1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sinjale shpresëdhënëse në Lindjen e Mesme

Peter Filip5 Shkurt 2005

Kryeministri izrelit Ariel Sharon takohet javën e ardhshme me presidentin palestinez Mahmud Abaz.Dhe kjo pa pjesëmarrje të rangjeve të larta amerikane, një risi kjo në përpjekjet e reja për paqen në Lindjen e Mesme

https://p.dw.com/p/ArQj



Me samitin që pritet të zhvillohet qytetin turistik egjyptan Sharm el Sehik, synohet që t'i jepet fund intifadës së Al Aksës dhe të fillohet një epokë e re në arritjen e paqes në konfliktin palestinezo-izraelit. Dhe kjo pa pjesëmarrje të rangjeve të larta amerikane. Një takim mes presidentit palestinez Mahmud Abaz dhe kryeministrit izraelit Ariel Sharon, i parë si takim bilateral, tanimë ka si vend mikpritës Egjyptin, madje edhe mbreti jordanez, Abdullah do të marrë pjesë aty. Kështu me këtë rast mblidhen në Sharm El Sheik aktorët kryesorë që kanë luajtur rol të rëndësishëm për paqen në Lindjen e mesme, një risi kjo pasi deri më tani të gjitha takimet janë zhvilluar gjithnjë me inisiativë dhe pjesëmarrje të vetë amerikanëve. Nëse receta e re politike do të funksionojë, këtë do t'a tregojë koha. Shenjat janë shpresëdhënëse. Pas zgjedhjes së Abazit ka patur përpjekje të mëdha nga ana e tij për arritjen e një armëpushimi dhe janë bërë përparime për një fillim të ri të procesit të paqes. Trupat e armatosura palestineze kanë marrë kontrollin në disa pjesë të Rripit të Gazës, dhe përpiqen që të pengojnë sulmet të reja me raketa ndaj Izraelit.
Nga ana e tij Izraeli po tregohet i gatshëm të largohet nga pesë qytete palestineze, të cilat do ti kalohen tërësisht autoriteteve palestineze. Izraeli pushoi goditjen e qëllimshme të të ashtuquajturve ekstremistë palestinezë dhe ka miratuar lirimin e 900 të burgosurve palestinezë, që do të lirohen në javët e ardhshme.
Sharoni ndoshta frymëzohet në këtë rast dhe nga tonet e reja që vinë nga Uashingtoni. Presidenti Xhorxh Bush, sigurisht nuk lë dyshim në mbështetjen që i jep Izraelit, në të njëjten kohë, ai bën fjalë për shtetin palestinez, që është i realizueshëm dhe përmend dy shtete demokratike, Izraelin dhe Palestinën. Ai i ka premtuar Abazit 350 milionë dollarë ndihmë për reformat, demokracinë, sigurinë dhe paqen. Kundër kësaj sigurisht që Sharon nuk mund të bëjë gjë dhe madje ai duhet të jetë bashkëveprues. Në takimin që do të zhvillohet në Sharm el Sheik, tërheqja e Uashingtonit duket se lëshon edhe një sinjal tjetër. Egjypti duhet të përfshihet sërish në misionin e paqes në Lindjen e Mesme, po kështu edhe Jordania, dy shtete këto që kanë nënshkruar paqen me Izraelin. Në këtë mënyrë i tregohet izraelitëve se ato bëhen garant për arritjen e suksesit të përpjekjeve të reja. Dhe që madje do të ketë edhe një shpërblim për Izraelin. Të dyja shtetet janë të gatshme, të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin, dhe të dërgojnë sërish ambasadorë aty.
Nga ana palestineze duket se po ka sukses armëpushimi. Por të gjitha palët kërkojnë përmbushjen e detyrimeve nga Izraeli, përndryshe armëpushimi do të jetë mjaft i shkurtër.