1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sllovakia ndër prodhuesit më të mëdhenj të automobilëve

Sabine Stöhr29 Nëntor 2006

Sllovakia është ndër prodhuesit më të mëdhenj të automobilëve për frymë popullsie. Perëndimi i vendit është nga zonat me përqëndrimin më të madh të prodhuesve të makinave në Evropë

https://p.dw.com/p/Ar9b
Një gjeneratë e re e veturave - Peugeot Elixir
Një gjeneratë e re e veturave - Peugeot ElixirFotografi: Peugeot

Ndërrimi i mëngjesit në fabrikën e veturave të tipit Peugeot/Citroen. Gra dhe burra me rroba të punës ngjyrë hiri montojnë karrocerinë. Filiala e prodhuesit francez prodhon automobila që nga muaji maj në afërsi të Bratisllavës. 800 makina pritet të përfundohen së shpejti.

Sllovakia ka një pozitë shumë të mirë, thotë drejtori i PSA Peugeot/Citroen - Alen Balderyrou: "Kështu ne kemi një autostradë dhe një lidhje hekurudhore e cila ndodhet në afërsi për transportimin e makinave. Infrastruktura është e mirë, rajoni i rrafshët, dhe kjo na e lehtëson shumë punën", sqaroi Balderyou.

Ndërkohë në Sllovakinë perëndimore dhe veriore është krijuar një rrjet prej më shumë se 150 firmave të huaja furnizuese. Në mesin e tyre edhe firma gjermane si për shembull Siemensi, për pjesët rezervë të automobilave si Brose, apo prodhues të kabllove të makinave. Kjo siguron efekte sinergjie.

Mirëpo, avantazhi më i madh nuk është pozita e mirë por tatimi linear prej 19 përqind, ndihmat financiare nga qeveria dhe pagat e volitshme. Një punëtor, për shembull në fabrikën për prodhimin e automobilëve korean KIA. në veri të Sllovakisë, fiton rreth 400 euro bruto në muaj kurse në Pezho punëtori fiton rreth 450. Në punëtorinë e Volksvagenit gjerman pagesat janë pak më të mira.

Megjithatë, për punëtorët sllovakë kjo nuk paraqet ndonjë pasuri të madhe, por të paktën një vend të sigurtë pune. Andaj qeveria sllovake i ka shtruar qilimin e kuq për investitorët e huaj. Ata aktualisht përkujdesen për një rritje ekonomike prej 10 përqind.

Punë me shumë rrezik, thotë Michael Kern nga Oda ekonomike gjermano-sllovake në Bratisllavë:" Aktualisht ne kemi një prodhimtari të lartë të automobilëve. Kjo është gjë e mirë, shumë pozitive për momentin për shkak se kjo është një lokomotivë që vë në lëvizje zhvillimin ekonomik e megjithatë është një monokulturë", thotë Kern.

Ndaj kjo paraqet një problem gjithnjë e më të madh. Që tani mungon fuqia e kualifikuar punëtore, një rritje ekspansive është pothuajse e pamundur. Industria e automobilëve provon të ndryshojë këtë gjendje.

Për shembull në bashkëpunim me Ministrinë sllovake të arsimit, sqaron Jozef Uhrik, president i Shoqatës së Industrisë së Automobilëve në Sllovaki:" Viteve të fundit, kemi hapur me sukses drejtime të reja studimi të cilat orientohen në industrinë e atomobilëve. Ne presim që vitet e ardhshme të prodhojmë çdo vit nga një milionë makina apo më shumë. Kjo do të thotë se prodhimtaria do të vazhdojë pa probleme. Por është e nevojshme para së gjithash të bëjmë më shumë në punët hulumtuese dhe zhvillimore", sqaron Uhrik.

Nga ana tjetër, investitorët në Industrinë e automobilëve ankohen se në Sllovaki prodhohen shumë pak gjëra për të cilat ka nevojë kjo industri. Në këtë mënyrë edhe pjesët më të thjeshta duhet të porositen jashtë vendit. Për shkak se shtresa e mesme është pothuaj e pazhvilluar në Sllovaki. Në këtë drejtim duhet bërë shumë. Dhe tek atëherë sllovakët do të hetojnë në jetën e tyre të përditshme lulëzimin ekonomik, për të cilin aktualisht lexojnë vetëm nëpër gazeta. Makinat e huaja të cilat prodhohen me aq dëshirë në vendin e tyre nuk mund t'i financojnë për veten e tyre. Pothaujse 100 përqind e tyre eksportohen në Evropën Perëndimore apo Lindore.