Kështu duhet të ndodhë edhe në vendet si Shqipëria, që aspirojnë t'i bashkohen BE”, theksoi Rafael.

Gabriel: Bllokimi i reformës e çon Shqipërinë në udhëkryq

"Interesat politike dhe ekonomike të grupeve të ndryshme kërkojnë ta ndalojnë rrugën e Shqipërisë drejt BE, duke penguar reformën në drejtësi,që është prioritare për progres në këtë rrugë. Pse duhet penguar verifikimi i 800 gjykatësve  dhe prokurorëve përmes zbatimit të ligjit të Vettingut?  Kush e pengon  zbatimin e  reformës në drejtësi i bën dëm reputacionit  të Shqipërisë. Ne i themi opozitës: Lëreni rrugën e bojkotit- shkoni në zgjedhje. Bllokim i reformës në drejtësi  po e çon Shqipërinë në udhëkryq dhe do ta bëjë më të gjatë dhe të vështirë procesin e anëtarësimit”, paralajmëroi Gabriel.

Projektet rajonale të Procesit të Berlinit nuk po ecin si duhet

Gabriel u shpreh në Tiranë se hapja e negociatave të anëtarësimit do ta bëjë të mund që BE të bëjë më shumë për Ballkanin Perëndimor (BP) për të përmirësuar jetën e njërëzve. Procesi i Berlinit  ringjalli  bashkëpunimin rajonal mes vendeve të BP si një instrument efikas për ta çuar përpara aspiratën e BE për integrim me BE. Por ai tha se ka ngadalësim në zbatimin e projekteve rajonale në bazë të Procesit të Berlinit.

I pyetur nga DW se çfarë duhet bërë që përshpejtohen ritmet e zbatimit të projekteve rajonale në infrastrukturë dhe energjitike ai tha:

„Vendet pjesëmarrëse duhet të bëjnë më shumë vetë, që të  heqin pengesat burokratike. Gjermanjia dhe BE  duhet të bëjnë  më shumë për mbështetje financiare para dhe pas Samitit të Triestes”, tha Gabriel.

Ai theksoi se dera e BE është e hapur për BE, edhe pse BE po përballet me sfida që "kërkojne përgjigje. mes të cilave sfida e sigurisë".

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana