1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Skandali i vizave gjermane - Mblidhet komisioni hetimor në Berlin

Jens Turau17 Shkurt 2005

Skandali i vizave në Gjermani po bën bujë jo vetëm në medie por edhe në Bundestag. Të enjten u mblodh komisioni hetimor, i cili duhet të zbardhë çështjen. Ndërsa në mbledhjen e komisionit vëmendja u përqëndrua tek anët formale të dhënies së vizës, pritet me plot tension paraqitja e ministrit të jashtëm në këtë forum. Mazhoranca në parlament hodhin poshtë kërkesën e opozitës për marrjen sa më shpejt në pyetje të ministrit Fisher.

https://p.dw.com/p/Ar4b
Salla plenare e Bundestagut
Salla plenare e BundestagutFotografi: AP

E gjithë vëmendja është përqëndruar tek Joshka Fisheri si dhe tek pyetja, se kur dhe sa ka ditur ai për abuzimet me vizat në ambasadat gjermane në Kjev. Të enjten në Berlin u mblodh komisioni hetimor për këtë çështje, gjyqtari i gjykatës së lartë administrative të landit të Nordrajn-Vestfalisë, Joahim Teipel, u shpjegoi antarëve të komisionit të drejtën komplekse të dhënies së vizave. Kjo është një lëndë mjaft e vështirë juridike, por ajo që po i mban të gjithë në tension është pyetja, se kur do të paraqitet në komision ministri i jashtëm, figura kryesore e aferës së vizave. Vetë Joshka Fisher si dhe ish-ministri i shtetit pranë ministrisë së jashtme Ludger Volmer, që të dy të partisë ekologjike, kanë deklaruar se janë të gatshëm të dëshmojnë në çdo kohë. Partia liberale donte t´i dëgjonte menjëherë që të dy, ndërsa partia kristjandemokrate kërkonte të dëgjonte menjeherë Volmerin dhe Fisherin më 11 prill. Që të dyja këto kërkesa u hodhën poshtë nga shumica parlamentare e përbërë prej socialdemokratëve dhe ekologjistëve. Përfaqësuesi i liberalëve në komisionin hetimor, Helmut Kënigshaus, u shpreh plot indinjatë për këtë votim: "Ndarja e punës është e tillë: që zoti Fisher dhe zoti Volmer të deklarojnë, se duan të dëshmojnë sa më shpejt, ndërsa mazhoranca kuq e gjelbër e bllokon këtë nëpërmjet vendimeve të shumicës. Ne nuk jemi dakord me një gjë të tillë."

Loja rreth pyetjes, se kur do të deklarojë dhe do të përgjigjet përpara komisionit hetimor ministri Fisher ka të bëjë në radhë të parë me zgjedhjet parlamentare në Landin e Nordrajn-Vestaflisë që zhvillohen më 22 maj. Nëse Fisheri në valën e kësaj afere do të detyrohet të deklarojë, për opozitën deklarimi do të ishte mëse i përshtatshëm përpara këtyre zgjedhjeve. Në të kundërt socialdemokratët dhe ekologjistët janë të interesuar që ta mbyllin sa më shpejt këtë çështje. Përfaqësuesi i kristjandemokratëve në komision, Ekart fon Kleden do të preferonte ta hapte seancën me dëgjimin e Volmerit: "Zoti Volmer deri më tani është konsideruar gjithnjë në opinion si njeriu që ka vendosur bazën e politikës së vizave, ndaj do të ishte e udhës që ai të dëgjohej i pari nga komisioni dhe të merrej në pyetje si dëshmitar. Por kjo dështoi sërish prej socialdemokratëve dhe ekologjistëve."

Grupet parlamentare ende nuk kanë propozuar një datë për dëgjimin e Fisherit nga komisioni, ndërkohë që dëshirojnë ta mbyllin këtë çështje deri në periudhën e pushimeve të verës. Gjithashtu duhet të diskutohet edhe për çështjen në tërësi. Një gjë është tashmë e qartë: edhe qeveria parardhëse pati marrë vendim për lehtësimin e procedurës së vizave, si p.sh. lidhur me çështjen e diskutueshme të sigurimit shëndetësor. Ndër të tjera ish ofruar lidhja e një kontrate për sigurimin shëndetësor për periudhën e qëndrimit në Gjermani duke i lehtësuar autoritetet përkatëse. Kryesisht agjencia e sigurimit ADAC, Klubi i Përgjithëm Gjerman i Sigurimit të Automobilëve, ka ofruar në masë karta sigurimi, e piklërisht këtu synon të ketë pikënisjen për sqarimin e kësaj çështjeje partia socialdemokrate, deklaron Olaf Sholc, përfaqësues i kësaj partie në komision: "Ne kemi kërkuar që të dy presidentët e ADAC-së të thonë, se përse nga viti 1995 deri në vitin 2003 ata kanë qenë të mendimit, se ky sigurim është një gjë e mirë dhe aspak i rrezikshëm për abuzimet me çështjen e vizave."

Por është e qartë gjithashtu, që kabineti i Fisherit për një kohë të gjatë ka bërë sehir ndaj rrethanave mjaft të këqia përreth ambasadave. Bandat e kontrabandistëve rregullonin dhëniet masive të vizave, e gjitha kjo gjë as që është kontrolluar ndonjëherë. Vetëm në vjeshtën e vitit të kaluar ministria e jashtme i dha fund kësaj historie. Afera e vizave qysh prej kohësh është kthyer në një aferë Fisher, deponimi publik i tij përpara komisionit hetimor do të jetë edhe pika kulmore e punës së kësaj instance, pavarësisht se kur do të ndodhë kjo.