1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sindikatat gjermane organizuan mitingje me rastin e 1 Majit

Pandeli Pani1 Maj 2007

Sindikatat gjermane kërkojnë përcaktimin me ligj të një page minimale. Çdo njeri duhet të jetë në gjendje që me pagën e tij të jetojë me dinjitet dhe të mos jetë i detyruar të bëjë një punë të dytë apo të tretë, thuhet të deklaratën e Lidhjes Sindikaliste Gjermane me rastin e 1 Majit

https://p.dw.com/p/Aqwk
Fotografi: picture-alliance/dpa

Protestat tradicionale të 1. Majit të organizuara prej sindikatave në Gjermani dominohen këtë vit prej kërkesës për përcaktimin me ligj të një page të përshtatshme minimale. Çdo njeri duhet të jetë në gjendje që me pagën e tij të jetojë me dinjitet dhe të mos jetë i detyruar të bëjë një punë të dytë apo të tretë, thuhet të deklaratën e Lidhjes Sindikaliste Gjermane.

Problematike është sipas sindikatave gjendja e pagave në sektorin e ndërtimit, ku ndër të tjera sindikatat kërkojnë përcaktimin e rrogave minimale. Kryetari i sindikatës së punonjësve të ndërtimit Klaus Wiesehügel (Klaus Vizenhygel) e akuzoi qeverinë gjermane gjatë protestës së organizuar Braunshvaig se ajo po i shprëndan të ardhurat gjigande në favor të sipërmarrësve.

Edhe kryetari i Lidhjes Sindikaliste Gjermane, DGB, Michael Sommer (Mihael Zomer) e kritikoi rëndë qeverinë gjermane gjatë një mitingu proteste të zhvilluar në Gelsenkirchen. Ai kërkoi që pagat dhe rrogat të shtohen ndjeshëm në mënyrë që edhe të punësuarit të përfitojnë prej hovit të konjunkturës në Gjermani. Ai përsëriti gjithashtu kërkesën e sindikatave për përcaktimin me ligj të një rroge minimale në Gjermani. Miliona njerëz në Gjermani punojnë për rroga të tilla me të cilat nuk mund të ushqejnë as familjet e tyre, tha Sommer.

Sommer kritikoi gjithashtu përpjekjet për rritjen e moshës së daljes në pension, ndërkohë që në Gjermani numri i të papunëve vazhdon të jetë i lartë: 'Për sa kohë është e pranishme ushtria e të papunëve dhe për sa kohë ata që janë mbi 50 vjeç nuk kanë praktikisht asnjë shanc në tregun e punës, për aq kohë është perverse që politika synon ta ngrejë moshën e daljes në pension."

Gjatë mitingut të organizuar në Erfurt Kryetari i sindikatës gjermane Verdi, Frank Bsirske, kërkoi që edhe punonjësve t'u jepet mundësia për të përfituar prej hovit ekonomik dhe konjunktural në Gjermani.

'Ajo për të cilën kemi nevojë është forcimi i fuqisë blerëse të popullsisë. Hovin ekonomik nuk duhet ta gëzojnë vetëm disa, por të gjithë njerëzit në Gjermani.' - tha Bsirske.

Ai kritikoi gjithashtu politikën e dumpingut të pagave, e cila do të vinte si rrjedhojë e mospërcaktimit prej qeverisë të një page minimale.

Në lidhje me këtë çështje mes partnerëve të koalicionit qeveritar në Gjermani ekzistojnë mosmarrëveshje, të cilat dolën e pah edhe gjatë ditës së sotme. Ndërsa kryetari i SPD, Kurt Beck (Bek), theksoi se partia e tij do të vazhdojë të angazhohet që për sektorë të caktuar të vendosen me ligj paga minimale, përfaqësuesit e CDU-së u shprehën me një "jo" të qartë, ndaj kësaj ideje dhe kërkese të sindikatave. Sekretari i përgjithshëm i CDU-së Ronald Pofalla (Pofala) theksoi në Berlin, se pagat minimale i pengojnë palët kontraktuese të lidhin marrëveshje mes tyre, u presin rrugën për në tregun e punës njerëzve me kualifikim të ulët dhe u grabisin sipërmarrjeve lirinë ekonomike për të vepruar.