1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Skandali i shërbimit të fshehtë të Ukrainës shënon rrathë të tjerë

Ute Shefer26 Shkurt 2004

Në studion e DW në Berlin dorëzohen dokumente autentike që dëshmojnë përgjimin e opozitarëve në Evropën Perëndimore

https://p.dw.com/p/ArTx
Gjenerali i shërbimit të fshehtë të Ukrainës Valerij Kravçenko
Gjenerali i shërbimit të fshehtë të Ukrainës Valerij KravçenkoFotografi: dpa

Në studion e Berlinit të DW, ish-këshilltari i Ambasadës së Ukrainës dorëzoi dokumente që thuhet se konfirmojnë se udhëheqja politike e vendit përgjon opozitën në Evropën Perëndimore. Të dyja palët u treguan të kënaqura: dorëzimi i dokumenteve kaloi mirë, tani ai do të presë se çdo të sjellë kontrolli i dokumenteve të fshehta nga parlamenti dhe prokuroria e përgjithshme e vendit, deklaroi Valerij Kravcenko. Ai kritikoi që metodat e shërbimit të fshehtë të Ukrainës nuk mbështeten në kushtetutën e vendit. Bëhet fjalë për metoda të shtetit policor, shërbimi i fshehtë luan një lojë politike dhe përziehet në politikë. Me dorëzimin e dokumenteve ai synon të arrijë vetëm një gjë: që shërbimi i fshehtë i Ukrainës t'i përmbahet detyrës që i cakton kushtetuta e vendit.

Kravçenko, i cili e humbi para pak kohësh statusin e tij diplomatik dhe që aktualisht ndodhet në Berlin, i deklaroi Dojçe Veles:

"Mendoj se mënyra e veprimit të shërbimit të fshehtë është e kundraligjshme. Presidenti i Ukrainës është shefi kryesor i zbulimit të Ukrainës. Ndoshta ai nuk e di se çfarë bën shërbimi i fshehtë. Këto dokumenta unë po i dorëzoj për të rivendosur rregullin."


Dokumentat e Kravcenkos presupozohet të dëshmojnë se shefi i shërbimit të fshehtë të Ukrainës, SBU u ka dhënë urdhër punonjësve të shërbimit të fshehtë jashtë vendit për të vëzhguar aktivitetet e deputetëve ukrainas, por edhe të përfaqësuesve të qeverisë. Në fokus të shërbimit të fshehtë ka qenë lidhja opozitare "Nasha Ukraina", i tha Kravçenko radio DW. 58 vjeçari Valeri Kravcenko, që më parë ka punuar për shërbimin e fshehtë sovjetik KGB iu drejtua DW,sepse programet e DW transmetohen në gjuhën ukrainase dhe në atë ruse.

Nikolaj Tomenko, kryetari i komisionit parlamentar për lirinë e medieve i mori në dorëzim dokumentat. Ato ai do t'ia dorëzojë Prokurorisë së Përgjithshme dhe një pjesë të tyre do t'u vërë në dispozicion gazetarëve:

"Unë i kam parë dokumentet dhe një vështrim i parë tregon se sipas kohës së hyrjes dhe të daljes të dokumenteve mund të konstatohet shumë shpejt tek shërbimi i fshehtë, nëse atje ka pasur vërtet dokumenta të tilla dhe nëse përmbajtja e tyre përkon me ato dokumenta që kam marrë unë."

Një komision i veçantë hetimor i Parlamentit të Ukrainës për dokumentat e Kravcenkos nuk është krijuar hë për hë, por Parlamenti do të ushtrojë presion tek prokuroria, që këto dokumente të sqarohen me të vërtetë:

"Prokuroria e përgjithshme ka konfirmuar zyrtarisht se dëshiron t'i ketë këto dokumente dhe se do të përgatisë për to një ekspertizë. Në këtë rast, parlamenti është një instancë vëzhguese, në mënyrë që dokumentet të mos humbasin. Javën e ardhshme ne planifikojmë që të votojmë për ngritjen e një komisioni të tillë hetimor. Dhe si duket do të kemi shumicën e votave për këtë."

Përgënjeshtrimi i presidentit të Ukrainës, Kuçma nuk ishte bindës. Në një konferencë shtypi në Kiev, ai i hodhi poshtë kritikat e Kravcenkos. Shërbimi i fshehtë po reformohet dhe reduktohet- në këtë mënyrë pakësohet edhe ndikimi i tij politik. Për këtë arsye e nxori në publik aferën edhe gjenerali Kravcenko.Edhe shkaqe private nuk mund të përjashtohen, sepse Kravçenko kishte marrë urdhër për t'u kthyer në Kiev, tha Kuçma. Kravçenko i hedh poshtë këto kritika:

"Këto janë metoda për të më diskredituar. Që unë paskësha punuar në sektorin e pestë të KGB-së kundër disidentëve, se unë jam i paqëndrueshëm psiqikisht dhe se unë jam shumë i vjetër në moshë, të gjitha këto i shërbejnë shmangies së vëmendjes nga tema. Kryesorja mbetet shkelja e ligjit nga ana e shërbimit të fshehtë. Motivet janë të parëndësishme"

Për deputetin Nikolaj Tomenko është e rëndësishme që parlamenti ta shoqërojë nga ana politike procesin dhe ta shtyjë atë përpara. Komisioni i medieve do të kujdeset që procesi të jetë transparent dhe të mund të ndiqet edhe nga publiku.

"Eshtë shumë e rëndësishme, që kjo cështje të ndiqet më tej, sepse në rastin e gazetarit të rrëmbyer Gongaxe ne përjetuam se dorëzimi i dokumentave të tilla nuk ka çuar në asnjë lloj rezultati."