1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Socialistët në opozitë kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri

Arben Muka22 Nëntor 2006

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Pandeli Majko u shpreh se zgjedhjet në Shqipëri nuk mund të bëhen në 21 janar 2007, në të njëjtën datë me zgjedhjet në Serbi, pasi kjo sipas tij do të dëmtojë çështjen e Kosovës

https://p.dw.com/p/Arb0
Tirana
TiranaFotografi: DW


Në momentin kur dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës Moisiu është thjesht nje formalitet, opozita ka kërkuar shtyrjen e kësaj date. Një ditë më parë Presidenti e bëri të qarte se fundjava e tretë e janarit, pra 21 janari, mbetet si opocioni më i mirë për zgjedhjet për të respektuar dhe afatet kushtetuese. Por socialistët e lidhin këtë datë me zhvillimin e zgjedhjeve në Serbi, që janë po më 21 janar 2007.

Për kryetarin e grupit parlamentar të PS, Pandeli Majko kjo mbivendosje datash dëmton çështjen e Kosovës. „Kujtoj se Kosova i ka shtyrë zgjedhjet lokale për këtë shkak, argumenton Majko. Kjo duhet të ndodhë dhe në Shqipëri. Nuk mund ta imagjinoj që vendimarrja për statusin e Kosovës ta gjejë Shqipërinë në një situatë të koklavitur politike, pa një reformë zgjedhore, që dotë krijojë shqetesim për skenën politike. Ky shqetësim nuk do të jetë vetëm për vendin tonë por dhe më gjerë se kaq“.

Më parë perfaqësuesit e opozitës e kanë argumentuar propozimin e shtyrjes së zgjedhjeve për në stinën e pranverës, me motin e keq në dimër dhe që mund të bëhet shkak për infrastrukturën sidomos në zonat rurale të vendit. Por vetëm një ditë më parë gjatë një ndalesë zyrtare disa orëshe në Itali, presidenti Alfred Moisiu i ka paraprire komenteve për përpplasje datash me zgjedhjet tek fqinjët, duke e parë këtë thjesht si një rastësi.

„Ne jemi nje shtet i pavarur, kemi ligjet tona, kemi kushtetutën tonë, kemi problemet tona“, është shprehur Moisiu. Ndërkohë Presidenti është takuar dhe me dy drejtuesit e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata dhe Flamur Çato, për të marrë nga ata informacionet më të fundit për përgatitjet e zgjedhjeve lokale. Dy komisionerët i kanë treguar presidentit problemet që po hasen, simodos me ngritjen e komisioneve të votimit dhe numërimit, si dhe kualitetin e listave të zgjedhësve, procese këto që janë të vonuara.