1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Simbolet e Kosovës duhet të kenë në përbërje elementë shumëetnikë

Bekim Shehu24 Prill 2007

Kuvendi i Kosovës, brenda kësaj jave do të shpallë konkursin për simbolet e Kosovës që do ta identifikonin atë në arenën ndërkombëtare. Kjo përcaktohet edhe në dokumentin e statusit të ndërmjetësit, Marti Ahtisari.

https://p.dw.com/p/ArWH
Prishtina
PrishtinaFotografi: picture-alliance/dpa

Parlamenti i Kosovës këtë të premte pritet të marrë një vendim për shpalljen e konkursit për simbolet kombëtare të Kosovës, të cilat do ta identifikonin vendin në arenën ndërkombëtare. Është grupi negociator i Kosovës, mekanizmi politik që ka vendosur të iniciojë punën për hartimin e simboleve sic janë, stema e Kosovës, flamuri dhe himni.

Akoma është e paqartë nëse simbolet e Kosovës do të jenë të gatshme para se Këshilli i Sigurimit të miratojë një rezolutë të re për Kosovën. Në planin e statusit të ndërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisari, thuhet se simbolet idetifikuese të Kosovës, duhet të kenë brenda elemente shumëetnike.

Autoritet kosovare përkrahin dokumentin e Marti Ahtisarit, ndërkohë që përsa i përket elementëve përbërëse të simboleve thuhet se do të vendosë kryesia e kuvendit të Kosovës.

Në këtë fazë të pritjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës, nuk janë vetëm simbolet e Kosovës, puna që duhet përfunduar shumë shpejt, por edhe kushtetuta e Kosovës. Ka kohë që parlamenti ka formuar një komision për hartimin e kushtetutës e cilësuar si dokumenti themelor për krijimin e shtetit, mirëpo, duket se kushtetuta e Kosovës do të jetë gati vetëm pas arritjes së një marrëveshje për statusin.

Sidoqoftë, autoritet e Kosovës me sa duket nuk janë duke u ngutur për krijimin e simboleve identifikuese dhe kushtetutës së Kosovës për faktin që marrëveshja e statusit të Kosovës mund të ndryshojë shumë gjëra. Ata thonë se çdo veprim i autoriteteve kosovare në këtë fazë të zgjidhjes së statusit do të bëhet në bashkëveprim me autoritet ndërkombëtare për faktin që është Këshilli i Sigurimit, ai i cili do të vendosë për të ardhmen e Kosovës.