1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Simbolikë mjaft e rëndësishme - Gjykata e OKB-së në Sierra Leone

Klaus Dahmann4 Prill 2006

Prej disa ditësh në bankën e të akuzuarve të Gjykatës së posaçme është Charles Tylor, ish-presidenti i Liberisë, i cili konsiderohet si një prej aktorëve kryesorë që qëndrojnë pas krimeve në Sierra Leone. Lufta 11-vjeçare në Sierra Leone ishte një ndër luftrat më të tmerrshme të kontinentit afrikan

https://p.dw.com/p/AqqV
Ish-presidenti liberian Taylor përpara gjykatës në Sierra Leone
Ish-presidenti liberian Taylor përpara gjykatës në Sierra LeoneFotografi: AP

Gjykata e posaçme në Freetown është vërtet një gjykatë e veçantë, sepse ndryshe nga Gjykatat për krimet e luftës në ish-Jugosllavi apo Ruandë, kjo gjyktë është ngritur prej vetë shtetit të Sierra Leones në bashkëpunim me OKB-në. Kjo do të thotë se katër prej gjykatësve emërohen prej qeverisë së Sierra Leones, shtatë të tjerët prej Kofi Ananit. Në mënyrë të ngjashme veprohet edhe në prokurori. Jan Wetzel, ekspert i së drejtës ndërkombëtare, i cili ka qenë vetë për disa muaj në kryeqytetin e Sierra Leones, Freetown, shpjegon këtë veçori të kësaj gjykate: "Një pikë e madhe kritike, që ne në Gjermani e njohim nga koha e proceseve të Nyrenbergut pas Luftës së II botërore, dhe që vazhduan edhe në rastin e tribunaleve për Jugosllavinë dhe Ruandën, është se kemi të bëjmë me gjykata të huaja të cilat imponohen prej bashkësisë ndërkombëtare. Për t'iu kundërvënë këtyre rezervave nga njëra anë i ofrohet vetë shtetit përkatës pjesëmarrje në trupin gjykues. Njëkohësisht edhe popullsisë i thuhet kjo është gjykata e juaj dhe jo një gjykatë e huaj."

Për t'u shënuar është edhe fakti që gjyqtarët më të rëndësishëm fillimisht ishtë të bardhë, kurse tani Kofi Anan ka emëruar në postet e rëndësishme gjykatës nga Afrika. Kjo nuk është rastësi por një sinjal tjetër në drejtim të popullsisë.

Wetzel mendon se në një vend të përfshirë për 11 vjet me radhë nga një luftë e përgjakshme civile dhe ku gjurmët janë edhe sot kudo të pranishme, kjo gjykatë e posaçme është si një fanar për organet e drejtësisë dhe për institucionet e tjera shtetërore të vendit.

"Kushdo ka mundësi që të hyjë pa kontrrolle të shumta në sallën e gjyqit dhe të shikojë se si zhvillohen gjykimet. Për shumë sierra-leonezë kjo është hera e parë që shohin se si funksionon një gjykatë." - thotë Wetzel.

Radiostacionet dhe gazetat e pakta që ka në Sierra Leone njoftojnë thuajse përditë për punën e gjykates. Por nga njëra anë ato nuk e mbulojnë të gjithë territorin e vendit, sidomos popullsinë fshatare, nga ana tjetër 80% e popullsisë së vendit janë analfabetë. Për këtë punonjësit e gjykatës shkojnë vetë nëpër fshatra për ta informuar popullsisë për punën e gjykatës dhe shpërndajnë edhe libra informativë me figura. Po ashtu përdoren edhe kinema lëvizëse që edhe ata që nuk mund të vijnë në Freetown të kenë mundësi të shikojnë se si zhvillohen gjykimet.

Fillimisht gjykata e posaçme në Sierra Leone ngriti aktpadijë ndaj 13 personave. Nëntë prej tyre janë tashmë në bankat e të akuzuarve. Sipas Wetzel fakti që në duart e kësaj gjykate është tani edhe ish-presidenti liberian Charles Taylor është mjaft i rëndësishëm edhe pse puna që ka përpara gjykata për t'i provuar Taylorit fajësinë është mjaft e madhe.

"Në rast se marrin parasysh simbolikën, pas vdekjes së Millosheviçit Taylor është i vetmi president i një shteti, i cili ndodhet në bankat e të akuzuzarve të një gjykate ndërkombëtare. Kjo simbolikë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Dhe në rast se ky proces përfundon vërtet me dënimin e tij atëhere kjo do të thotë një hap jashtëzakonisht të madh në luftë kundër mungesës së ligjit dhe të drejtësisë në të gjithë Afrikën."